Presioni ndaj portalit Titulli, ndërhyrje dhe trysni ndaj medias së lirë
Këshilli për të Drejtat e Njeriut që vepron në Luginë të Preshevës ka reaguar ndaj presioneve që po i bëhen Portalit Informativ-Titulli.
“Këshilli për të Drejtat e Njeriut dënon presionin e Drejtorit të Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc, Arsim Asllani ndaj portalit “Titulli.com”, për shkak të një postimi të mediumit përkatës, të botuar nëpërmjet profilit të tyre në rrjetin social, më datën 12 korrik 2015”, thuhet në reagimin e Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc e Preshevë.
Sipas KDNJ-së, reagimi i Asllanit paraqet ndërhyrje dhe trysni direkte ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj së drejtës së gazetarëve për të informuar, të garantuar me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
KDNJ fton zyrtarët institucional dhe përgjegjësit e mediave, të veprojnë në kuadër të normave ligjore dhe të respektimit të kodit etik të veprimtarisë së tyre profesionale.
Ky medium, si dhe kryeredaktori i saj Argjent Goga, po i nënshtrohen kërcënimeve të cilat tashmë janë paraqitur edhe në polici. /Titulli.com/