Mbytet një tjetër foshnje, varka e refugjatëve u përplas me një shkëmb
Mbytja e një fëmije 2-vjeçar në brigjet e Greqisë është kthyer në tragjedinë e parë të refugjatëve për vitin 2016. Humbja e jetës së foshnjes ishte thuajse e njëjtë si djali trevjeçar, Alan Kurdi muaj më parë në Turqi, imazhet e të cilit u bënë virale në mbarë botën, por vetëm se në këtë rast shkrepjet e fotoreporterëve mungonin.Varka e vogël, që po transportonte nga Turqia 40 refugjatë, u përplas me shkëmbinjtë e ishullit Agathonisi, dhe ishte një peshkatar i zonës që ngriti alarmin e kuq, duke i ardhur edhe vet në ndihmë pasagjerëve. Të gjithë shpëtuan, përveç foshnjes, që nuk u rezistoi dallgëve dhe erërave të forta të shkaktuara nga moti i keq.
Prindërit e 2-vjeçarit u transportuan në Samos, ishullin më të afërt, rreth 50 km larg vendit të ngjarjes.
Themeluesi i organizatës që u vjen në ndihmë refugjatëve, e konsideroi këtë si një realitet të tmerrshëm, i cili duket se nuk po ndalet. Christopher Catrambone tha se, kriza e refugjatëve ka përfshirë në vorbullën e saj viktima shumë të reja në moshë.
Shumë njerëz kanë humbur jetën tragjikisht, teksa kanë marrë përsipër një udhëtim të rrezikshëm për të arritur Europën. Dimri e ka theksuar edhe më tepër këtë fenomen. Të dhënat zyrtare të vitit 2015 tregojnë se, afërsisht një milion refugjatë kanë zbritur në Europë, e ndërsa më shumë se 3 mijë e 600 njerëz kanë vdekur në tentativë për t’i shpëtuar luftrave në Siri, Afganistan dhe Irak, shkruan Top Channel.