Poeti Hyseni nga Medvegja me libër përkushtues për mësuesin Bafti Krasniqi
Doli nga shtypi libri më i ri i poetit nga Medvegja Rrahman Hyseni me titull "Faqeve të pavdekësisë (përkushtime poetike për mësuesin Bafti Krasniqi), botuar nga "Galaktika Poetike Atunis" Prishtinë, 2015.Sipas redaktorit të librit, shkrimtarit Bilall Maliqi “Libri me përkushtime poetike “Faqeve të pavdekësisë”, i poetit nga Medvegja Rrahman Hyseni, shoqërohet me poezi përkujtimore të poetëve të pranishëm nga vise të ndryshme shqiptare, të cilët në një masë paraqesin ndjesitë e tyre përkujtimore për këtë portret të arsimit të kësaj ane. Brenda poezive, secili paraqet frymëzimet e tij poetike, disa duke përdorur edhe figuracionin e duhur, me të cilat forcojnë vargjet dhe poezitë e tyre.
Rrahmani librin e ka ndarë në dy cikle poetike:/ Poetët për Bafti Krasniqin/ dhe /Përkushtime nga familja/, të cilët janë munduar që sa më mirë ta poetizojnë figurën e mësuesit Bafti, kjo vërehet te poetët më të dëshmuar dhe më me përvojë në letrat shqipe, të cilët kanë ditur dhe dinë ta jetësojnë me vargje mësuesin si të jetë ai në mesin tonë, të komunikojmë me të përmes vargjeve poetike, pra me një fjalë në çdo varg e poezi të tyre para nesh na del mësuesi, abetarja, flamuri kuq e zi, sfidat e tij përballë pushtuesit dhe kundër arsimit shqip në ish-Jugosllavi.
Autorët e poezive, të cilët disa të njohur edhe për lexuesit dhe për letërsinë, derdhën vargjet e tyre përkujtimore në ciklin e parë shqiptare në përgjithësi, e disa sa kanë hyrë në rrugën e pambarimtë të poezisë japin të kuptojnë se mësuesi Bafti është në masë të madhe mirë i përkushtuar, duke pasqyruar portretin e tij shumëdimensional para lexuesve”
Ndërsa recensenti i librit poeti Rexhep Abazi shprehet “Për poetin Rrahman Hyseni nuk është edhe e lehtë të jepet mendim rreth krijimtarisë së tij. Poeti vjen nga Gërbaci i Medvegjës i cili me shkrimin e poezive dhe teksteve të tjera ka filluar të merret jo shumë gjatë, por shumë seriozisht. Në librin e tretë të tij “Faqeve të pavdekësisë.”, poeti Hyseni ka zgjedhur një mënyrë specifike ku bën një unifikim të poezive përkushtimore nga shumë poetë të trevave të ndryshme, kushtuar një personaliteti, një figure markante, një veprimtari unikat nga po i njëjti fshat prej nga na vjen edhe poeti Rrahmani, pra nga Gërbaci, MËSUESIT TË POPULLIT, të ndjerit Bafti Krasniqit. Është ky një personalitet specifik dhe i veçantë, i përshkruar dhe i stilizuar në poezi nga më se pesëdhjetë poetë, por i mbetur si strumbullar i mirësisë, bujarisë, atdhedashurisë dhe respektit.
Shënime për autorin e librit
Rrahman Hyseni lindi në Leban më1976. Shkollën fillore e mbaroi në Banjë të Siarinës, shkollën e mesme të lartë në Prishtinë.
Rrahmani me poezi ka filluar të merret herët, por me librin e parë doli në vitin 2013 me titull “Vargje nga zemra”. Rrahmani nuk u ndal porse shkroi edhe librin tjetër me poezi për të rritur i cili ka ngritje artistike më të lartë me titull “Lule me vesë” 2014.
Libri me poezi kushtuar mësuesit dhe atdhetarit të madh medvegjas Bafti Krasniqi me titull “Faqeve të pavdekësisë” është vepra e tretë. Kjo vepër përmbledh poezi përkushtuese të shumë poetëve anekënd trojeve shqiptare.
Rrahmani në dorëshkrim të redaktuar e ka edhe përmbledhjen tjetër me poezi për të rritur me titull “Nën hijen e ëndrrës”
Rrahman Hyseni është i pranishëm edhe në disa Antologji dhe libra përkushtues si dhe është i rregullt nëpër portale të ndryshme dhe nëpër gazeta ditore si: “Epoka e Re”, “Bota Sot”, Titulli.com, revista “Shpëtimi” etj.
Përveç poezive poeti ka shkruar edhe shkrime të tjera, po ashtu ka shkruar tekste këngësh.
Rrahmani është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës;
Anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve “Feniks” Preshevë;
Dhe anëtar i “Atunis Lugina”
Ai e udhëheq një biznes që nga viti 2000. Jeton dhe vepron në Prishtinë.