Kryetari i KKSH-së në Beograd, tifo për Shqipërinë (foto)
Galip Beqiri, është lideri shqiptar nga Lugina që sonte nga afër do të përcjellë ndeshjen e kombëtares shqiptare me atë serbe.
Gjatë një prononcimi për portalin informativ Titulli.com, kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, ka thënë se tashmë është në Beograd në përkrahje të kombëtares.
“Jam takuar me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe djelmoshat e kombëtares kuqezi. I përcolla mesazhin se Lugina, më shumë se kurdoherë, sonte përkrahë kombëtaren e Shqipërisë”, u shpreh Beqiri përmes lidhjes telefonike.
Ai ka konfirmuar për Titullin se në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja Serbi – Shqipëri, merr pjesë më ftesë të Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka.
Përveç Beqirit, rreth 100 të rinj shqiptarë nga Presheva e Bujanoci po qëndrojnë në Beograd për të mbështetur kombëtaren, e cila do të ketë një përballje të vështirë.
Përndryshe, për tifozët kuqezi që mbetën në Luginë, sonte në stadiumin e qytetit në Preshevë, në mënyrë të organizuar do të përcillet ndeshja e shumëpritur.
Ndeshja Serbi – Shqipëri zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin e KF Partizanit./Titulli.com/