Kamberi: Mirënjohja, fyerje për viktimat civile të vrara në Luginë nga aparati shtetëror
Mirënjohja që kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa i dha dje kryeministrit serbe Aleksandër Vuçiq, po shihet si një fyerje për viktimat civile të cilat janë vrarë në Luginën e Preshevës nga aparati shtetëror serb.“Kjo mirënjohje është fyerje për viktimat civile të vrara në Luginë nga aparati shtetëror, për të cilët nuk tregon interesim qeveria e Vuçiqit që të zbardhen autorët”, ka deklaruar për “Zëri”, kryetari i të Drejtave të Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi, i cili shtoi se kjo mirënjohje nuk ishte vullneti i qytetarëve të Luginës, por siç deklaroi ai, i vet kryetarit të kësaj komune.
Sipas Kamberit, me këtë gjest Ragmi Mustafa u tregua mjaftë servil.
“E para mirënjohja ndaj Vuçiqit është një shenjë serviliteti, dhe e dyta që është edhe më tragjike do të thotë zotëri Mustafa ka qenë në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarëve dje. Sepse nëse e keni parë dje shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e kanë injoruar vizitën e kryeministrit serb. Do të thotë kryetari nuk ka vepruar sipas vullnetit dhe nuk ka vepruar si kryetar i Preshevës, por më shumë ka vepruar si person privat pavarësisht funksionit të tij. Pra ndryshe nga vizita kur ishte Edi Rama këtu, Vuçiqi nuk u mirëprit nga qytetarët dje, por u mirëprit nga udhëheqja komunale dhe u dëshmua se kryetari ka vepruar më shumë se një person privat dhe ai duhet të jap përgjegjësi dhe përgjigje pse ka zgjedhur t’ia jap një mirënjohje një kryetari i cili ka një kaluar fashiste, por aq më tepër do të thotë një kryetar i cili është përgjegjës për diskriminimin dhe shtypjen e shqiptarëve në Luginë”, ka deklaruar Kamberi për “Zëri”.
Sipas tij, kreu i Preshevës, nuk ka pasur asnjë arsye përse t’ia dhurojë këtë mirënjohje kreut të ekzekutivit serb, pasi që siç deklaroi Kamberi, Vuçiq nuk ka bërë asgjë për shqiptarët dhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Ai ka thënë se ky gjest i Mustafës është vetëm në të mirë të Vuçiqit dhe të Serbisë dhe asgjë më shumë.
“Fatkeqësisht kjo mirënjohje ia dhe nja poen pozitiv Serbisë në Bruksel, e cila po i duhet tani Serbisë në këto momente për interesat e veta si në Kosovë si në kuadër të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Pra zotri Mustafa në një mënyrë ia dha një vizë Serbisë për afrim me Brukselin. Fatkeqësisht pa asnjë kthim prapa për realizimin e të drejtave të shqiptarëve këtu, por vetëm me një vizitë simbolike”, ka deklaruar për “Zëri” Kamberi.