Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, rast i mirë për ringjallje ekonomike
Dikur në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë ekzistonin kompani të mëdha shtetërore që punësonin numër të madh punëtorësh. Por tani, shumica e këtyre ndërmarrjeve janë mbyllur, kanë falimentuar, ose nuk ekzistojnë fare, e një numër i vogël janë privatizuar. Aktualisht ndërmarrjet e vetme private që kanë të punësuar janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që merren me prodhimtari dhe shërbime, e që shumica kanë filluar punën si biznes familjar.Në mungesë të ndërmarrjeve të mëdha shoqërore, të cilat më herët në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë punësonin një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë rajon shihen si rast i mirë për ringjalljen ekonomike.
Sipas të dhënave të zyrave për Zhvillim Ekonomik Lokal në Bujanoc dhe Preshevë, aktualisht funksionojnë 412 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, 214 në Bujanoc dhe 196 në Preshevë. Duke llogaritur edhe mikro ndërmarrjet, punëtoritë, zejet, në Bujanoc numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve është 668, ndërsa në Preshevë 870.
Sa i përket tërë territorit të Serbisë, sipas Odës Ekonomike të Serbisë, numri i përgjithshëm i shoqërive ekonomike të vogla dhe të mesme është 11.841, ndërsa 305 mijë e 321 është numri i mikro ndërmarrjeve.
Sipas shënimeve të kësaj Ode, në Serbi sektori i Shoqërive ekonomike të vogla dhe të mesme përbën 53.8 për qind të punësimit të përgjithshëm.
Por, sa punëtorë kanë këto ndërmarrje në Luginën e Preshevës, dhe sa ato ndihmohen nga pushtetet lokale, respektivisht shteti në avancimin e punës së tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës?
Këto ndërmarrje në rajonin e komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë prej vitit 2012 i mbështet me subvencione Trupi Koordinues, ndërsa ato janë mbështetur me projekte të ndryshme edhe nga organizatat ndërkombëtare si USAID, PBILD, Help etj.
Komuna e Bujanocit deri më tani ka qenë komuna që ka shfrytëzuar më së shumti fondet nga programi i Trupit Koordinues. Për vitet 2012, 2013 dhe 2014 nga ky program kjo komunë ka tërhequr rreth 80 milionë dinarë mjete të pakthyeshme financiare, dhe përfitues kanë qenë gjithsej 32 ndërmarrje private nga komuna e Bujanocit, të cilat kanë qenë të obliguara të punësojnë afërsisht 200 punëtorë.
“Në komunën e Preshevës mjete të pakthyeshme nga programi i Trupit Koordinues për mbështetje ndërmarrësve gjatë tre viteve të kaluara, respektivisht duke filluar nga viti 2012 e deri në vitin 2014, përmes Programit për ndarjen e subvencioneve, subjekteve ekonomike në pronësi private iu janë ndarë mjete financiare 18 ndërmarrjeve, ku numri i punësimeve të reja është mbi 50”, thotë Ilir Sadriu, shef i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Komunën e Preshevës.
Sa i përket Komunës së Medvegjës, sipas shënimeve të Trupit Koordinues, në këto tre vite nga ky program kanë përfituar gjithsej tetë ndërmarrje.
Sipas Ilir Sadriut, shef i ZZHEL në Preshevë “të gjitha këto ndërmarrje kanë përfituar ndihmë financiare pa kthim në blerjen e pajisjeve prodhuese për nevojat e tyre në përputhje me kërkesat e tyre, të cilat i kanë bërë gjatë aplikimit në kuadër të thirrjeve publike”.
“Me këtë ndihmë padyshim se është arritur që ndërmarrjet përfituese të ngrisin nivelin e prodhimeve të tyre, të fusin në prodhim produkte të reja, ku me këtë shkalla rentabile e tyre është më pozitive”, shton Sadriu.
Përveç fondeve të Trupit Koordinues, edhe komunat e Bujanocit dhe Preshevës ndihmojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me mjete nga buxhetet komunale, e gjitha kjo me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës.
Në fund të shtojmë se Trupi Koordinues edhe këtë vit ka shpallur konkurs për ndarjen e mjeteve të pakthyeshme për subjektet ekonomike në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Për vitin 2015 TK ka ndarë 48.2 milionë dinarë dhe afati i fundit që ndërmarrësit të aplikojnë është data 30 korrik.
Për gjendjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Luginë të Preshevës, numrin e punëtorëve, sfidat dhe kërkesat e tyre Titulli do të ju njoftojë në artikuj tjerë gjatë javëve të ardhshme. /Titulli.com/