Vështrime
Hileja e Rezolutës për Luginën
Një Rezolutë për popullatën autoktone dhe atë të zhvendosur të Kosovës Lindore / “Luginës...”, e paraqitur në Kuvendin e Kosovës nga deputeti Lutfi Haziri dukej se do të ishte e pranueshme për të gjithë por paraprakisht e kishte aromën e dështimit .
Shkruan: Qazim Azizi
Duke pasur parasysh se ajo do duhej të ishte ZËRI i të gjithë qytetarëve të tri komunave me shumicë shqiptare e që pritej me entuziazëm se diçka do të lëvizte në drejtimin e mirë për ta, ishte parapërgatitur dhe paraqitur në formë hileje.
Të nisemi që nga fillimi, “Rezoluta” në fjalë nuk e kishte marrë “unanimitetin” dijen e plotë të të gjithë njerëzve atyre të shpërngulurve e vuajturve, duke lënë plotësisht jashtë hallet e njeriut të thjeshtë.
Hileja kishte nisur me një iniciativë plot hile të shoqatës “Vatra” e cila donte të merrte “flamurin” e një kinse Lëvizje gjithëpërfshirëse apo edhe protektore të njerëzve të përvuajtur duke mos pasur fare apo pjesërisht izën për këtë iniciativë. Ata kryemëvete vetëm për t’u treguar, apo edhe tregtuar në opinion se janë subjekt me peshë politike e që nuk janë akoma, morën një barrë të rëndë duke thënë se: “Ne jemi Kosova Lindore”...!!!
Thënë thjeshtë, ata menduan se me këtë akt do të fitonin votat e shqiptarëve të shumtë të “Luginës” në zgjedhjet e ardhshme të nivelit lokal në Komunën e Gjilanit. Nga kjo rrjedh edhe zhgënjimi i madh publik i tyre me parlamentarët e Kuvendit të Kosovës, sepse hile deshën atë e fituan.
Hileja e dytë, deputeti Lutfi Haziri LDK (edhe kjo për çështje elektorale), duke marrë përsipër angazhimin e paraqitjes solide të kësaj “Rezolute” në Parlament i cili dominohet dhe udhëhiqet nga PDK-ja me aleatë, e të cilët do të kishin dashur që kjo “Rezolutë” të shkonte përmes grupit të tyre në parlament dhe ata pra PDK ishin anashkaluar nga subjekte politike, shoqata e organizata tjera te Kosovës Lindore.
Dihej paraprakisht se nëse rezoluta do të kishte sukses, atëherë LDK dhe Lutfi Haziri në Gjilan do të njihej si njëri ndër deputetët “mbrojtës e paraqitës i të drejtave të shqiptarëve nga Lugina”. Kjo s’do të mundë të ndodhte, sepse në këtë rast LDK dhe zoti Haziri me një gurë të mbyste dy zogj; dhe të merrte primatin e liderit të Anamoravës, duke ditur “pasojat” dhe atë se çka do të thotë për këtë vit zgjedhor...!!??
A do të mundë të kapërdinin këtë rreng PDK-ja, kryministri Thaçi, deputetët e koalicionit të shumicës në Parlment si dhe pretenduesit për kryetar të PDK-së dega Gjilan zotërinjtë; Zenun Pajaziti, Qemajl Mustafa, Izmi Zeka apo Nijazi Idrizi..?!
Hileja e tretë, propozimi i paqartë i kryeministrit që çështja “Kosovë Lindore “ të lidhet me çështje të Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që bisedat rreth kësaj agjende të vihen kinse në nivel më të lartë, shkurt, kjo punë të jetë agjendë qeveritare dhe në fund të përfundojë me nja 50 vota deputetësh. Angazhimi i tij dmth. Lutfi Haziri kinse do ta kushtëzojë aprovimin e “Rezolutës” me aprovimin e “Marrëveshjen e Qeverisë me Serbinë” nuk e beson kush.
Po, - cila do të ishte mënyra më e mirë dhe më e drejtë e paraqitjes së kësaj Çështje të pazgjidhur..?!
Sipas mendimit tim, shoqata “Vatra” dhe subjektet tjera të kësaj ane (Preshevës, Bujanocit e Medvegjës) e dinë dhe njohin mirë potencialin akademik, politik, juridik e ekonomik të të gjithë njerëzve të tyre. Ata në Kosovë njihen dhe respektohen botërisht si shkencëtarë si akademikë dhe si njerëz publik të respektuar. Ata, përpos çështjes shqiptare, kosovare do të jepnin gjithçka nga dija dhe shpirti që kjo agjendë e bashkëqytetarëve të tyre të ishte shumë më e niveluar për opinionin Kosovar, Shqiptar dhe Ndërkombëtar.
Meqenëse me vite të tëra ishin ata të cilët kanë bartur një barrë kryesore të sensibilizimit të çështjes shqiptare në botën e civilizuar, do të ishte e pajustifikueshme që këta “Organizma Politik ” të mos konsultoheshin së paku me: Idriz Ajeti, Nexhat Daci, Hivzi Islami, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Musa Limani, Rexhep Qosja Lumir Abdixhiku dhe një numër i madh profesorë, juristë që kjo Formë a Format i Rezolutës përveç aprovimit të sigurt në Kuvendin e Kosovës, ajo do të mirëpritej edhe në tjera Këshilla e Organizma më të larta Evropiane e botërore.
Emri i këtyre njerëzve do të na kishte bërë krenarë të gjithë neve si bashkëqytetarë, emri i tyre do të ishte një shtytës i madh i proceseve në lidhje, dhe kauzën aktuale të Kosovës Lindore, sepse ata, fillimisht ishin djemtë e kësaj ane e tani mundë të ishin etërit a pleqnarët kryesor për çështjen e përbashkët, Kosovën Lindore. Në ndërkohë ajo Rezoluta mundë edhe të aprovohet në Kuvend por, ne si qytetarë jemi të interesuar për efektet pozitive të saj, dhe jo për ndonjë përfitim politik të subjekteve që i përmendëm më lart.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!