Ja çfarë shkruan gazetari i Preshevës  për Ardita Sinanin
Lokale

Ja çfarë shkruan gazetari i Preshevës për Ardita Sinanin

06.Jun.2016 02:23
0
Është një revolucion i vogël. Një grua zgjidhet për herë të parë kryetare e Kuvendit Komunal të Preshevës, në Luginën e Preshevës. Në këtë qytet me shumicë shqiptare, ku papunësia arrin në 60% të popullatës aktive, atë e presin sfida të shumta.

«Historike», titullonin të premten shumë media, serbe dhe shqiptare. “Një grua në krye të parlamentit lokal në Preshevë»... Është pa dyshim një risi për qytetin dhe mbase edhe një shembull i rrallë në rajon.

Ekonomiste dhe informatikane, Ardita Sinani, 35 vjet, do ta drejtojë deri në vitin 2020 kuvendin vendor të këtij qyteti me shumicë dërmuese shqiptare në jugun e skajshëm të Serbisë. «Është një përgjegjësi e madhe për mua», ka reaguar ajo pas zgjedhjes së saj nga shumica e re lokale, e cila sapo e ka rrëzuar nga pushteti ish-kryetarin konservator dhe popullist, Ragmi Mustafa, nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), i cili e sundonte qytetin që dymbëdhjetë vjet, falë një rrjetit të fuqishëm të nepotizmit dhe klientalizmit politik.

E diplomuar në Prishtinë, kjo shqiptare e shtresës së mesme urbane të Preshevës, është profesoreshë në gjimnazin e qytetit: «Skënderbeu».

Ardita Sinani ishte bashkuar me Partinë për Veprim Demokratik (PVD) më 2005, ku është ngritur gradualisht në pozita. E mbështetur, me sa duket, nga shefi i partisë Riza Halimi, ajo e drejton sot degën e partisë për Preshevën.

«Do të angazhohem për të gjithë qytetarët dhe dëshiroj të ketë sa më shumë gra të përfaqësuara në pozitat vendimmarrëse», shton kjo nënë e dy fëmijëve në të tridhjetat e saj.

Koalicioni i ri, në krye të Preshevës, është formuar nga PVD dhe subjekti i ri politik, Alternativa për Ndryshim, kreu i së cilës, Shqiprim Arifi, është zgjedhur kryetar i qytetit. Ai është një i ri që vjen nga mërgata shqiptare e Gjermanisë. Ai është kthyer para tri vitesh për të jetuar në Preshevë. Është gjithashtu hera e parë që komunën e udhëheq një kryetar, i cili buron nga mërgata.

Elegante dhe e angazhuar, Ardita Sinani lufton gjithashtu për një përfaqësim më të mirë shoqëror të gruas, në një shoqëri ende shumë seksiste. «Ndoshta është më vështirë për ne, se për gratë e rajoneve të tjera», pranon ajo.

Kandidate e dytë në listën e PVD-së në zgjedhjet parlamentare serbe të 24 prillit, ajo nuk arriti të zgjidhet deputete dhe është dashur të «mjaftohet» me postin e kryetares së kuvendit lokal. Në fakt, të gjitha partitë e tjera shqiptare bojkotuan zgjedhjet parlamentare serbe dhe si rrjedhojë, vetëm kandidati i partë në listë arriti të zgjidhet, për t’i përfaqësuar shqiptarët në Kuvendin e Serbisë. «Keq që e zgjodhën bojkotin, mbase disa parapëlqyen ta mbështesin listën e Muhamer Zukorliqit», pohon Ardita Sinani.

Përderisa procesi i paqes dhe i integrimit në Luginën e Preshevës lë ende shumë për të dëshiruar dhe që dialogu midis Beogradit e pakicës kombëtare shqiptare mbetet i bllokuar, shumë probleme që kërkojnë zgjidhje janë sot mbi tavolinën e Ardita Sinanit, së cilës do t’i duhet me siguri mbështetja e kolegëve të saj. 

Në një qytet ku papunësia arrin deri në 60% të popullatës së saj aktive dhe përballë regjimit autoritar të Aleksandër Vuçiqit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, Ardita Sinani mbetet megjithatë optimiste. «Papunësia mbetet problemi ynë kryesor, si dhe ai i teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë», thotë ajo.

E cilësuar nga ithtarët e saj si «Hillary Clinton e Preshevës» dhe si «Atifete Jahjaga e Riza Halimit» nga kundërshtarët; Ardita Sinani ka bindur edhe më skeptikët se ajo mund të zgjidhet. Sfida e saj mbetet të bindë se mundet të udhëheqë. «Qëllimi im është që Presheva të bëhet një qytet normal, ku gëzohen të drejtat e barabarta sikurse në qytetet tjera, me mundësi të barabarta zhvillimi. Nëse e realizojmë këtë qëllim, atëherë mund të thuhet se ia kam dalë», përfundon ajo.

(Ky artikull është shkruar nga Belgzim Kamberi dhe  botuar në portalin francez: «Courrier des Balkans», www.courrierdesbalkans.fr)

Në Preshevë përurohet libri me poezi "Fjalë e lot" i autores Marigona Fejzullahu
Granit Kamberi uron besimtarët për muajin e shenjtë të Ramazanit (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration