Shqiptarët e Luginës dhe shqiptarët e Bosnjës, të ndërrohet qasja ndaj diasporës shqiptare
Myftiu pranë Bashkësisë Islame për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ka zhvilluar takime me shqiptarët në Vojvodinë, Kroaci e Bosnje dhe ka shprehur shqetësimin e hapur lidhur me mos bashkëpunimin e sinqertë mes Tiranës dhe Prishtinës me shqiptarët jashtë shteteve amë.“Diaspora shqiptare, ka qenë gjithmonë një shembull i mirë, i organizimit për t’i dalë në ndihmë veprimtarive me interes kulturor e fetar, qoftë në perëndim, qoftë edhe në vendlindje të cilët krahas punës fizike për ta siguruar ekzistencën, të zhvillojnë veprimtari kulturore, arsimore e sportive për ta ruajtur, gjuhën, traditën dhe zakonet shqiptare”, ka thënë Saqipi, shkruan Titulli.com.
Ai shtoi se ministritë e diasporës nga Kosova e Shqipëria, mjerisht deri më tani nuk kanë prezantuar një platformë të përbashkët, për të ngritur ura bashkëpunimi mes shteteve shqiptare dhe bashkatdhetarëve të tyre në diasporë.
Në takimin e fundit të zhvilluar në Bashkësinë Shqiptare për Bosnje, Nexhmedin ef. Saqipi bisedoi me kryetarin e këtij asociacioni Muharrem Zejnullahun, lidhur me statusin e shqiptarëve në këtë republikë dhe integrimin e tyre në jetën politike dhe ekonomike të vendit
Gjatë këtij takimi u shpreh shqetësimi lidhur me mos bashkëpunimin e këtyre dy shteteve në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
Myftiu pranë Bashkësisë Islame për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoci, Nexhmedin ef. Saqipi, shpeshherë ka kërkuar një bashkëpunim të mirëfilltë të institucioneve dhe diasporës shqiptare duke apeluar që gjatë sezonit veror kur të vijnë bashkatdhetarët të organizohet një takim i përbashkët./Titulli.com/