PVD thyen heshtjen, urgjentisht të zgjidhet kriza e pushtetit lokal në Preshevë
Lokale

PVD thyen heshtjen, urgjentisht të zgjidhet kriza e pushtetit lokal në Preshevë

06.Mar.2017 17:18
0
Këshilli për Informim i Partisë për Veprim Demokratik ka lëshuar për opinion një kumtesë lidhur me situatën e krijuar mes koalicionit APN-PVD në Preshevë.

"Janë të papranueshme tentimet për blerjen e këshilltarëve të partive tjera me anë të ofrimit joligjor dhe joparimor të vendeve të punës të siguruara nga ana e strukturave shtetërore. Me këtë rast u konstatua se në këtë mënyrë po eskalon thyerja e parimeve themelore në të cilat ishte bazuar Marrëveshja parimore APN - PVD për ndërtimin e koalicionit qeverisës, pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe u paraqitën problemet serioze që po e pengojnë realizimin e kësaj Marrëveshjes të nënshkruar më 26 prill 2016", thuhet në kumtesën e PVD-së.

 

Kjo është kumtesa e plotë e PVD-së: 

 

Në kryesinë e degës së Partisë për Veprim Demokratik në përbërje të zgjeruar u shqyrtua kumtesa e Alternativës për Ndryshim e 25 shkurtit me të cilën opinioni u njoftua se tre këshilltarë të Partisë Demokratike Shqiptare kanë kaluar në rradhët e grupit të këshilltarëve të APN - së. Me shqetësim të posaçëm u shqyrtua edhe paralajmërimi i APN - së se në këtë parti po pritet të aderojnë edhe këshilltarë tjerë të Kuvendit Komunal të Preshevës.

Kryesia e PVD - së vlerson se janë të papranueshme tentimet për blerjen e këshilltarëve të partive tjera me anë të ofrimit joligjor dhe joparimor të vendeve të punës të siguruara nga ana e strukturave shtetërore.

Me këtë rast u konstatua se në këtë mënyrë po eskalon thyerja e parimeve themelore në të cilat ishte bazuar Marrëveshja parimore APN - PVD për ndërtimin e koalicionit qeverisës, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Në këtë mbledhje u analizuan problemet serioze që po e pengojnë realizimin e kësaj Marrëveshjes të nënshkruar më 26 prill 2016.

Që në fillim të realizimit të kësaj marrëveshje u paraqit problemi drastik kur udhëheqësit e drejtorateve në administratën komunale të propozuar nga APN u angazhuan me kontratë në vepër sepse nuk i plotësonin kushtet e domosdoshme ligjore.

Kryetari i komunës i zgjedhur nga 11 këshilltarët e APN - së dhe 10 këshilltarët e PVD - së prej fillimit të mandatit të tij, duke e vazhduar edhe pas zgjedhjeve fushatën parazgjedhore të APN - së, në vazhdimësi e injoroi zëvendës kryetarin e komunës dhe kryetaren e Kuvendit Komunal të Preshevës.

Duke e margjinalizuar totalisht Këshillin komunal, kryetari i komunës me forma antiligjore është duke pruar vendime që po e dëmtojnë shumë rëndë buxhetin e komunës.

Në këtë mënyrë nga 60 milion dinarë të parapara me buxhetin e komunës për rikonstruimin e rrugës "Karposh", kryetari i komunës nënshkroi kontratë në lartësi prej 86 milion dinarë duke imponuar prokurim joligjor vetëm me një ofertues!

Edhe përskaj premtimeve bombastike për zhvillim ekonomik po vazhdon praktika e gjertanishme që pjesa dërmuese e buxhetit të harxhohet në asfaltime me procedura diskriminuese dhe monopolistike.

Ky harxhim i pamëshirshëm i buxhetit po zhvillohet në kushte kur shkollat tona po e zhvillojnë mësimin në kushte katastrofale në të cilat në formë drastike po rrezikohet shëndeti dhe jeta e fëmijëve tanë, madje edhe në kushte, kur pas 55 viteve rreth 1500 nxënës në shkollën fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi" nuk kanë as sallë për edukatë fizike.

Raportet në mes të partnerëve të koalicionit u ashpërsuan posaçërisht gjatë përgaditjes së buxhetit për vitin 2017, me ç'rast në mungesë drastike të transparencës kryetari i komunës nuk i respektoi as afatet ligjore e as shumicën dërmuese të propozimeve të partnerit të koalicionit.

Tensionimet në funksionimin e koalicionit qeverisës u intensifikuan kur kryetari i komunës filloi të insistoj në likuidimin e Organizatës për kulturë fizike, të RTV Preshevës dhe të Fondit Humanitar, e posaçërisht kur gjatë dhjetorit në formë ultimative e imponoi largimin nga rendi i ditës të seancës së KK të Preshevës me të cilën ishte paraparë harmonizimi me ligjin e sportit të Organizatës për kulturë fizike.

Opinioni tanimë është i njoftuar për problemin e parë që u paraqit në mes të partnerëve të koalicionit lidhur me rastin banal të uzurpimit të koridorit të Shtëpisë së Shëndetit për zyren e zëvendës drejtorit të imponuar nga kryetari i komunës.

Gjithashtu mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit u paraqitën edhe rreth çështjes së binjakëzimit me një komunë të Republikës së Turqisë. Pas iniciativës së zëvendës kryetarit të komunës që me nënshkrime të këshilltarëve të kërkohet rradhitja në rend të ditës së seancës së ardhshme të KK binjakëzimi me një komunë të Bursës, kryetari i komunës u kërcënua që po e përgaditë gjithashtu me nënshkrime të këshilltarëve iniciativën për shkarkimin e zëvendës kryetarit të komunës.

Është e domosdoshme të theksohet se e vetmja iniciativë konkrete për hapjen e ndërmarrjes me 60 punëtorë në bashkëpunim me një firmë të Jagodinës u bllokua nga ana e kryetarit të komunës, sikur që për shkak të qëndrimit të tij refuzues ekspertët e fondacionit italian u detyruan të kërkojnë zgjidhje në komunën e Bujanocit për problematikën e reciklimit të mbeturinave.

Njëkohësisht kryetari i komunës nuk pranoi që në Këshillin komunal të shqyrtohet zgjidhja e problematikës së barnatores në Preshevë.

Kryesia e degës së PVD - së në përbërje të zgjeruar në mbledhjen e të shtunës më 04.03. konstatoi se urgjentisht duhet të zgjidhet kjo krizë dhe të sigurohet sa më shpejtë udhëheqja stabile në funksionimin e pushtetit lokal në komunë të Preshevës.

Në Preshevë, 06.03.2017
Këshilli për Informim i
Partisë për Veprim Demokratik

Në takimin Nishani-Vuçiq në Tiranë u fol edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Dita e mësuesit festohet edhe në Bujanoc e Preshevë, 1213 mësues në shkollat shqipe
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration