Lavrov në Shkup: OSBE-ja u shkatërrua kur NATO-ja bombardoi Serbinë dhe mori Kosovën
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, është shprehur se vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së.
Komentet Lavrovi i bëri gjatë fjalës së tij në Shkup, ku po mbahet Samiti i OSBE-së, ku tha se në vitin 1999 NATO-ja kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së.
Ai tha gjithashtu se në vitin 2008 Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum.
“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO-ja kreu një agresion brutal të pa maskuar kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së.
Dhe në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum”, theksoi Lavrovi.
Ai kujtoi se për pak më shumë se një vit Akti Final i Helsinkit do të mbushë 50 vjet.
“Në këtë drejtim, me keqardhje themi se OSBE-ja e mirëpret këtë përvjetor në një gjendje të dhimbshme dhe perspektivat e tij janë të paqarta”, tha ministri rus.