Vështrime
Pragmatizmi në funksion të integrimeve në BE
Kah fillimi i shkurtit të këtij viti, si pasojë, qeveria e Serbisë, përmes Trupit koordinues, kishte filluar një nismë të re të raporteve me shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke tentuar që bashkërisht të paraqesin një dokument të kërkesave të shqiptarëve të këtyre komunave për tejkalimin e krizës e cila kishte eskaluar me lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së.
Shkruan: Shaip Kamberi
Pas aprovimit të “Platformës së masave urgjente për avancimin e të drejtave të shqiptarëve“ nga ana e Kuvendit të Këshilltarëve shqiptarë (KKSH), kërkesat nga ky dokument kanë kaluar edhe në qeverinë e Republikës së Serbisë, e cila i ka pranuar ato si të arsyeshme. Si vazhdim i një procesi të ri politik që duhet të fillohet për Luginën e Preshevës, kishte lindur ideja që deri më 15 korrik përfaqësuesit institucionalë dhe politikë shqiptarë t’i takojë vetë kryeministri serb Ivica Daçiq.
Por, edhe pa filluar përgatitjet për një takim të këtillë të mundshëm, më 2 korrik, këta përfaqësues shqiptarë i takon zv/kryeministri serb, aktualisht njeriu më me pushtet në Serbi, Aleksandar Vuçiq. Në takim ishin përsëritur kërkesat e mëhershme të shqiptarëve, të përfshira edhe në dokumentet politike të aprovuara nga KKSH. Vuçiq, nga ana e vet kishte treguar gatishmëri të “bisedojë për çdo çështje veç atyre që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Serbisë“.
Në pritje të takimit me kryeministrin serb, nga i cili, sigurisht do të dëgjohen qëndrime të njëjta, shtrohet pyetja pse përnjëherë Lugina e Preshevës erdhi në agjendën e interesimit të udhëheqësve më të lartë serb? Është fjalë për demokratizimin e tyre apo kemi të bëjmë me pragmatizmin e nevojshëm në këtë fazë të procesit të integrimit të Serbisë në BE? Janë këto takime të vullnetit të mirë apo ato vijnë si presion i Bashkësisë ndërkombëtare?
Në Luginë të Preshevës, Serbia ka nisur një proces politik të zgjidhjes së problemeve që nga viti 2001, rezultatet e të cilit janë zhgënjyese. Prandaj, edhe kjo iniciativë, nëse bazohemi në përvojën e së kaluarës nuk jep shumë shpresë për optimizëm. Por, njëkohësisht, duket se Serbia, më shumë se kurrë është e interesuar për t’u integruar në BE, kriza e gjithmbarshme që e ka kapluar atë, e detyron që të jetë më produktive në reformat e filluara.
Sa i përket dokumenteve të brendshme të Serbisë, është “Programi nacional për integrimin e Serbisë në BE” ai që përcakton obligimet dhe detyrat e Serbisë për t’i plotësuar kriteret ekonomike dhe politike të anëtarësimit në BE (kriteret nga Kopenhaga dhe Madridi).
“Programi nacional për integrimin e Serbisë në BE është njëri ndër dokumentet kyçe të Republikës së Serbisë në vitet pasuese. Ai do të jetë jo vetëm mjet koordinimi i reformave në rrugën e saj drejt BE-së dhe bazë për hartimin e planeve vjetore, por, edhe informatë transparente dhe mirë e përgatitur për reformat e planifikuara, i cili i dedikohet Komisionit evropian dhe shteteve anëtarë të BE-së, në njërën anë, dhe opinionit të brendshëm në Serbi, në anën tjetër”, thuhet në hyrjen e këtij dokumenti strategjik të qeverisë së Serbisë, i cili paraqet bazën e gjithë aspiratave të saj në rrugën e integrimeve në BE.
Në bazë të këtyre dokumenteve Serbia më 22 dhjetor 2009 ka paraqitur kërkesën e vet për anëtarësim në BE, ndërsa, së fundi Komisioni Evropian ka dërguar Serbisë Pyetësorin i cili paraqet informatat të cilat Komisioni evropian kërkon nga Serbia me qëllim të përgatitjes së Mendimit për kërkesën e Serbisë për pranim në BE. Pyetësori është i përbërë nga 415 faqe. Nga qeveria e Serbisë kërkohet që „përgjigjet ti japë në formën përmbajtjesore dhe transparente, duke i plotësuar gjitha aspektet e lëndës“ thuhet në arsyetimin e Komisionit Evropian.
Në pyetësorin e Komisionit mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave zen vend të konsiderueshëm. Pyetja 100 deri më 108 i janë kushtuar të drejtave të njeriut ndërsa, prej pyetjes 136 deri në pyetjen 147 interesimi i Komisionit evropian shtrihet për pozitën e pakicave.
Veç kësaj, në një kumtesë të Komisionit Evropian drejtuar Parlamenti dhe Këshillit të Evropës ( ??? ??? (2011) 668 ) në bazë të së cilës konstatohet se Serbia „është në rrugë të mirë për t’i përmbushë kriteret politike të vendosura në seancën e Këshillit të Evropës në Kopenhagë më 1993 si dhe kushtet e vendosura në procesin e stabilizim-asocimit, nëse përparimet në reforma vazhdohen, si dhe nëse gjinden zgjidhje praktike për problemet me Kosovën”.
Prandaj, thuhet më tej në Kumtesën e Komisionit, “sugjerojmë që me Serbinë të hapen negociatat për anëtarësim në BE, menjëherë pasi që të sigurohet përparim në realizimin e këtij prioriteti: “Hapat e mëtejmë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në harmoni me kushtet e procesit të stabilizim-asocimit, të vazhdojë angazhimin konstruktiv në bashkëpunimin regjional dhe forcimin e marrëdhënieve bilateral me vendet fqinje”.
Shkeljet e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në sferat kryesore të jetës, si në arsim, kulturë, përfaqësim në institucione, shëndetësi, përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, dhe në çështjet e identitetit kombëtar, besohet, pashmangshëm do të jenë temë e përgjigjeve që Serbia duhet t’i paraqesë Komisionit evropian në Pyetësorin e dërguar. Është shumë e qartë se pa i tejkaluara këto problem në komunat e banuara me shumicë shqiptare, Serbia nuk mund të llogarisë në anëtarësimin e saj në BE. Prandaj edhe ngutia e kryeministrit dhe zv/kryeministrit serb për t’u takuar me lidershipin shqiptar të këtyre komunave është në funksion të paraqitjes së dëshmisë së “kooperativitetit” dhe tregimit të “ndjeshmërisë” për problemet jetike të shqiptarëve. Ajo pra duhet të tregohet pragmatike për zgjidhjen e këtyre çështjeve jetike të një popullate të tërë.
Pragmatizmi politik kërkohet edhe nga shqiptarët. Uniteti në paraqitje e qëndrime, krahas qasjes me përgatitje serioze të këtij procesi janë parakushtet e suksesit në të. Kërkesat e paraqitura duhet të jenë të arsyetuara në mënyrë adekuate për të bindur, në radhë të parë Bashkësinë ndërkombëtare që t’i përkrahë ato. Bashkësia ndërkombëtare, fundja, është edhe garantuesja kryesore dhe e vetme një suksesi të mundshëm.
Bazuar në faktin se vetë Kontrata për Bashkimin Evropian, në nenin 2 shprehimisht parasheh se “Unioni bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, përfshi edhe të drejtat e pakicave. Këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare në shoqërinë në të cilën mbizotëron pluralizmi, jodiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes burrave dhe grave” shton optimizmin për një sukses të matur.
Fundja, Serbia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së nëse me inatin e vjetër, në një pjesë të territorit të vet, vazhdon të cenojë vlerat siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, toleranca, drejtësia, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave./Titulli.com/
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!