Liderët e Luginës nuk do t’u binden kërkesave të Beogradit (video)
Lokale

Liderët e Luginës nuk do t’u binden kërkesave të Beogradit (video)

29.Dec.2012 16:11
0

ramusha haradinaj

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës thanë sot se nuk do t’u binden kërkesave të Beogradit për heqjen e pllakes përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që është vendosur në Preshevë. Vënia e pllakës në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nxiti zemërimin e Beogradit i cili paralajmëroi se do të ndërhyjë me forcë në rast se ajo nuk hiqet nga vet shqiptarët në zonë. Liderët politikë të partive politike nga Lugina e Preshevës, pas takimit që kanë pasur me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me kërcënimet nga drejtues të shtetit të Serbisë, se nëse pllaka përkujtimore e vendosur në Preshevë nuk largohet me dëshirë, atëherë do të ndërhyjnë me forcë për ta larguar atë. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se nuk do t’i përgjigjen vandalizmit në mënyrë të njëjtë. Ai ka deklaruar se gjithë këtë polemikë politikanët e Serbisë po e shfrytëzojnë për qëllime politike, pasi që, sipas tij, lapidari në fjalë nuk e pengon askënd e më së paku serbët që jetojnë në Beograd, raporton kosovapress. Mustafa, ka thënë se për të zgjidhur këtë problem do të kërkojnë ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të Kosovës, por edhe të Qeverisë së Shqipërisë. “Të gjithë shqiptarët, ku do që janë, janë zotuar që problemet t’i zgjidhin në mënyrë paqësore, mbi bazat e paqes mirëkuptimit dhe dialogut. Duke i inkorporuar vazhdimisht edhe faktorin ndërkombëtarë dhe në këtë drejtim ne nuk do t’i përgjigjemi në asnjë mënyrë vandalizmit me vandalizëm, forcës me forcë. Por padyshim se do të kërkojmë mbështetjen institucioneve në Republikën e Kosovës, në Qeverinë e Shqipërisë, si institucioni i parë për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ai. Mirëpo, ndryshe nga kryetari i Preshevës, mendon Jonuz Musliu, i cili ka thënë se është kthyer një regjim i kaluar, e të cilët luftuan dhe tentuan ta zbrazin Kosovën, por edhe Preshevën, Medvegjen e Bujanocin. Ish përfaqësuesi politik i UÇPMB-së, tani lider i partisë opozitare Lëvizja e Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, ka thënë se nuk ka forcë që do ta largojë atë pllakë. “Nuk ka forcë që mund ta lëvizin atë plakë përkujtimore. Është tokë shqiptare është vend i shqiptarëve. Nuk është vu në Serbi atje, por në Preshevë. Natyrisht se do të mbrohet ajo pllakë. E kanë thënë edhe përfaqësuesit tjerë, nuk do ta lejojmë as presidentin e as kryeministrin. Por nëse donë trazira të reja Serbia, nëse nuk është ngopë me trazira dhe luftëra të cilat kanë ndodh nga viti 1990 e këndej. Në qoftë se do me pas paqe në Ballkan atëherë duhet të na lejojnë të qetë”, ka thënë ai. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë evropiane për këtë temë. Sipas Haradinajt, edhe Serbia duhet të sillet ngjashëm siç bënë Kosova për të njëjtën çështje, duke thënë se edhe në Kosovë ka lapidare dhe monumente historike serbe, e të cilat ruhen dhe respektohen. “Edhe Serbia edhe Kosova synojnë anëtarësimin në BE dhe synojnë standarde dhe kritere të caktuara se si të zgjidhin probleme si kjo. Lutja ime do të ishte që edhe në Beograd edhe kudo të sillen në mënyrë evropiane edhe ndaj kësaj teme. Ashtu si edhe ne kemi marrë obligim në Kosovë dhe respektojmë monumentet dhe kulturën tonë, dallueshmëria e së cilës nuk na varfëron por na pasuron. Pra, shpresojmë që Beogradi zyrtar do të përdor kritere Evropiane për t’u sjellë në këtë rast”, ka thënë ai. Se çfarë do të bëjnë në rast se Beogradi zyrtar ndërhyn me forcë për ta larguar pllakën përkujtimore kushtuar ish ushtarëve të UÇPMB-së, liderët politik shqiptarë të Luginës së Preshevës, nuk kanë qëndrim të përbashkët. Sido që të jetë, gjatë këtij takimi që zgjati rreth një orë, sipas kryetarit të AAK-së, u biseduan mënyrat dhe modalitetet se si Kosova të ndihmojë shqiptarët e asaj pjese. Sipas tij, ekziston mundësia që Kosova të investojë në projekte, siç ka thënë ai, pa ndërhyrë në rregullimin shtetëror të Serbisë./Titulli.com/ http://youtu.be/PJoh6urJ0zk
Keqtrajtohen udhëtarët shqiptarë, një familje kthehet nga kufiri
Partia Socialiste shpërndan harta gjeografike në Preshevë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration