Presheva pret nga 3000 refugjatë në ditë
Në tre ditët e fundit është rritur dukshëm vala e refugjatëve dhe emigrantëve në Serbi, ndërsa sipas të dhënave flitet se në 24 orët e fundit në Preshevë nga Maqedonia arritën rreth shtatë mijë njerëz.Për shkak të motit me shi, refugjatët mbërrijnë në Preshevë me rroba të lagura dhe këpucë me vete. Ende një numër i madh i fëmijëve janë të sëmurë, dhe ka njerëz në karrocë invaliditeti. Ata janë të mbuluar kryesisht me najlon, dhe presin me orë të tëra ti nënshtrohen procedurës së aplikimit për qëndrim të lirë në Serbi.
Situata e refugjatëve para Qendrës së pranimit në Preshevë natën e kaluar dukshëm është rënduar pas mungesës së energjisë elektrike.
Gjatë natës në Qendrën e pranimit të Komisariatit për refugjatë dhe migrim, Serbia ka regjistruar rreth dy mijë persona, kryesisht shtetas të Sirisë dhe Afganistanit, raporton aa.
Sipas Valon Arifi, nga Zyra e Rinisë në Preshevë në kuadër të programit të UNHCR-së për ndihmë të refugjatëve, prej në mëngjes dhjetëra refugjatë presin para Qendrës së pranimit për t'u regjistruar. Ai vuri në dukje se sipas informacioneve të UNHCR-së në Greqi, në dhjetë ditët e ardhshme pritet një valë deri në tridhjetë mijë refugjatë.
"Që nga dita e djeshme kanë ardhur rreth shtatë mijë njerëz. Mbrëmë ishte e vështirë për këta njerëz të presin në radhë, sepse gjithë ditën ka rënë shi. Kolegët nga Greqia na informuan se në dhjetë ditët e ardhshme pritet të vijnë tridhjetë mijë njerëz", tha Arifi.
Siç ka pohuar ai, refugjatët nga Lindja e Afërt dhe vendet tjera aziatike dhe afrikane edhe më tej vazhdojnë të udhëtojnë me autobusë, nga Presheva deri në Shid prej ku hyjnë në Kroaci.
Rreth dhjetë për qind e atyre që kanë arritur në jug të Serbisë, kryesisht afganë, me taksi dhe tren shkojnë në Beograd, prej ku vazhdojnë udhëtimin.
Kryqi i Kuq vazhdon të ofrojë ndihmë për refugjatët dhe emigrantët, dhe sipas Sekretarit të Kryqit të Kuq në Preshevë, Ahmed Halimi, të shtunën u ndanë më shumë se 1500 ushqime.
"Fluksi i njerëzve është aq i madhe sa që dje Kryqi i Kuq i Preshevës shpërndau më shumë se tre mijë ushqime. Numri i njerëzve është rritur në mënyrë dramatike. Tani neve edhe energjia elektrike po na krijon problem shtesë, por ne jemi duke u përpjekur për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për këta njerëz", tha Halimi. /Titulli.com/