Ejupi siguron 11 mijë teste për COVID-19, dëshiron t’i dërgojë 1 mijë në Preshevë
Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka siguruar 11 mijë teste për COVID-19, për Republikën e Kosovës.
Ejupi këtë e ka deklaruar përmes një interviste televizive në Klan Kosova ku tha se janë 11 mijë teste, potencialisht deri më 20 mijë teste, teste këto që do të futen edhe në sport.
"E di se Kosova ka vështirësi sa i përket testimeve, kam qenë vazhdimisht në kontakt për punën e testeve. është vështirë të gjendet një test tani", ka thënë Remzi Ejupi, transmeton "Zeri.info".
Ai ka shtuar se është gjithmonë në kontakt me IKSHPK-në dhe ministrinë e Shëndetësisë.
"Kosovës nuk do t’i mundojnë testet në të ardhmen, testet do t’i dorëzojmë në IKSHPK, ne do të donim të dhuronim edhe 1 mijë teste edhe për në Preshevë por të shohim se si do ta bëjë ndarjen IKSHPK", ka përfunduar ai.
I ftuar në studio ishte edhe mikrobiologu Lul Raka, i cili u shpreh se këto teste i duhen Kosovës dhe që vendi s’ka pasur kaq shumë teste që nga fillimi i pandemisë.