Rexhep Ismajli anëtar i jashtëm nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës
Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i jashtëm nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikws. Njoftimin e ka bërë të mërkurën kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton.“Ky nderim shënjon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”, shkruan në njoftim.
Akademia e Arteve dhe e Shkencës e Amerikës është themeluar më 1780 nga disa nga themeluesit e SHBA-së, Benjamin Franklin, John Adams, Thomas Jefferson e George Washington.
Në mesin e anëtarëve të saj janë mbi 200 fitues të Çmimit Nobel dhe të Çmimit Pulitzer.
Ndër emrat më të njohur që kanë qenë anëtarë të kësaj Akademie janë edhe Charles Darwin, Albert Einstein, Alexandar Graham Bell, Winston Churchil, Akiro Kurosawa, John Updike e Nelson Mendela. Në mesin e anëtarëve që janë pranuar sivjet është edhe ish-presidenti amerikan Barack Obama.
Akademik Ismajli do të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit në Cambridge, Massachusetts, në tetor të këtij viti.
Rexhep Ismajli (1947) është gjuhëtar, student i Andre Martinet-së në Paris, profesor i Universitetit të Prishtinës. Anëtar i ASHAK-ut është që nga viti 1993.
Në janar të këtij viti ai është zgjedhur edhe anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA) që është institucioni më i rëndësishëm shkencor për çështje të gjuhësisë, duke qenë autoriteti i vetëm nga Evropa Juglindore i zgjedhur në këtë institucion.