Analistët e shohin si të pamundur ndarjen ose shkëmbimin e territoreve (Video)
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se shkëmbimin apo ndarjen e territorit të Kosovës me Serbinë nuk e përkrah as faktori ndërkombëtar. Ndërsa thonë se krejt kjo mund të përfundojë duke i dhënë kompetenca ekzekutive Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.“Këmbimi i territoreve me Serbinë, është shumë vështirë të ndodh. Shumë vende evropiane nuk e duan këtë lloj këmbimi i territoreve, sepse hapet një precedent shumë i madh. E kam thënë edhe më herët se kjo gjë mund të ndodh vetëm kur Serbia ta njeh Kosovën, dhe pastaj duke rregulluar kufirin mundë të bëhen disa korrigjime”, ka deklaruar analisti Shkëlzen Maliqi për RTV Dukagjinin.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, nuk mendon se do të ketë ndarje.
E, kjo sipas tij për tri arsye, e mes tyre ajo që nuk e ka as përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.
“Nuk mendoj se do të ketë ndarje të Kosovës. Rusia ka interes që të ketë probleme në Kosovë, sepse kjo është forma e vetme që ajo të ketë influencë në Serbi dhe Kosovë. Nuk besoj se Vuçiqi ka interes me u nda Kosova, sepse përmes Kosovës ai ka ruajtur në njëfarë forme monopolin e relacioneve me Bashkimin Evropian. Dhe e fundit, edhe nëse do të ndodhte teorikisht një ndarje, atëherë rendi politik i Kosovës dhe Kushtetuta ‘ahtisariane’ nuk do të ishte më relevante”, ka deklaruar Muja.
Sipas tij në gjithë këto diskutime ekstreme të cilat po fliten palët do të vijnë te mesi e ai do të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.