Serbia nuk pranon që vija kufitare të shkojë në cep të hekurudhës (3)
Lokale

Serbia nuk pranon që vija kufitare të shkojë në cep të hekurudhës (3)

06.Sep.2018 16:53
0

19. Një skenar tjetër i “shkëmbimit” të territorit do të kishte si vijë ndarëse hekurudhën, që kap një sipërfaqe prej 398 km2 (pjesa shqiptare e Preshevës ka 207.6 km2, pjesa serbe 56.4 km², ndërsa pjesa shqiptare e Bujanocit ka 227 km2 dhe pjesa serbe 234 km2 ). Sipas këtij skenari, Kosovës do t’i bashkohej një brez i tërë i fshatrave, i cili shtrihet rrëzë shpateve lindore të Karadakut, nga fshati Miratoc e deri te fshati Lluçan (midis tyre janë Rahovica, Shoshaja, Corrotica, Rainca, Letovica, Nasalca, Osllara), si dhe  fshatrat e Malësisë së Bujanocit (Muhoc, Gjergjec, Çarr, Ramabuçë, Priboc, Zarbincë, Novosellë E., Suharnë), duke përfshirë këtu edhe Tërrnocin e Turinë. Nga përllogaritjet hartografike të sipërfaqes së Luginës në perëndim të hekurudhës del që kësaj pjese i takojnë 398 km2 me 48 vendbanime. Duke pasur parasysh që brenda kësaj tërësie të përllogaritur futen edhe disa fshatra etnikisht të pastra serbe, si Llapardinca, Rakoci me Banjën, Sërpska Kuqa dhe Levosova, atëherë vija kufitare do të devijonte në drejtim të perëndimit për të përfshirë edhe këto fshatra në kuadër të “pjesës serbe”. Në këtë “pjesë serbe” hyn edhe qyteti i Bujanocit, sot me shumicë shqiptare, që shtrihet krejtësisht buzë autostradës, e cila shkon paralel me hekurudhën me një distancë midis tyre prej 400-500 metrash. Edhe nga ky skenar pala shqiptare do të rezultonte humbëse meqë më se gjysma e territorit do të mbetej jashtë realitetit të ri politiko-territorial, madje edhe më keq, sepse jashtë do të mbetej edhe një brez i tërë i fshatrave shqiptare që shtrihen rrëzë shpateve perëndimore të Rujanit përtej hekurudhës nga Somolica e deri në Strezoc (midis tyre janë Negoci, Bilaçi, Bushtrani, Lerani, Gerajt, Golimidolli dhe Bugarina), si dhe fshatrat e fushës së Moravicës (Bukuroca, Zhunica dhe Çukarka), gjithashtu përtej hekurudhës.

20. Serbia kurrë nuk do të pranojë që vija kufitare të shkojë deri në cep të hekurudhës, por vetëm disa kilometra larg saj. Nga qyteti i Preshevës deri në hekurudhë ka 4.5 km, ndërsa “rregullat” e lojës flasin se kufiri duhet të jetë së paku 3 km larg hekurudhës, në drejtim të qytetit dhe të disa vendbanimeve shqiptare që shtrihen në rripin e Karadakut, nga Miratoca deri në Lluçan. Prandaj territori deri në këtë vijë përfshin një sipërfaqe prej rreth 300 km². Në këtë rast, meqenëse hekurudha shkon rrëzë Karadakut, territori i Luginës, që do t’i “bashkohej” Kosovës me vendbanimet e banuara me shqiptarë, do të mbetej gati pa tokë pjellore dhe pa livadhe, që shtrihen në rrafshin aluvional të Moravicës. Nëse hekurudha mbetet andej, atëherë në Serbi do të mbesin përgjithmonë 10 vendbanime shqiptare në shpatet e malit Rujan, përtej hekurudhës dhe tri fshatrat në fushën e Moravicës, përtej hekurudhës. Por nuk dihet nga do të mbetet qyteti i Preshevës?!

21. Tash e sa kohë Serbia po i hulumton të gjitha mundësitë e copëtimit të territorit të Luginës, qoftë përmes formimit të komunave të reja të vogla, qoftë përmes formave të tjera, që do ta shkatërronin tërësinë territoriale si e vetmja formë e qëndrueshmërisë afatgjate të saj. Edhe nëse Kosova dhe Serbia nën trysni të faktorit ndërkombëtar pajtohen që një pjesë e veriut të Kosovës, nën ombrellën e demarkimit ose të rishikimit të kufijve (kthyerja e 197 km2 të vitit 1959) t’i bashkëngjitej Serbisë, nuk duhet të preket territori i Luginës. Shkatërrimi i tërësisë së saj vërtet është edhe fundi i saj. Në anën tjetër, Lugina ruhet si tërësi vetëm nëse Kosova funksionon si shtet në tërë territorin e tij prej 10.905 km2; nga një Kosovë e fortë varet edhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni. E kujtojmë copëtimin e Sanxhakut pas Luftës së Dytë Botërore, që çoi në mosekzistimin e tij, ndonëse ishte njësi në vete partiake-politike gjatë LNÇ-së (Oblasni komitet KPJ za Sandëak) dhe do të duhej të kishte një status të autonomisë territoriale-politike pas luftës, nëse jo si të Kosovës (Oblast), atëherë së paku një autonomi kulturore! Sanxhaku kishte 8.600 km2 dhe u nda midis Serbisë (4.600 km2) dhe Malit të Zi (4.000 km2) dhe nga viti 1945 deri më sot mezi zihet në gojë emri i tij!

22. Komuna e Medvegjës, që lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë, është çështje në vete dhe mund të mos jetë fare pjesë e pazareve Vuçiq – Rama - Thaçi; ka shkëputje territoriale me dy komunat e tjera, që e përbëjnë Luginën dhe në të është stërholluar aq shumë komponenti demografik shqiptar, saqë vendbanimet e banuara me shqiptarë në një të ardhme të afërt do të mbesin vetëm nocione gjeografike; për pak vite atje do të shuhet jeta plotësisht. Në vitin 1890 shqiptarët jetonin në 30 fshatra me 6.743 banorë, më 1900 8.859 dhe 1910 13.591 banorë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore numri i tyre gjithnjë zvogëlohej: më 1961 në komunën e Medvegjës në 10 vendbanime jetonin 5.037 shqiptarë, më 1981 5.509, më 1991 3.832 dhe në vitin 2002 3.129, ndërsa sot ky numër ka rënë në disa qindra shqiptarë (Medvegja si seli komunale më 2002 kishte vetëm 203 shqiptarë). Në anën tjetër, as Lugina e as veriu i Kosovës nuk janë njëetnike, sikurse as komuna e Medvegjës; ka një përzierje relativisht të madhe etnike në shumë vendbanime në të dyja anët. Pjesa e mbetur e shqiptarëve në Luginë dhe në veri të Kosovës do të përfshihet në një proces intensiv të spastrimit etnik, me ç’rast do të përsëritet një Toplicë e re, një Masuricë, një Surdulicë, një Pustarekë, një Jabllanicë etj.! Por kjo do të ndodhë edhe me serbët në Luginë dhe në jug të lumit Ibër.

23. Serbia mund të jetë gati ta japë edhe qytetin e Preshevës ngase nuk ka më tepër se njëqind serbë sot, të shpërndarë gjithandej në qytet dhe është e pazhvilluar industrialisht dhe pa resurse natyrore; është një koloni e vogël e serbëve, e përqendrueshme në Stacionin hekurudhor që do t’i takonte Serbisë. Mirëpo, Presheva nuk është e tërë Lugina. Lugina është territor shumë më i madh me sipërfaqe dhe popullatë. Çfarëdo që të jetë madhësia popullative-territoriale e pjesës së mbetur, ajo në pikëpamje biologjike-demografike dhe të emigrimit intensiv do të “shuhet” për pak vite. Vetëm si tërësi Lugina mund të qëndrojë, ashtu siç ka rezistuar Kosova si tërësi këto 100 vjetët e fundit përkundër represionit pushtetor, shpërnguljeve të dhunshme dhe presionit ekonomik. Vetëm si popullatë e madhe dhe territorialisht kompakte kanë rezistuar shqiptarët e Maqedonisë këto 100 vjetët e fundit. Elementi shqiptar në vendbanimet e Prespës dhe rrethinat e Manastirit tashmë është stërholluar aq shumë saqë për pak vite mund të mos ekzistojë!

24. Edhe nëse shkëmbehet Lugina, duke përfshirë hekurudhën dhe autostradën, me veriun e Kosovës, në dukje si përfitim maksimal i shqiptarëve, duhet të peshohet mirë se edhe në këtë variant përsëri del fituese Serbia, sepse veriu i Kosovës posedon pasuri të mëdha minerale dhe ujore dhe kjo duhet të jetë vija e kuqe. Edhe sa i përket madhësisë territoriale Kosova është humbëse nga se hapësira mbi Ibrin ka një sipërfaqe prej 1.002 km², kurse Lugina me rripin shqiptar ka një sipërfaqe prej 434.6 km2. Edhe nëse do të merreshin hekurudha, autostrada dhe Korridori X, pason pyetja: a do të mundë t’i menaxhonte Kosova këto sisteme të mëdha infrastrukturore në një gjatësi prej afër 30 kilometrave në raport me interesat vitale që i ka Serbia me Maqedoninë dhe Greqinë dhe veçanërisht me lidhjen emocionale për hekurudhën?!

