Musliu: Urrejtja ka kaluar në tjetër nivel, Gent Cakaj shtriu dorën në Luginë
Shqiprim Musliu, nënkryetar i komunës së Bujanocit ka reaguar ndaj refuzimit të Beogradit për shpalljen qyetar nderi, Gent Cakaj.
- Postimi i tij i plotë në facebook:
Dëshmia e radhës se, politikat qeveritare serbe nuk kanë ndryshuar aspak me ato të shekullit të kaluar. Këtë gjë do të duhej ta kuptonte edhe bashkësia ndërkombëtare se, diskriminimi, urrejtja dhe politikat patetiste të qeverisë së Serbisë kundër qytetarëve joserbë që jetojnë në Serbi, vazhdojnë edhe mëtej.
Ministri i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, z. Gent Cakaj, ka respektuar parimet e demokracisë moderne duke i shtrirë dorën vëllezërve të tij në Luginë.
Çdo veprim i tij ka qenë transparent dhe i kryer me protokoll ndërshtetëror, prandaj urrejtja ka shkuar deri në atë nivel sa që, të mos pranohet një simbolikë e shpalljes së një politikani me mentalitet modern dhe me bindje humane, "Qytetar nderi" i një komune ku po rrezikohet shumica shqiptare, duke ndjekur të gjitha procedurat e parapara me ligj.
Ne nuk do ndalemi së vepruari me drejtësi dhe do të ngrejmë zërin për realizimin e të drejtave tona kombëtare deri në fund.
I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian si dhe të gjitha institucioneve tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, të trajtojnë me më shumë kujdes respektimin e të drejtave të njeriut si dhe të pakicave në Serbi.