G37-a, peticioni i “akademikëve” pro Qoses, peng i së kaluarës së tyre
Vështrime

G37-a, peticioni i “akademikëve” pro Qoses, peng i së kaluarës së tyre

02.Mar.2014 17:53
0
Një letër e çuditshme ka qarkulluar dje në formën e peticioneve a letrave të ngjashme me kohët kur vdiste Stalini apo biri i tij, Enveri. Një njeri i diskredituar e pa ndikim në Kosovë si Rexhep Qosja, mbrohej dje nga disa të ashtuquajtur “akademikë” plus grupin “të ndryshëm”. Në pjesën më të madhe ky grup nuk është një tjetër veçse grup i disa enveristëve që gjithë jetën kanë shijuar privilegjet e regjimit dhe në demokraci kanë qenë stoikë në falsifikimin e historiografisë së Shqipërisë, të cilët e lexojnë gjithnjë me syze enveriste. Letra e G37 (37 nënshkruesve) është bërë në atë formë sikur e gjithë Kosova e ka mendjen te Qosja dhe ky si fakir, mezi po del në rrugë e mezi po mbrohet. A thua Rexhepi është lidhur dhe po masakrohet për hermetizmin e tij. Gjëra nga më qesharaket. Rexhep Qosja është përdorur në 20 vitet e fundit si agjitator i dobët komunist në ndihmë të së majtës së Shqipërisë. Fakti se emri i tij nderohet nga qarqe ekstremist komuniste, lidhja natyrale me Beogradin, lë gjithnjë dyshim të fortë se kujt i shërben në të vërtetë Rexhp Qosja. Nëse disa shoqata komuniste nderojnë Rexhep Qosjen, kjo nuk vjen nga formimi i tij apo vepra, por nga artikulimi i tezave enveriste e titiste në tregun e sotëm mediatik. Nuk është rastësi që për Rexhep Qosjen, djegia e Shqipërisë në vitin 1997 u quajt “revolucion i vonuar demokratik”, kjo sepse në botëkuptimin e Qosjes revolucioni bolshevik është ai që çon përpara shoqërinë. Për Qosjen nuk kishte fare rëndësi fakti se tresimboli serb u shfaq te sheshet e Shqipërisë në vitin 1997 si simbol i “revolucionit demokratik”, mjaftonte që në pushtet të mos ishte më e djathta. Për çfarë bëhej fjalë, që u desh letra e grupit G37? Akademik Hivzi Islami, kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës ka kritikuar në thelb dy gjëra te Rexhep Qosja: enverizmin e tij dhe qëndrimet në kohë të ndryshme kundër interesave kombëtare. A thua Rexhepi ishte monument kulture, ka vënë menjëherë në punë grupin “na bashkoi Rexhepi” për të sokëllyer e mbrojtur idhullin e tyre. “Akademikët” tanë në rolin e instruktorëve janë bërë orientues të debatit. Ata i mësojnë Hivzi Islamit se ku duhet t’i drejtojë pyetjet e tij dhe në çfarë mënyrë duhet t’i bëjë ato. Do ishte e drejtë që nënshkruesit shqiptarë t’ia kishin bërë Rexhep Qosjes më parë këtë letër ku t’i tërhiqnin vëmendjen për trazimet e tij në politikën e Shqipërisë. Por ata si pjesë e amalgamës enveriste nuk mund ta bëjnë atë. Qosja nga ana e tij vepron në një territor të ngushtë në Kosovë, vend ku enverizmi nuk gjen shtrat në nivelin intelektual. Ai vuan prej vitesh mospërfilljen që i bëhet në Kosovë. Sado të shpallet Rexhep Qosja qytetar nderi i ndonjë fshati komunist në Shqipëri, as i hyn njeriu në punë dhe as ia mat njeri vlerën me këtë metër. Letërmbrojtësit e Qosjes kanë marrë përsipër të jenë “përfaqësues e opinionit publik”. Si Enveri dikur që fliste në emër të popullit. Publiku shqiptar nuk është bërë “dëshmitari i sulmit mediatik” të Qosjes, siç thotë letra e G37, por në fakt është kënaqur që Qosjes iu thanë disa të vërteta ashtu siç