25. I pari i shtetit tonë, pas shumë salto mortaleve në harkun kohor prej disa javësh ose disa ditësh, po kërkon edhe referendum që “ta marrë” Luginën e Preshevës, kërkesë konceptualisht krejt konfuze. Mund të kërkohet referendum për t’iu bashkangjitur dikujt, por jo për t’i marrë shtetit tjetër territor ndërkombëtarisht të pakontestueshëm. Një referendum i tillë, pas fait à complit politikës dhe pazareve politike të individëve dhe qarqeve të caktuara jashtë strukturave institucionale të Kosovës, është tejet i rrezikshëm. Me Kushtetutën e Republikës sonë është i ndaluar edhe referendumi, edhe ndarja, edhe bashkimi me një vend tjetër. Ndarja dhe bashkimi janë të ndaluar edhe me vendimet e Grupit të Kontaktit dhe KS të OKB-së. Por “baballarët” e Kushtetutës së Kosovës po heshtin! Referendumi i Kosovës i ndërlidhur me copëtimin e Luginës nuk i duhet as njërës e as tjetrës. Po kërkohet diçka që është vetëm në interesin e Serbisë. Me këtë qasje ndaj kufijve Kosova nga një problem ndërkombëtar po shndërrohet në një problem serb!

26. Pas kësaj mjegullnaje një referendum i ri ndoshta i duhet popullatës së hutuar e të mashtruar shqiptare të Luginës që të sqarohet: dëshiron të mbetet në rezultatet e plebishitit të 1-2 marsit 1992 që Lugina në tërësinë e saj, me madhësi territoriale dhe demografike të tri komunave (1.250 km²), t’i bashkëngjitet Kosovës, ose e copëtuar, me “korrigjimin” e kufirit të bashkohet me Kosovën pa 2/3 e territorit dhe po aq të popullatës së saj dhe natyrisht pa objektet grandioze infrastrukturore – hekurudhën dhe autostradën (Korridori X). Një referendum të domosdoshëm duhet ta organizojë Kosova me pyetjen: dëshiron ta japë veriun e Kosovës, sikundër që edhe serbët e Kosovës në jug të Ibrit, që përbëjnë rreth 70% të numrit të tyre në Kosovë, duhet të pyeten a pajtohen që veriu i Kosovës t’i bashkëngjitet Serbisë? 

27. Plebishiti i shqiptarëve të Luginës ka një historik prej 26 vjetësh, por as që e zunë në gojë ndonjëherë Prishtina dhe Tirana zyrtare, përveç që dy qeveritë më 11 janar 2014 në Prizren morën vendim që t’i ndajnë nga 50.000 euro për objektin e maternitetit në Preshevë, sa para xhepi të një biznesmeni të mesëm (një cinizëm i llojit të vet)! Tirana ua dërgoi përmes institucioneve të Beogradit pas disa viteve, ndërsa ndihma e Prishtinës nuk arriti sot e gjithë ditën, sepse transferimin e pengon Beogradi. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në vitet e ’90-ta morën pjesë në ndihmat solidare dhe ishin pjesë aktive në luftën e Kosovës me regjimin serb (1998-1999), munden edhe pa këto 50.000 euro! Në vitin 2010 qeveria “Berisha” ua akordoi serbëve të Graçanicës 400.000 euro, ndërsa shqiptarëve të Luginës “trashët e Sulës”! Edhe E. Rama pas promovimit të “Kurbanit” në Preshevë më 2012 dhe pas vitit 2014 si kryeministër, përveç retorikës boshe, nuk ofroi asnjë ndihmë për Luginën, madje as tekstet shkollore të premtuara. Të mos flasim për të gjitha qeveritë e Kosovës (H. Thaçi dy mandate kryeministër!). Serbia në veri të Kosovës këto dy dekadat e fundit ka investuar qindra miliona euro!

28. Prishtina zyrtare as në bisedimet e Vjenës 2005-2007, nga të cilat derivuan të gjitha proceset e mëvonshme e as në ato të Brukselit në vitet 2013-2015 le që nuk kërkoi “bashkim” të Luginës me Kosovën, por nuk e kërkoi as reciprocitetin e të drejtave të shqiptarëve me të drejtat e serbëve të Kosovës. Shqiptarët e Luginës, të ikur pas konfliktit 2000-2001 nga frika e përndjekjes, ende kanë problem me dokumentacionin për leje qëndrimi dhe dokumente identifikimi (letërnjoftimet, pasaportat, shtetësia etj.) në Kosovë, duke filluar nga Gjilani, Prishtina, Fushë Kosova etj., ku janë ngulitur në numër më të madh, ndërsa pushteti serb tashmë i ka fshirë nga regjistri civil dhe votues në Luginë. Të gjorët, “të eksportuar” nga Serbia dhe “të importuar” në Kosovë, siç po cilësohen nga disa “analistët politikë” në Kosovë, po përbuzen dhe mashtrohen nga tre “Hazirat” e Vjenës, të njohur si “Elefantët” e Vjenës (L. Haziri, H. Thaçi, N. Daci), secili për një interes krejtësisht personal! Përmes “korrigjimit” të kufirit këta tre sot po kërkojnë “bashkimin” e Luginës me Kosovën, më saktësisht ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e Luginës, madje pa dhënë asgjë në veri të vendit. Ta marrësh Luginën e të mos japësh asgjë është në anën tjetër të arsyes dhe një hipokrizi e shekullit! (Vuçiqi do të thoshte: “malo morgen”!). Në Vjenë grupi negociator (2005-2007), i papërgatitur dhe inferior, ishte i madh, por asnjëri nuk e tha asnjë fjalë të vetme për shqiptarët e Luginës, madje as për t’i amortizuar privilegjet e serbëve, më të mëdhatë në botë si pakicë etnike. “Kaçaku” i vetmuar, Haziri ka 15 vjet që abuzon me ndjenjat e shqiptarëve të Luginës, ndërsa njëri nga “Elefantët” e Vjenës, atëherë kryetar i Parlamentit të Kosovës, sot shumë aktiv me retorikën krekosëse të mbështetjes të të parit të shtetit për qëllime karrieriste, është nga Lugina!

29. Kufijtë i dikton “i forti”, në këtë rast Serbia me aleatët, ndërsa aleatët tanë sugjerojnë që të mos preken kufijtë. E arritura më e madhe këtë shekullin e fundit është çlirimi, pavarësia dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës në kufijtë ekzistues, në madhësinë territoriale prej 10.905 km2. Gjymtimi i territorit të Luginës është varianti më i keq i mundshëm, sikundër që është tragjike shkëputja e veriut të Kosovës, me resurse të mëdha minerale dhe ujore! “Korrigjim” i kufirit do të thotë “bashkimi” i copave të marra nga Lugina me Kosovën. Pjesa e mbetur, më e madhja me territor (2/3), me popullatë dhe resurse, si dhe me objektet e mëdha infrastrukturore - hekurudhën dhe autostradën (Korridori X) do të mbeten në Serbi!

30. Me ndërrimin e madhësisë territoriale dhe formës së hartës së Kosovës hapet mundësia për tërheqjen e njohjeve nga disa vende me të cilat Serbia ka raporte tradicionale të bashkëpunimit, si dhe për rihapjen çështjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Rrjedhimisht Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe multietnik si projekt amerikan, i mbështetur nga BE-ja, vështirë se do të ekzistojë: do të shpërbehet! Ndoshta ky është qëllimi kryesor i arkitektëve të “korrigjimit” të kufirit në relacion Beograd -Tiranë - Prishtinë (Vuçiq – Rama - Thaçi), të mbështetur nga individë të huaj me ndikim politik dhe financiar dhe qarqe ndërkombëtare proserbe. Mund të jetë dhe një skenar tjetër ogurzi: nën parullën e “korrigjimit” të kufijve të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive dhe të shpallet një autonomi territoriale-politike për serbët në veri të Kosovës. Pas dështimit të “korrigjimit” të kufirit  “Shpëtimtari” do të dalë të thotë: u bë Asociacioni dhe “autonomia” e serbëve nën presion të faktorit ndërkombëtar, por e shpëtova copëtimin e Kosovës. (Fundi i fejtonit).

Shkruar nga : Akademik Hivzi ISLAMI  dhe Dr. Prof. Arsim EJUPI 

Elaborat për kufijtë Kosovë"’Serbi   

 

“Korrigjimi” i kufirit dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën, lojë e dëmshme dhe e rrezikshme (1)

Pesë fazat e përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet shteteve (2)

 

 
Sa shqiptar i ka veriu i Kosovës e sa Lugina e Preshevës?
Pesë fazat e përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet shteteve (2)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration