Mësimi i gjuhës serbe në shkollat shqipe në Medvegjë (foto&video)
Lokale

Mësimi i gjuhës serbe në shkollat shqipe në Medvegjë (foto&video)

29.Jun.2015 09:56
0

Në komunën e Medvegjës mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet në tre shkolla fillore dhe një të mesme me gjithsejtë 78 nxënës shqiptarë.

Sipas planprogramit mësimorë të Serbisë, mësimi i gjuhës serbe si gjuhë joamëtare është obligative ndërsa nxënësit  shqiptarë lavdërohen nga mësimdhënësit e tyre për nivelin e njohurisë së gjuhës serbe. 

Në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë të Medvegjës ka gjithsej 15 nxënës dhe të gjithë ata mësojnë gjuhën serbe si gjuhë joamëtare. 

“Për momentin në këtë shkollë nuk ka mësimdhënës të kualifikuar për ligjërimin e gjuhës serbe, ndërsa përveç kualifikimit të duhur, mësimdhënësi në rast se vjen nga radhët e komunitetit serb duhet të ketë të mbaruar edhe një kurs të gjuhës shqipe për të pasur të drejtë të ligjërimit në këtë shkollë” theksoi  ushtruesja e drejtorit, Ardiana Kadriu në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë. 

E pyetur se sa arrijnë nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhën serbe në shkollë, Kadriu është përgjigjur se ata jetojnë në një mjedis ku flitet gjuha serbe dhe se arrijnë mjaft mirë ta mësojnë atë. Mbi të gjitha ajo theksoi nevojën e sigurimit të teksteve adekuate mësimore. 

Liridon Kosumi, nxënës pranë kësaj shkolle  fillore shprehet se mëson gjuhën serbe në shkollë edhe pse nuk e kanë tesktin adekuat secili nxënës përveç mësueses. 

Në shkollën fillore “Jabllanica e Epërme” në Medvegjë  është një paralele në gjuhën shqipe ku me mësim të kombinuar arsimohen nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në të katërtën. 

Mësimdhënësja e gjuhës serbe në këtë paralele, Natasha Stankoviq, filologe e diplomuar thotë se nxënësit po përparojnë shkëlqyeshëm pasi që kanë paranjohuri të shkëlqyer dhe janë të interesuar për mësimin e gjuhës serbe. 

Ajo theksoi se ka probleme me mungesën e librave dhe të teksteve mësimore, ndërsa për t’i siguruar ato për paralelen në Medvegjë është detyruar që t’i kopjoj nga kolegët e saj në Bujanoc dhe Preshevë. 

“Është e njohur se Medvegja është një mjedis heterogjen dhe çka është më me rëndësi, fëmijët shoqërohen nga fëmijëria. Kjo është thelbësore për mësimin e gjuhës serbe”, tha Natasha Stankoviq. 

Sipas shefes për punë të përgjithshme në administratën komunale të Medvegjës, e ngarkuar edhe për çështje të arsimit  Zorica Stankoviq tha se gjendja është krejtësisht ndryshe në krahasim me Preshevën dhe Bujanocin. 

 “Në Medvegjë, në Banjë të Sjarinës nuk ka probleme me mësimin e gjuhës serbe të cilën nxënësit shqiptarë tashmë e dinë shumë mirë mirëpo problem i vetëm mbetet shkolla në Tupallë ku njohuria e kësaj gjuhe mbetet paksa më e dobët për çka në të ardhmen do të punohet në përmirësimin e gjendjes”, deklaroi për Titullin Stankoviq.

Ajo theksoi rëndësinë e projektit për avancimin e gjuhës serbe si gjuhë joamëtare në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të cilin nga viti i kaluar bashkërisht po e implementojnë Trupi Koordinues dhe Ministria e arsimit për çka ajo shprehet optimiste se do të jetë i frytshëm. 

Mësimdhënësja e gjuhës serbe në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë, Arlinda Kadriu thotë se nuk e ka të vështirë që nxënësve shqiptarë t’ua ligjërojë gjuhën serbe sepse ata i dinë gjërat elementare dhe e kuptojnë atë. 

Ndër të tjera, ajo shtoi se në mungesë të librave adekuate mësimi po zhvillohet me shënime, ndërsa sa i përket teksteve mësimore ato nuk janë siguruar ende ndonëse janë kërkuar vazhdimisht. 

 E pyetur për vështirësitë në mësimin e gjuhës serbe nga nxënësit shqiptarë, Kadriu theksoi se nxënësve u bien në sy ngjarjet historike që ndërlidhen vetëm me festat serbe ndërsa nuk ka ndonjë histori për shqiptarët.

 

Shkolla e Mesme “Nikolla Tesla” në Medvegjë nga 240 nxënës, 27 janë shqiptarë

 

Në Medvegjë, funksionon shkolla  e vetme e mesme teknike “Nikolla Teslla” dhe në kuadër të kësaj është një paralele në gjuhën shqipe  drejtimi-Teknik i Ekonomisë ku mësimi zhvillohet krejtësisht në gjuhën shqipe. 

Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Goran Stevanoviq lëndën e gjuhës serbe  e ligjëron Violeta Mitroviq e cila është profesoreshë e gjuhës serbe dhe letërsisë. 

Stevanoviq deklaroi se shkolla ka mungesë të mjeteve mësimore por se kjo mungesë mundohet të kompensohet me një angazhim më të madh të profesorëve. 

Agron Syla, nxënës i shkollës së mesme thotë se gjuhën serbe duhet ta mësojmë sepse jetojmë në një vend ku na nevojitet shumë kjo gjuhë. 

Mendim të ngjashëm ka edhe Florim Rama, nxënës i shkollës së mesme “Nikolla Teslla”  në Medvegjë i cili shprehet se e mëson gjuhën serbe si gjuhë joamëtare sepse  jeton  në një mjedis të këtillë dhe se i  duhet për punësim e të  ardhmen e tyre në këtë komunë tonë. 

Sipas të dhënave të inspektoratit shkollor komunal në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë aktualisht ka gjithsej 15 nxënës shqiptarë,  në shkollën fillore “Jabllanica e Epërme” në Medvegjë ka 4 nxënës shqiptarë, në shkollën fillore “Banja e Sjarinës” ka 32 nxënës shqiptarë dhe në shkollën e mesme “Nikolla Teslla” nga 240 nxënës, 27 janë shqiptarë. 

Pavarësisht  kushteve dhe mungesës së kuadrove profesional për mësimin e gjuhës serbe në shkollat e  komunës së Medvegjës, problematikë mbetet edhe  mungesa e teksteve mësimore./Fidan Kosumi-Titulli.com/ 

 

Reportazhi i realizuar është pjesë e projektit “Mësimi i gjuhës, Ardhmëria jonë”, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë.

 

 

Xhamia e Zarbicës ju pret dyer hapur për faljen e Fitër Bajramit (Foto)
Bujanoc: Fëmijët në pushime verore, ushtarët në objektet shkollore
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration