Lokale
Arifi uron Kosovën: Ne punojmë që ky kufi dhe të tjerët, të shemben përgjithmonë
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi me rastin e gjashtë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me një letër i është drejtuar presidentes Atifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Me anë të këtij mesazhi, dëshirojmë të ndajmë gëzimin me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, në këtë ditë të madhe dhe të bekuar, jo vetëm për popullin e shtetit i cili lindi gjashtë vjet më parë, por edhe për shqiptarët e të gjitha viseve anekënd rruzullit tokësorë”, nisë urimi për këtë gjashtëvjetor të pavarësisë.
Në këtë urim të nënshkruar nga kryetari Arifi, thuhet se “është kënaqësi e posaçme dhe privilegj i madh për ne si komb, që brenda pak muajve të festojmë dy festa të themelimit të shteteve tona. Si festa e nëntorit, ashtu edhe kjo e shkurtit, na bëjnë të ndihemi krenarë për të kaluarën tonë të lavdishme dhe për ardhmërinë tonë të ndritshme”.
“Qytetarët shqiptarë të komunës së Bujanocit, por edhe të mbarë Luginës, në asnjë moment nuk e lënë rastin që 17-të shkurti t'u kalojë pa kremte. Në këtë ditë të madhe gëzimi e hareje, zemrat e luginasve janë të bashkuara me zemrat e vëllezërve në Kosovë e gjetiu. Çdo e arritur e Kosovës, njëkohësisht është edhe e arritur për Luginën”, shkruhet në urim, transmeton Titulli.
Arifi thotë se që nga viti 1999, e sidomos nga 2008-ta, ne në Luginë jemi bërë me një mburojë të pakontestueshme dhe me një shpinë të fortë e cila na qëndron mbrapa anekënd qyteteve dhe fshatrave tona.
“Edhepse na ndanë një kufi, ai për ne nuk është i pathyeshëm. Në jemi të bindur se ai kufi është momental. Ne besojmë dhe punojmë që jo vetëm ky kufi por edhe të tjerët, që ndajnë shqiptarët, të shemben përgjithmonë”, shkruan urimi duke vazhduar se edhe ashtu do të ndodhë shumë shpejt. “Bashkimi ynë po troket në dyert tona. Aspiratat tona shekullore do të bëhen realitet, në mos ndryshe, atëherë përmes rrugës që nuk ka kthim, e kjo është rruga drejt BE-së”.
“Andaj, të dashur motra dhe vëllezër, gëzuar këtë festë, me bindjen më të thellë se brenda pak kohësh të gjitha të tjerat do ti kremtojmë së bashku”, thuhet në fund të urimit të nënshkruar nga kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
***********************************************************************************************************************
Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ua uron institucioneve të saj dhe gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata, Ditën e shtetësisë dhe mëvetësisë së shtetit më të ri në botë.
“Po, mbushen 6 vjet pavarësi të Kosovës si shtet, i cili gjithnjë e më shumë po njihet ndërkombëtarisht, po forcohet institucionalisht dhe po gëzon simpatinë e faktorëve ndërkombëtarë për rrugën e saj të drejtë, parimore e progresive”, kështu nisë urimi i LPD-së me seli në Bujanoc.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës i gëzohen zhvillimit dhe përparimit të Kosovës si shtet, duke përkrahur përkujdesjen që po tregon ajo ndaj bashkëkombësve të vetë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës”.
“Megjithëse rajoni i Luginës së Preshevës edhe më tej vazhdon të mbetet një vend me probleme politike e ekonomike, duke filluar nga pengesat në qarkullimin e lirë ndërkufitar, rreth mosrregullimit me ligj të përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, mosrespektimin e Marrëveshjes së Konçulit, militarizimin e sërishëm të rajonit e kështu me radhë”, shkruna matej urimi.
Sipas LPD-së, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, festa e pavarësisë së Kosovës, është një festë që bashkon shqiptarët, ashtu siç i ka bashkuar në luftë dhe paqe, e do t’i bashkoj edhe në të ardhmen rreth realizimit të aspiratave kombëtare, për të cilat u angazhuan dëshmorët e të gjitha kohëve.
“Urime Kosovë 6 vjetori i pavarësisë!”, nga Kryesia e LPD-së, dhe kryetari i këtij subjekti dhe Kuvendit Komunal në Bujanoc, Jonuz Musliu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!