Mustafa: Nëse injorohet Kosova Lindore, Kosova do të përballet me bllokadë
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, priti sot në takim Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.Në këtë takim u diskutua gjerësisht për zhvillimet e fundit lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, zgjidhjen më të mirë për problemin shqiptaro-serb dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Klinaku, në emër të Lëvizjes për Bashkim, e mbështeti deklaratën e përbashkët të tri kuvendeve komunale të Kosovës Lindore, përmes së cilës kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të kësaj treve në bisedimet Kosovë-Serbi.
Mustafa, duke shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e Lëvizjes për Bashkim për çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore, tha se kjo është qasja e duhur ndaj problemit. Përndryshe, në rast se injorohet çështja e Kosovës Lindore, për pasojë, Kosova do të përballet me bllokadë për shkak të një asociacioni të fuqishëm dhe fuqisë bllokuese të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, Klinaku u zotua se LB do të angazhohet me tërë potencialin e vet në funksion të zgjidhjen së drejtë të këtij problemi dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në çdo aspekt.