Mbahet Kuvendit themelues i partisë së re në Preshevë (Foto)
Pas disa muaj përgatitje, të dielën, me prezencën e 61 delegatëve të zgjedhur, është mbajtur seanca e Kuvendit themelues të subjektit të ri politik në Preshevë, Alternativa për Ndryshim.
Seanca e mbajtur kishte gjithsej 10 pika të rendit të ditës, ndër të tjera, si pika të rendit të ditës ishin emërimi i Këshillit qendror, si organi më i lartë i partisë në mes dy kuvendeve, emërimi dhe zgjedhja e kryesisë si dhe të organeve të tjera të partisë.
Për kryetar të partisë Alternativa për Ndryshim është zgjedhur Shqiprim Arifi, për zëvendës kryetar u emërua Armend Aliu, nënkryetar Mendurim Presheva, Nezaqete Isahu dhe Argjend Bajrami.
Në këtë seancë konstituive janë emëruar edhe 17 anëtarë të Kryesisë së partisë si dhe 39 anëtarë të Këshillit qendror.
Me këtë rast u rezervuan vende të caktuara në Këshill qendror dhe në Kryesi për përfaqësuesit e diasporës.
“Ndërtimi i degëve në diasporë është prioritet e Alternativës për Ndryshim në periudhën e afërt kohore”, thuhet në kumtesën e këtij subjekti të ri politik, transmeton Titulli.com.
Sipas Alternativës për Ndryshim ka shumë kohë që në Komunën e Preshevës është shfaqur nevoja për një riorganizim të skenës politike.
“Pakënaqësitë e qytetarëve çuan në themelimin e këshillit iniciues të një lëvizjeje të re politike në Preshevë, i cili gjatë muajve të fundit punoi në përpilimin e programit dhe dokumentacionit tjetër përcjellës për regjistrim të një subjekti politik, i cili në vete do të përmbajë ide të qarta politike dhe zhvillimore, me kapacitete njerëzore për t’i implementuar ato ide”, thuhet në kumtesën e Alternativës.
Vlen theksuar se përveç konsolidimit të organeve të lartpërmendura partiake, në seancën e së dielës, gjithashtu u bë edhe aprovimi i themelimit të dy forumeve, atij të gruas dhe rinor. /Titulli.com/
>>Alternativa për ndryshim: Nuk na interesojnë postet si partive tjera, neve na intereson ndryshimi (Foto & Video)