"Komandant, po thërret Lugina" !
Lokale

"Komandant, po thërret Lugina" !

24.May.2017 08:58
0
A ka më keq për një popull, që zgjedh përfaqësues politik, të cilët as edhe një herë, për 16 vjet të historisë së paskonfliktit në Luginë, nuk u interesuan të zbardhin vrasjen e njërit prej komandantëve kryesor të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Bujanoc e Mevdegjë, Ridvan Qazimit - Komandant Lleshit, nënshkruesit kryesor të marrëveshjes së paqes mes palës shqiptare asaj serbe dhe palës garantuese ndërkombëtare? Paqe kjo, që s'u arrit kurrë në plotni për shqiptarët e kësaj ane.

Edhe sot e kësaj dite, pas 16 viteve, kur edhe shënohet dita e vrasjes tënde, popullata shqiptare e Luginës, vazhdon ta thërret emrin tënd, Komandant!

Në mes frikës dhe shpresës, populli shqiptar i kësaj treve etnike, që ti me ëndje e quaje Kosovë Lindore, duket sikur ka mbetur peng i vrasjes tënde. 

Mjekra jote e zezë dhe e dendur, që mbillte frikë në formacionet ushtarake e paramilitare serbe, si duket e bartë me vete të fshehur diku thellë sekretin e likuidimit tënd. 

Me vrasjen tënde Komandant, u vranë edhe ushtarët tu, që nuk u amnistuan kurrë. Edhe populli jot, që se shijon lirinë si duhet, as sot, mbas 16 viteve. 

Udhëheqësit politik, të pas luftës, në Luginë, shpejtë harruan se në as edhe një vend të botës, liria nuk fitohet pa gjak e sakrificë, Komandant. 

Ata, më së miri e shfrytëzuan mungesën tënde, për të lënë në gjysmë jo vetëm amanetet, por edhe aspiratat e popullit tonë, e për ta keqpërdorur gjithë at gjak e sakrificë të derdhur me vite. Kjo na bënë të dyshojmë, se mos interesimi i tyre për zbardhjen e vrasjes tënde, lidhet ngushtë me atentatorët. Nëse jo direkt, në mënyrë tërthore, ata duhet kenë qenë të gëzuar, për një konkurrent të fortë politik, më pak! 

Ata, vetëm sa e intensifikuan qëllimin dhe motivin e palës serbe, duke mundësuar të kalojë koha për hetimin e rastit tënd, dhe dëshmitarët dalëngadalë të plaken e të vdesin, për të shuar kështu përgjithmonë zbardhjen e vrasjes tënde, Komandant. 

S’ka mundësi që populli i kësaj treve, t’i gëzohet proceseve zhvillimore, deri sa nuk tenton që klasën politike ta formatizojë dhe ta obligojë, për nisjen e hetimeve mbi vrasjen tënde.

Vrasja jote, e pa zbardhur, do ta mundojë përgjithmonë këtë popull të stërvuajtur, Komandant. 

Deri sa kjo klasë politike, të përmendë emrin tënd, sa për të fituar poenë politik nëpër fushata zgjedhore apo në ndonjë përvjetor, e nuk shfaqë interes konkret për hetimin dhe vendosjen e drejtësisë, për vrasjen tënde, qartazi len të kuptohet se ata nuk shfaqin interes në këtë pikë, as për zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë. 

Gjendja momentale politike, sociale e ekonomike, në këto qytete të banuar me shqiptarë, është sa e brishtë aq edhe e mjerë, Komandant.

Flamuri, që pasqyron identitetin tonë kombëtarë, vetëm në kohën tënde, Komandant, ka valuar lirshëm. Ai vazhdon të valojë edhe te varri yt, por jo edhe nëpër institucionet lokale, apo në godinën e kuvendit komunal. As gjuha shqipe nuk është e institucionalizuar. E, mos t’flasim për problemet e tjera e të shumta, me të cilat përballet popullata e kësaj treve, e cila jeton mes represionit serb e papërgjegjësisë së klasës politike shqiptare. 

Aq ironike është kjo histori e re e kësaj treve, sa vrasjen tënde Komandant, kjo klasë politike, e ka trajtuar si një rast të izoluar. Populli trishtohet kur i vritet qoftë edhe një pjesëtar i thjeshtë, e lëre më një komandant kryesor, i ushtrisë, falë së cilës, sot i gëzon këto të drejta. Për këtë, fajin kryesor e mbanë spektri politik shqiptar.

Ata madje emrin dhe çështjen tënde se ngritën as te institucionet shtetërore shqiptare e kosovare. Sikur, as edhe këta, s’ta njohin mundin e trimërinë tënde, Komandant.

Ta kishin njohur mirë, edhe raportet do t’i kishin më ndryshe, me këtë popullsi shqiptare nën Serbi, që kurrë se ndihmuan konkretisht.

Pa merak, Komandant. Lugina e Preshevës, në këtë kontekst, nuk ka një trup politik, por një turp të përfaqësimit politik shqiptar. 

Kjo klasë politike, pos që e ka vrarë shpresën e këtij populli, e se ka zbardhur vrasjen tënde, e ka vrarë edhe arsimin dhe kulturën shqiptare në këtë anë. Mjafton t’i pyesësh shqiptarët e kësaj treve se sa janë të kënaqur me përfaqësimin e tyre politik e institucional, edhe do ta kesh përgjigjën e saktë, Komandant. 

Ti, luftove dhe ta morën jetën, Komandant, e sot, nëpër këto qytete të shqiptarëve nën Serbi, jetojnë më mirë serbet se shqiptarët. 

Duke shpresuar se kjo Luginë, nuk do ta ketë fatin e spastrimit etnik të shqiptarëve, të falënderojmë e të përkujtojmë si më së miri, Komandant.

Edhe pse e gjithë kjo, të jep një përshtypje se, ju keni luftuar dhe humbur jetën kot, Komandant, por nuk është e vërtetë.

Koha e kësaj klase politike, do të ikë, e vendi do t’i gëzohet çlirimit për të disatën herë.

Ti na e dhe lirinë më të madhe, atë që na e kishin marrë serbet. E, populli, do t’ia merr privilegjet kësaj klase politike të papërgjegjshme, Komandant! Pa merak.

 

Shkruar nga Drilon Hyseni-Bujanoc

 

 

 

 

 

 

 

 

Sekretari gjeneral i Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë Mihail Linhart vizitoi Bujanocin
Klubi i basketbollit "Elita", mes vështirësive dhe vullneti të rinisë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration