Lokale
Medvegja ndez alarmin, shqiptarët do të humbin edhe dygjuhësinë
Shqiptarët në Komunë të Medvegjës dita ditës po pakësohen, përfaqësuesit shqiptarë në këtë komunë janë shqetësuar derisa situatën e vlerësojnë shumë kritike.
Zëvendës kryetari i komunës së Medvegjës Florim Sahiti sot ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve në këtë komunë të Luginës, duke bërë apel për kthimin e popullatës së zhvendosur.
“Mungesa e popullatës po rrezikon ekzistimin e shkollave në gjuhën shqipe, por edhe proceset tjera në Medvegjë. Në rast se vazhdon trendi i njëjtë shqiptarët mund të humbin përqindjen aktuale në strukturën e popullsisë prej 15%, me ç’rast do të humbin edhe të drejtën e dygjuhësisë”, është shprehur Sahiti gjatë takimit që pati me delegacionin e shoqatës humanitare “Medvegja” me seli në Zvicër.
Fadil Selmani, sekretar i shoqatës, me këtë rast tha se organizata që ai përfaqëson ka shpreh dëshirën që në të ardhmen të hap një zyrë në Medvegjë.
“Hapja e përfaqësisë në Medvegjë do të ndihmonte shumë shoqatën në drejtim të arritjes së objektivave të saj në aspektin humanitar”, u shpreh Selmani.
Në drejtim të zgjidhjes së problemit të kthimit të shpërngulurve zv.kryetari Sahiti tha se Kuvendi Komunal ka paraparë fondin prej 35.000 eurosh për kthim të të zhvendosurve, mirëpo këto mjete nuk janë paraparë të jepen në formë të parave të gatshme, por për infrastrukturë.
Në takimin e sotëm me delegacionin e mërgimtarëve morën pjesë edhe ndihmës kryetari i Medvegjës dhe i zv.kryetari i Kuvendit Komunal, Ismet Zeqiri e Fehmi Beha./ Titulli.com /Fidan Kosumi/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!