Kërcënohet me jetë gazetari Argjent Goga
Kërcënohet me jetë gazetari dhe kryeredaktori i portalit informativ Titulli.com Argjent Goga.Gazetari është ndaluar nga personi i identifikuar M.A. pas shkrimit të publikuar më 1 tetor mbi mënyrën e funksionimit të klubeve të natës në Luginë të Preshevës, respektivisht në komunë të Bujanocit.
“Ka pasur disa kërcënime ndaj mej edhe më herët, ndërsa ky i fundit u bë nga një person shumë i rrezikshëm. M.A. më ndaloi në rrugë afër shtëpisë sime duke më kërcënuar me likuidim lidhur me artikullin e shkruar mbi prostitucionin në komunë të Bujanocit. Më tha se na keni humbur punën dhe se do të vrasë nëse të takojë sërish”, u shpreh Argjent Goga.
Në ditën e kërcënimit gazetari ka njoftuar policinë në Bujanoc, të cilët deri në këtë moment nuk e kanë ndaluar personin në fjalë.
Gazetari Goga njihet për temat e tij investiguese në këtë rajon, ndërsa ai shpesh ka qenë viktimë e kërcënimeve të ngjashme. Kërcënimet serioze me jetë ndaj tij janë shtuar që nga shkrimi mbi moszbatimin e dygjuhësisë nga drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Arsim Bajrami.
Ndonëse ky rast është kallëzuar në polici edhe pas gati tre muajsh nuk është ndërmarrë asnjë masë ndalimi. /Titulli.com/