e meriton ai. Vini re letrën e G37: “Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, nuk mund të mos shprehim keqardhjen tonë për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, me një gjuhë dhe fjalor të papajtueshëm me normat e etikës profesionale dhe të moralit akademik”. Në ka njeri që ka dalë jashtë debatit shkencor, që është marrë me “revolucione demokratike”, me “burgosje të 21 janarit”, të lëvdatave pafre të një krimineli si Enver Hoxha, të hedhjes së insinuatave personale, etj, etj, etj, ky është vetëm Rexhep Qosja. Regjimi komunist ka pasur një teknikë që e përdorte shpesh: atë të ngritjes së një individi në bazë të lëvdatave të pamerituara. E gjithë klasa komuniste, bazamenti i saj nostlagjik nuk ishte shumë ndryshme nga ajo politike, madje ishte produkt i saj. Ishte kunati i këtij, baxhanaku i atij, krushku i këtij, etj. Ishte një klasë uzurpatore, e bazuar në krimin komunist. Ngrinin njëri – tjetrin, mbanin njëri – tjetrin, etj. Ishin shumë larg studimit, edhe aq pak sa studionin i kishin kushtime për regjimin. Ishte fatkeqësi e madhe për vendin që me rënien e komunizmit, nuk ra edhe kjo klasë sa nostalgjike aq edhe parazite. Në gjithë këto vite ajo ka dëshmuar seriozitet në dy gjëra: përkushtim enverist dhe solidaritet në rroga e pensione. Prandaj kjo klasë respekton Rexhep Qosjen. Sepse sheh te ai bazamentin enveristo – titist, i cili për ta duhet të jetë i paprekshëm. Në një raport të viteve të shkuara për vizitën e Rexhep Qosjes në Shqipëri thuhej: “Ai pranon se në studimet e tij ka mjaft naivitete dhe mendime që mund të rrëzohen, por vë në dukje se qëllimi i tij ka qenë gjithnjë i mirë: të nxjerrë në pah traditat e letërsisë sonë të së kaluarës dhe të pohojë forcën krijuese artistike të popullit shqiptar në ditët e sotme. Në studimet e tij dhe në takime me shokë të ndryshëm, ai ripohoi se “s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist – leninist” se do të mundohet të zbatojë metodologjinë marksiste – leniniste, pavarësisht se sa ia arrin kësaj gjëje.  Rexhep Qosja tha se krahas përparimeve të mëdha në lëmin ekonomik e kulturor, atij i ka bërë përshtypje të veçantë fakti që në Shqipëri ka ndryshuar dhe fizionomia e njeriut, është formuar njeriu i ri, me tipare të reja. Në mënyrë të veçantë lëvizjet për çrrënjosjen e besimeve fetare dhe për çlirimin e plotë të gruas, ai i çmonte si ngjarje të një rëndësie të madhe. ‘Është shumë domethënëse, tha ai që Shqipëria është vendi i parë në botë pa kisha e pa xhami. Feja, tha ai, topit dhe çorodit ndërgjegjen e popullit, kurse për fat të keq në Kosovë ka ende një ndikim të fortë; atje ka ende medrese dhe gjenden njerëz të cilët në vend që kursimet e tyre t’i falin për të ngritur një shkollë, i përdorin për të shkuar në Qabe”. Rexhep Qosjen në Shqipëri sot nuk e mban mend njeri përveçse për “revolucionin e vonuar demokratik”, rolin si komentator i “Zërit të Popullit” apo bijave të tij. Shpesh herë bëhet pyetja: cila është vepra e Rexhep Qosjes. Natyrisht këtu nuk hynë në diskutim librat e tij të kohës së Titos apo analizat politike të mbushura veç me mllef e enverizëm. Nga Gazeta 55 
Lugina e Preshevës rast humanitar apo kombëtar...?
Programi kombëtar shqiptar
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration