Mungesë e teksteve, Lugina kërkon ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës (Video)
Mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, problemet me nostrifikimin e diplomave të Kosovës dhe mungesa e licencimit të personelit arsimor me mësim në gjuhën shqipe janë problemet më të mëdha që aktualisht po ballafaqohet arsimi shqip në Luginën e Preshevës.Në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë 15 shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, dhe nxënësit e këtyre shkollave nuk kanë tekste mësimore në gjuhën e tyre amtare.
Gjendja më e keqe është në shkollat e mesme, ku në dhjetë degë që funksionojnë me mësim në gjuhën shqipe nuk ekziston asnjë tekst i miratuar për përdorim nga ana e ministrisë republikane të arsimit.
Deri para themelimit të Këshillit Kombëtar të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, gjendja ka qenë e njëjtë edhe në shkollat fillore, por tani në këtë çështje kemi një avancim pasi një numër i teksteve është siguruar.
Zejni Fejzullahu, kryetar i Komisionit për arsim parashkollor, fillor e të mesëm pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), thotë se nxënësit shqiptar të Luginës së Preshevës sot mësojnë me shënime që është e paimagjinueshme për pjesën më të madhe të shteteve demokratike.
Sipas tij, deri më tani për shkollat fillore janë siguruar 54 tekste, e për kompletim duhet edhe 39 tekste.
“Gjatë kohës sa kam qenë kryetar i komisionit nga fundi i vitit 2011 deri më 13 maj të këtij viti janë miratuar gjithsej 54 tekste apo komplete tekstesh. Ne jemi përcaktuar për tre forma të sigurimit të teksteve, për tekstet e shkruara, pra gjithë autorët që i kanë shkruar vetë ato tekste i kanë botuar, si në rastin e profesorëve të matematikës për klasën e parë, dytë, tretë dhe të katërt. Mandej, kemi importuar tekste kryesisht nga Republika e Shqipërisë, si dhe është bërë përkthimi i një numri jo të vogël të teksteve. Numri i teksteve për shkollat fillore që na duhen për të kompletuar është 39 tekste. Këtu para së gjithash janë lënda e historisë, gjeografisë, biologjisë, kimisë, që janë mjaftë të rëndësishme, si dhe e kulturës muzikore, kulturës figurative”, thotë Fejzullahu.
Sipas tij, udhëheqësia aktuale e KKSH-së ka vendosur që tekstet të mos përkthehen më, por që ato të importohen nga Kosova dhe Shqipëria.
Këtë vendim e konfirmon edhe Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës, partia e së cilit është pjesë e koalicionit që ka pozitat udhëheqëse në këtë organ.
“Është stopuar përfundimisht përkthimi i teksteve mësimore nga serbishtja ose gjuhë tjera në shqip. Përfundimisht në fushën e arsimit, ashtu si kemi premtuar gjatë fushatës, tekstet mësimore mund të vijnë vetëm nga Prishtina, përkatësisht Tirana zyrtare. Tani kjo është në veshin e ministrisë së arsimit të Serbisë dhe ata janë në shqyrtimin e situatës dhe dhënies së pëlqimit, qoftë nga Prishtina apo nga Tirana”, tha Mustafa.
Por, vendimi i këtillë është në kundërshtim me një vendim të ministrisë së arsimit të qeverisë së Serbisë që këto ditë ka ardhur në adresë të KKSH-së, i cili thotë se tekstet e Kosovës nuk mund të përdoren në Serbi.
Vizita e ministrit kosovar të arsimit, Arsim Bajrami, bërë Bujanocit dhe Preshevës mund të relaksojë marrëdhëniet dhe të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Bajrami tha se Kosova mund të ndihmojë, por me marrëveshje dhe mirëkuptim me autoritetet serbe.
“Ne do të punojmë bashkë edhe me autoritetet serbe që të kemi një mirëkuptim, një marrëveshje, një qasje proaktive, pozitive, që të shkëmbejmë tekstet e komuniteteve tona, që shqiptarët këtu të kenë mundësi të kenë tekste evropiane cilësore të mbrojnë identitetin, siç jemi treguar edhe ne shumë pragmatik me qasjen ndaj arsimit serb në Kosovë. Këto janë praktika evropiane që duhet të na udhëzojnë të shkojmë përpara, të harrojmë të kaluarën, të harrojmë situatën kur teksti shkollor është shikuar si një instrument armiqësor dhe që nëpërmjet teksteve të kultivojmë diversitetin”, theksoi ministri Bajrami pas takimit që pati me kryetarin e KKSH-së, Jonuz Musliun në Bujanoc.
“Tash e tutje do të ketë tekste mësimore nga Kosova, pasi që, siç u shpreh edhe vetë ministri i arsimit tekstet mësimore që janë duke u botuar në Kosovë janë tekste mësimore evropiane kështu që nuk e pengojnë askë. Besoj që për vitin shkollor 2015/2016 nxënësit e Luginës së Preshevës do të vijojnë mësimin me tekste nga Republika e Kosovës”, u shpreh Jonuz Musliu.
Sa i përket teksteve kontestuese, sipas kryetarit të komisionit për arsim pranë KKSH-së Zejni Fejzullahut janë tekstet e historisë, gjeografisë, kulturës muzikore e figurative, si dhe bota rreth nesh. Por, ai beson se me ndihmën e qeverive të Prishtinës dhe Beogradit, me mirëkuptim të qeverisë serbe dhe me një presion më të madh të faktorit ndërkombëtar duhet të gjendet një zgjidhje për këto tekste dhe ato të shkollave të mesme, mungesën e së cilave e cilëson si shkelje flagrante të të drejtave të shqiptarëve.
Duke theksuar format e deritanishme të sigurimit të teksteve në gjuhën shqipe dhe bashkëpunimin e mirëfilltë me KKSH-në në këtë drejtim, kryetari i Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, Zoran Stankoviq, thotë se problematika me tekstet e Kosovës mund të zgjidhet me bisedimet Prishtinë – Beograd.
“Ju duhet ta dini se ministri i arsimit ka qëndruar në Shqipëri dhe është dakorduar që një numër i madh i teksteve që nuk kanë tematike kontestuese, siç është historia, gjeografia dhe të tjera, të merren nga Tirana dhe të inkorporohen për nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe. Kur janë në pyetje tekstet nga Kosova këtu është problem derisa të përfundojnë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, u shpreh Stankoviq.
Problemet paraqiten në praktikë, sidomos me shkollat e mesme në gjuhën shqipe, ku nxënësit janë të detyruar që të mësojnë nga shënimet dhe skriptat.
Bujar Mustafa, profesor i ekonomisë në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, thotë se ata përdorin tekste në gjuhën serbe, të cilët më pas i përkthejnë dhe i përshtatin për nxënësit e tyre në formë skriptash.
“Sa i përket teksteve mësimore kemi mjaft vështirësi pasi kemi mungesë të teksteve në gjuhën shqipe. Ne kryesisht përdorim tekstet mësimore në gjuhën serbe të cilët pastaj i përkthejmë dhe i përshtatim për nevojat e nxënësve. Do të kishte qenë shumë më mirë si për ne ashtu edhe për nxënësit të ketë tekste mësimore ne gjuhën shqipe. Ne tanimë kemi krijuar material për disa lëndë në formë të skriptave për nxënësit që ata i përdorin gjatë mësimit”, theksoi profesori Mustafa.
Sipas tij, njëra prej zgjidhjeve mund të jetë që materialet që i kanë përkthyer profesorët e ekonomisë të marrim dritë jeshile nga ministria e arsimit, të botohen dhe të shfrytëzohen, pasi edhe për tekstet mësimore nga ekonomia nga Kosova duhet harmonizuar planprogramet. /Titulli.com/