PVD fton në protestë kundër ndërrimit të drejtorëve të shkollave
Partia për Veprim Demokratik (PVD) në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të degës për komunën e Preshevës ka diskutuar për masat e “dhunshme” që sipas këtij subjekti, Kuvendi Komunal i Preshevës po i përgatit ndaj dy shkollave.
Në kumtesën e lëshuar, PVD konstaton se me procedura antiligjore, me presione, me kushtëzime dhe shantazhe të para deri më tani vetëm në kohën e diferencimeve politike, udhëheqja aktuale e pushtetit lokal po mundohet dhunshëm t’i ndërrojë këshillat drejtuese dhe drejtorët në këto shkolla.
“Është shumë indikativ agresiviteti dhe arroganca e udhëheqjes së pushtetit lokal për t’i ndërruar dhunshëm drejtorët e shkollave në kushte kur me vite të tëra Kuvendi i Preshevës nuk e ka shqyrtuar asnjë nga problemet shumë të ndjeshme të shkollave të kësaj komune”, thuhet në kumtesën e PVD-së, transmeton Titulli.com.
Ky subjekt politik duke parë këtë situatë ka vendosur që t’i ftojë të gjithë arsimtarët dhe prindërit dhe të gjithë qytetarët e kësaj komune që të marrin pjesë në tubimin protestues para Kuvendit Komunal të Preshevës të hënën, 8 qershor, në ora 12:00.
“Pjesëmarrja masovike në këtë tubim protestues është në funksion jo vetëm të mbrojtjes së shkollës fillore “Profesor Ibrahim Kelmendi” dhe shkollës fillore “Migjeni”, por do të jetë kontribut shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e shkollës shqipe në Luginë të Preshevës”, nënvizohet në kumtesë.
Në këtë tubim protestues do të iniciohet nënshkrimi i peticionit për zgjidhjen e problemeve të rënda arsimore në Luginë të Preshevës. /Titulli.com/