Programi kombëtar shqiptar
Vështrime

Programi kombëtar shqiptar

01.Mar.2014 11:21
0
Të gjitha analizat dëshmojnë se faza e komprometimit të pushtetit serb ka përfunduar. Në këtë fazë njëherësh janë komprometuar rusët dhe shumica e qeverive evropiane sepse ato pas Dejtonit i ngritën sërish ambasadat në Beograd. Shkruan: Prof. Dr. Hakif Bajrami Hakif Bajrami   Kështu edhe njëherë SHBA-të, treguan se janë me meritë superfuqi, jo vetëm ekonomike, por edhe morale demokratike. Në këto rrethana, kundërthëniet në Beograd, kanë sheshuar nevojën e ndërrimit të sistemit postfashist në Serbi. Prandaj, orientimi i Serbisë kah një juntë eventuale ushtarake (si dëshirë e kamotshme italiane), në Rusi po shpjegohet si tragjedi e shekullit, sepse frikësohen edhe vetë. E do vendi që ta forcojmë mendimin se shqiptarët pikërisht tash duhet të zgjohen nga gjumi, dhe të vënë çmimin e luftës së tyre paqësore në sprovë. Për këtë çmim u prononcua e tërë Lëvizja politike shqiptare. Shumë historianë amerikanë po përpiqen që ta shpjegojnë Bashkimin Evropian si një “iluzion”. Por konfrontimi në Kosovë, për bashkimin e shqiptarëve, në anën tjetër, po e shpjegojnë si një shans të shekullit. Shqiptarët për këtë shans duhet nxitur dhe përkrahur. Ajo nxitje mund të ishte prej së larti poshtë, por më së miri do të ishte prej së poshtë lart. Por, një aksiomë dihet, sakrifikimi nuk do të mungojë. Nëse në rrënimin e hapësirës unike jugosllave,është prishur “baraspesha”, nëse ata që paguajnë dhe paguhen duhet t`i ndryshojnë letrat, mendoj se duhet të vazhdohet rruga kah Evropa, por edhe kah qendrat e fuqisë që posedojnë arin e zi, që do të ndikojnë të paktën edhe një çerek shekulli në rrjedhat e historisë. Problemi është pra, si të bëhemi pjesë e globalizmit ekonomik, por edhe si të shkëputemi si pjesë e posaçme e atij globalizmi. Si mund të nxirret shpirti patriotik në Kosovë kur shqiptari në çdo aspekt po poshtërohet dhe po plasohet si krijesë, e cila “nuk dëshiruaka të drejtat e veta elementare?!”. Këtë hipokrizi qeveritë evropiane e promovuan me rastin e ngritjes së marrëdhënieve të tyre në nivel të ambasadave si më parë. Ato thanë se Beogradi i ka plotësuar të gjitha kërkesat e paqes së Dejtonit dhe të standardeve të të drejtave ndërkombëtare. Serbia zyrtare nuk është duke e kuptuar se sot superfuqitë, po luajnë edhe në kurrizin e saj. Sot politika italiane, në anën tjetër, po përpiqet që përmes “përkrahjes” dhënë Serbisë, ta shkatërrojë këtë popull deri në fund, sidomos përmes luftës qytetare. Çka ishte prononcimi i Lamberto Dinit me falsifikimin e zgjedhjeve në Serbi, përpos që të përkrahë marionetën dhe kështu në vend të demokratizimit në tërë Ballkanin, të mbretërojë frika dhe rreziku për luftë totale, pas së cilës Italia do të largonte Rusinë prej Adriatikut njëherë e përgjithmonë. Këtu qëndron dëshira italiane që robëria në Kosovë të zgjatet deri në pafund. Pozicioni gjerman në viset shqiptare, është bërë rast i ri, për t`u vënë krimet e fashizmit edhe në një poligon lufte si hije e krimeve gjatë viteve 1939-1945. Megjithëkëtë shqiptarët, mendoj se duhet ta shfrytëzojnë, “Kartën turke”, dhe të mos frikësohen prej lirisë. Në këtë kartë, sidomos po frenojnë grekët përmes Tiranës dhe Moskës, duke propaganduar se “lufta në Kosovë, do të ishte katastrofale, prandaj shqiptarët në interes të paqes, duhet të durojnë”. Kërkesa programatike shqiptare e shtron problemin ndryshe. Shqiptarët duhet të veprojnë. Sot superfuqitë po identifikohen me dominime edhe më të egra, kur eksploatimi dhe çështja nacionale mbulohen me njëfarë demokracie politike fiktive ligjore, kur askush nuk çanë kokën se liria nacionale nuk është çështje ligjore, as paqe e kodifikuar, por plagë e rëndë e pazgjidhur, që rrezikon të shndërrohet në kancer evropian. Sot në Evropë më tepër flitet për afera dhe shantazhe sesa për bashkim të mirëfilltë ekonomik, politik dhe kulturor, teknologjik, shkencor dhe projektuese që të varfrit dhe të pasurit të identifikohen në rrafshin e begatisë me punë. Lidhur me këtë, në shumë raste, në Kosovë sot mund të ndihen profetë parapolitikë, se nuk mund të ekzistojë një Evropë e bashkuar dhe një Kosovë në geto. Por, se një gjë e tillë është shumë e mundshme dëshmoi pikërisht realiteti kosovar qe shtatë vjet kur u tolerua aparteidi klasik, ku një pakicë 8% serbësh e sundon një shumicë prej 92% shqiptarësh. Pse Evropa e lejoi një Republikë Serbe me krime të papara në Bosnjë kur atje serbët ishin 33%. Pse kroatët në Bosnjë ishin 17% por u lejua të mbeten komb. Atëherë si mund të “identifikohet fakti se shqiptarët në Maqedoni janë 42%, por ata, vetëm pse i identifikoi komunizmi si pakicë, pse qenkan shqiptarë, u dashka të mbeten pakicë kombëtare të varur prej dofarë maqedonasve që shkencërisht nuk mund të vërtetohet se janë komb i posaçëm. Deri kur diplomacia evropiane do të sillet me dy fytyra ndaj shqiptarëve? Deri kur shqiptarët të mbeten si kusur i paqes dhe i interesave të të huajve? Deri kur partitë tona do ta gënjejnë popullin “po na përkrah ky apo ai shtet evropian”, kur Evropa ndarjen tonë po e sakrifikon. Sot sërish duhet ta shprehim publikisht, se disa qeveri evropiane në çështjen shqiptare po përdorin ende letrën e luftës së ftohtë dhe të teorisë së komploteve. Prandaj, kanë filluar me të gjitha mjetet për të luajtur me filozofinë e kastave dhe të “fundamentalizmit” të Kosovës. Ç`është e vërteta, këtë fenomen e kishin hetuar edhe studentët e Prishtinës, prandaj me të drejtë iu drejtuan këto ditë opinionit shqiptar me pyetjen: KU JENI, kah po shkon politika e konformizmit dhe e shumë diletantëve të vetëzgjedhur?! Si përfundim, nëse Evropën e bashkon pasuria dhe liria politike, ku pakica mund të shajë dhe të fyejë gjithë ditën, por në mbrëmje e ka të qartë se do të mbetet në terr të padrejtësisë, atëherë shqiptarët mbi gjysma e kombit si “pakicë” që u dashka të mbetet e urtë në robëri, a duhet ta quajnë durimin burg të  “arsyes” irracionale kolektive. Jo, nuk ka logjikë që sot mund ta shpjegojë pozitën e shqiptarëve si identifikim me “bashkimin” evropian, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të nëpërkëmbur, më të ndarë, më të nënçmuar dhe më të shtypur. Në këtë kaos, zgjimi politik, nëse sjell freski politike e jo përçarje, qoftë bekuar prej popullit dhe prej Zotit. Të tjerët nuk guxojnë të zhgënjehen. Evropa për ne mbetet ajo e vjetra: identifikim tragjik që mbjell padrejtësi. Së këndejmi konsideroj se politika shqiptare duhet të lidhet funksionalisht me orientimet strategjike të SHBA-ve. Strategjia e SHBA-ve në TRI pika: NATO, KINA dhe Lindja e Afërme i orienton shqiptarët që përmes lidhjeve me pikën e tretë (Lindje e Afërme) të sigurojnë mbështetje të fuqishme në Uashington. Cila është ajo rrugë që të imponohemi përmes Lindjes së Afërme e dinë të gjithë shqiptarët si miq të vjetër të Amerikës dhe të Gjermanisë. Por a duhet t`i imponohemi Turqisë mendoj se të gjitha orientimet e zhvillimit na drejtojnë kah një pohim pozitiv, sepse duhet llogaritur se në atë shtet jetojnë si qytetarë lojalë rreth 5 milionë shqiptarë, të cilët paraqesin faktor të rëndësishëm në kundërthëniet ballkanike kurdo që e kërkon nevoja. Përmes miqve të miqve do ta ofrojmë dhe racionalizojmë faktorin ndërkombëtarë që ta përkrah zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ai faktor (i jashtëm) së bashku me faktorin vendimtar të brendshëm, sajojnë shansin për zgjidhjen e çështjes shqiptare. (FUND) (I përpiluar më 1992-1993, i botuar më 1997 si libër. Ribotohet për çështje aktuale politike dhe gjeostrategjike në Ballkan dhe Evropë.)
G37-a, peticioni i “akademikëve” pro Qoses, peng i së kaluarës së tyre
Në 22 vjetorin e Referendumit, shqiptarët e Luginës së Preshevës më keq se kurrë!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration