Korrigjimi, normalizimi dhe Lugina e Preshevës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë shprehur vullnetin e tyre politik në çdo periudhë kohore që është kërkuar dhe me akte politike nga më të rëndësishmet.Vullneti i tyre është i shprehur në forma të natyrshme dhe si frymë politike e çdo qytetari të kësaj ane, me kompaktësinë territoriale dhe popullore që posedon ky rajon dhe jo në refleksion me ndonjë rajon tjetër. Kështu, shqiptarët e Luginës, me tërësinë e tyre territoriale, duhet t’i bashkohen shtetit të Kosovës dhe kjo është tashmë një e drejtë e pakontestuar e këtij rajoni.
Shkruan: Liburn MUSTAFA, Preshevë
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet “vetëm” nëse palët merren vesh për “korrigjimin” e kufijve shtetërorë – është pika në të cilën kanë arritur “palët” dhjetë vite pas pavarësisë së Kosovës – përkundër faktit që Kosova është e njohur nga 115 shtete të botës dhe, për më tepër, pavarësia e saj tashmë është legalizuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, përkundër këtij realiteti, palët ose, thënë më mirë, pala serbe vazhdon të jetë e pabindur dhe e pakënaqur me statusin e Kosovës dhe vazhdimisht e konteston ekzistencën e saj si shtet, duke aluduar në Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.
Qëndrimet maksimaliste të palës serbe janë të vazhdueshme. Kësaj i parapriu edhe me mosgatishmërinë për t’i implementuar marrëveshjet e arritura me palën kosovare në Bruksel. Gjithashtu presionet e vazhdueshme diplomatike mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe palën shqiptare, në tërësi, mëtojnë ta përcjellin qëndrimin se “normaliteti dhe paqja është e pamundur me shqiptarët dhe duhet të vijmë deri te pika e korrigjimit të kufijve”, që në esencë nënkupton shkëmbimin e territoreve. Përkundër faktit se pala kosovare ka qenë e përkushtuar në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel me Serbinë, këtu mund ta përmendim vëmendjen më të shtuar ndaj pakicës serbe, duke u garantuar atyre të drejta të veçanta me kushtetutë dhe duke e avancuar statusin e tyre në çdo hapësirë shtetërore. Por, pavarësisht kësaj, ata – të sinkronizuar me politikat e Beogradit – refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, gjë që i ka shpërfaqur motivet mbi ndarjen e Kosovës, gjegjësisht marrjen e Veriut të Mitrovicës për një pjesë të Luginës së Preshevës.
Këtë diskurs e ka përbrendësuar tashmë edhe pala kosovare, gjegjësisht Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke aluduar në normalizimin e marrëdhënieve si diçka tashmë e domosdoshme dhe e pashmangshme. Normalizimi i relacioneve ndërmjet palëve mund të arrihet vetëm nëse në dialogun e ardhshëm në Bruksel diskutohet për korrigjimin e kufijve në mes Serbisë dhe Kosovës si mirëkuptim mes palëve. Presidenti Thaçi e mohon ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë, por insiston se do të ketë vetëm korrigjim të kufirit, ndërsa me këtë akt do të jetësohet vullneti historik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. Ky qëndrim na bën të supozojmë mbi skenarët e mundshëm të palëve, duke aluduar në Veriun e Kosovës, gjegjësisht Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Komunën e Mitrovicës Veriore për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Skenari tjetër, më pak i mundshëm dhe i besueshëm, është autonomia për serbët e Kosovës në këmbim të një pjese të Luginës së Preshevës.
Korrigjimi i kufijve
Koncepti i “korrigjimit” të kufijve, në kontekstin e sotëm politik dhe nga forma se si i qasen palët në realitet, nuk dallon fare nga koncepti i ndarjes, shkëmbimit të territoreve ose i ndarjes së territorit në vija etnike. Aktualisht, është vetëm një lojë me nocione gjuhësore për të pretenduar se koncepti korrigjim është koncept dhe akt normal ndërmjet shteteve dhe se është proces i pashmangshëm për çdo shtet. Në të vërtetë, ashtu edhe është, sepse përcaktimi i vijave kufitare nënkupton normalizim, stabilitet dhe gatishmëri për bashkëpunim mes shteteve fqinje. Mirëpo, kur bëhet fjalë për korrigjim të kufijve, kemi parasysh distanca vogla ose pak kilometra, që duhet rregullohen, dhe jo qytete të tëra. Dhe, normalisht këtu nuk bëhet fjalë për korrigjim, rivizatim ose ravijëzim të kufijve, por për shkëmbim territoresh ose popullsish. Gjithashtu për korrigjim të kufijve nuk mund të flitet aty ku shtetet e kontestojnë statusin shtetërorë të njëri-tjetrit. Kështu ndryshimi kufijve nuk mund të arrihet pa njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, sepse korrigjimin e kufijve mund ta bëjnë vetëm dy subjekte me status të barabartë dhe që, njëkohësisht, i njohin subjektet në fjalë në formë reciproke.
Koncepti korrigjim i kufijve nënkupton dhe është më afër versionit të ndarjes së territorit në vija etnike sesa shkëmbimit të territoreve, sepse shkëmbimi i territoreve nënkupton kompaktësinë territoriale të rajoneve në fjalë. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë për kompaktësinë territoriale, sepse shteti serbë tashmë e ka kryer detyrën e tij në terren, duke e spastruar etnikisht Veriun e Kosovës nga shqiptarët dhe, me politikat e tij regresive, e ka përgjysmuar Luginën e Preshevës nga shqiptarët autoktonë. Në këto kushte mund të duket “normale” që njëra palë ta përdor konceptin “ndarje”, ndërsa tjetra “korrigjim”.
Vullneti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, edhe pse të ndarë administrativisht nga Kosova, nuk u shkëputën nga asnjë moment i rëndësishëm historik, kulturor e politik nga shqiptarët e Kosovës dhe kështu pareshtur dëshmuan vullnetin dhe fatin e përbashkët politik me kosovarët. Janë tri momente të rëndësishme historike, të cilat e bëjnë të veçantë dhe të palëkundur vullnetin politik të shqiptarëve të kësaj ane. Momenti i parë për të cilin mendoj se është fondamental dhe argument i rëndësishëm për gjenealogjinë ideore të vullnetit politik të shqiptarëve për bashkim, ka të bëjë me intelektualin e shquar Ibrahim Kelmendi, që përmes aktivitetit të tij intelektual dhe praktik, arrin ta risjellë dhe kolektivizojë frymën e Lidhjes së Prizrenit me luftën e organizuar kundër forcave serbo-partizano bullgare, nga 9 shtator 1944 deri më 17 nëntor 1944. Ky është ndër momentet më të rëndësishme, kur shqiptarët e nxjerrën veten nga zhvillimi linear historik dhe shprehën vullnetin e tyre me aktin e organizimit të formacioneve ushtarake për vetërealizimin historik të qenies shqiptare, që territorin e konsideronin si pjesë unike të shfaqjes së qeniesimit kombëtar. Momenti i dytë me rëndësi është shprehja e vullnetit politik në referendumin e vitit 1992, iniciativë kjo që kishte motivin e një koncepti të vetëvendosjes dhe shprehjen, në mënyrë plebishitare, të vullnetit për bashkim. Momenti i tretë është lufta e UÇPMB-së, si luftë për bashkim kombëtar, ngjarje kjo që i ngjalli përfundimisht ndjenjat për aspiratat dhe frymën e humbur kolektive. Që nga Lidhja e Prizrenit, lufta kundër forcave serbo-partizano bullgare, referendumi i 1992-shit, e deri tek lufta e UÇPMB-së, që të gjitha këto dëshmojnë për vullnetin politik dhe frymën e kolektive të shqiptarëve në këto treva për bashkim me Kosovën. Këto dhe të tjera ngjarje janë akte politike të rëndësishme që dëshmojnë për validitetin e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës më krahasim me serbët e Veriut të Mitrovicës me një historik relativisht të ri si rajon nga 1999-ta e këtej.
Para kësaj periudhe Veriu i Kosovës kishte një dominim të lehtë të komunitetit serb karshi komunitetit shqiptar, gjegjësisht konsiderohej një rajon me popullsi të përzier ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Mirëpo, pas luftës në këtë rajon popullata shqiptare i nënshtrohet një shpopullimi masiv nga paramilitarët serbë të ndihmuar edhe nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar. Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, para luftës 53% të banesave në Veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve, që na bënë të kuptojmë se dallimi mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë territor ishte i vogël dhe se Veriu si zonë etnikisht homogjene është prodhuar pas periudhës së vitit ‘99-të.
Por, “pavarësisht të kaluarës”, e tashmja është kthyer përmbys dhe dëshmon se Veriu i Kosovës ose katër komunat në veri të Kosovës janë rajon i pastër etnikisht me popullsi serbe, kjo falë dorës se zgjatur të shtetit serb. Gjithashtu, që nga paslufta e këtej, edhe Lugina e Preshevës ose tri komunat në jug të Serbisë, falë diskriminimit të përhershëm të shtetit serb ndaj kësaj popullate dhe shpërfilljes së shteteve amë, është shndërruar në rajon me një popullsi të përgjysmuar me shqiptarë. Dhe, tani këto rajone ose, thënë më mirë, mbi supet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës rëndon normalizimi ose paqja mes dy popujve, sepse rajoni shqiptar rrezikon copëtimin ose ndarjen e tij në vija etnike dhe Veriu, me kompaktësinë territoriale dhe me e popullsisë etnikisht homogjene, rrezikon t’i ndahet Kosovës. Ky është skenari mbi të cilin, në emër të korrigjimit të kufijve, po ndahet Veriu i Kosovës, një rajon i pasur me pasuri të shumta natyrore dhe po copëtohet Lugina e Preshevës, këtu në emër të përpjekjes historike për bashkimin e saj me Kosovën.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë shprehur vullnetin e tyre politik në çdo periudhë kohore që është kërkuar dhe me akte politike nga më të rëndësishmet. Vullneti i tyre është i shprehur në forma të natyrshme dhe si frymë politike e çdo qytetari të kësaj ane, me kompaktësinë territoriale dhe popullore që posedon ky rajon dhe jo në refleksion me ndonjë rajon tjetër. Kështu, shqiptarët e Luginës, me tërësinë e tyre territoriale, duhet t’i bashkohen shtetit të Kosovës dhe kjo është tashmë një e drejtë e pakontestuar e këtij rajoni. Andaj çdo tendencë për ta copëtuar ose për ta rivizatuar atë në vija etnike, është e papranueshme. Gjithashtu “korrigjimi i kufijve” në vija etnike jo vetëm që do të krijonte pakënaqësi të mëdha për popullatat përkatëse, por – normalisht – do të krijonte precedent për artikulime të reja nga popujt të tjerë të Ballkanit. Mirëpo, nëse duhet pranuar shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, sepse kjo është maksimumi që mund të arrihet në këto konstelacione politike dhe se palët duhet heqin dorë nga njëra për të fituar tjetrën, kjo në emër të normalizimit dhe të paqes, për këtë duhet të vendosë në tërësi politika mbarëshqiptare, sepse një gjë e tillë nuk mund të rëndojë mbi supet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për shkak të ambicieve të tyre për bashkim me Kosovën. Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e kanë bërë detyrën e tyre dhe kanë qëndruar në rezistencë të përhershme me shtetin serb dhe në çdo kohë dhe hapësirë e kanë shprehur patrembur vullnetin e tyre politik.