Komuna e Preshevës me transparencë të zbehtë, qytetarët të painformuar (VIDEO)
Transparenca e komunës së Preshevës ndaj qytetarëve mbetet sfidë për udhëheqësit e tanishëm që kanë trashëguar një sistem të dobët të transparencës dhe mos funksionim të ueb-faqes zyrtare në të cilën publikohen materiale të ndryshme komunale.Shqiprim Arifi,kryetar i organit të përkohshëm të komunës së Preshevës thotë se koalicioni që udhëhoqi me komunën e Preshevës nuk ka punuar aspak me ueb-faqen e komunës dhe se është dashur të fillohet nga pika zero.
“Vendimet e organit të përkohshëm janë publikuar dhe disa janë në procedim sepse vetëm një person merret më këtë punë për momentin”, u shpreh Arifi.
Ai theksoi se me rëndësi është funksionaliteti i ueb-faqes ndërsa prioritet kanë edhe realizimi i buxhetit e punëve tjera por se paralelisht do të përpunohet ueb-faqja dhe vendimet të cilat janë marrë do të publikohen.
Analiza e organizatës “Transparenca Serbia” për periudhën Janar-Maj 2017 komunën e Preshevës e rendit në pozitën 11, gati më të ulët në nivel të Serbisë .
Përfaqësues të shoqërisë civile në Preshevën mendojnë se komuna e Preshevës gjendet në një kaos të transparencës edhe pse ekzistojnë mekanizmat e rregulluar me ligje ato vetëm duhet të zbatohen.
Gani Rashiti, drejtor i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë në Preshevë ka bërë një sondazh përmes së cilës është vlerësuar se transparenca është në nivel të ulët por edhe në disa departamente komunale mungon transparenca totale.
“Një nga institucionet më transparent që mundë të jetë është kuvendi komunal. Vendimet e këshillit komunal janë publike edhe pse ka mangësi të caktuara. Komuna duhet të shtyjë procesin e transparencës duke bashkëpunuar me mediat dhe organizatat joqeveritare”, deklaroi për Titulli.com Rashiti.
Sipas tij zyra për prokurime publike nuk është transparente aty ku është nevoja më e madhe sepse përmes asaj zyre shpallen tenderime për projekte që realizohen në komunën e Preshevës.
Presheva nuk ka transparencë, qytetari nuk kanë njohuri se çfarë bëhet me buxhetin e taksa paguesve, ueb-faqja është e zbrazët, kështu vlerësoi Enkel Rexhepi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.
“Shembull mundë ta marrim komunën e Prishtinës që ka transparencën me qytetarë. Janë metodat dhe rregullat e qeverisë e Serbisë për të pasur transparencë”, tha Rexhepi.
Ai shtoi se nuk është fakti që nuk dinë ta bëjnë por mungon vullneti për të qenë sa më transparentë ndaj qytetarëve.
Komuna e Preshevës nga 17 Shtatori qeveriset nga organi i përkohshëm i përbërë prej 5 anëtarëve ndërsa ueb-faqja është e pasivizuar dhe qytetari nuk ka qasjes në asnjë vendim apo dokument të qeverisjes lokale./Titulli.com/