Lokale
Bujanoci e Presheva bëjnë “politikë”, fqinjët hapin fabrika e punësojnë qytetarë
Pas fabrikës italiane të këpucëve “Geox” e cila iku nga Bujanoci për të investuar në Vranjë, një investitor tjetër është interesuar që të blejë një fabrikë në komunën fqinje Surdulicë, pjesë e Rrethit të Pçinjës
Kryetari i komunës së Surdulicës Novica Toncev tha për mediat vendase se ky investitor italian është lajmëruar para disa muajve duke qëndruar edhe në komunën e Surdulicës ku ka vizituar objektin e fabrikës “Zastava Partner Pes”.
Kompania nga Italia që merret me prodhimin e teknikës së bardhë, paraprakisht i ka dërguar letër institucioneve shtetërore ku kanë treguar gatishmëri për fillimin e prodhimit në këtë fabrikë të Surdulicës, që dikur ishte e suksesshme, transmeton Titulli.
“Ne si vetëqeverisje lokale jemi shumë të kënaqur që njëra prej gjashtë kompanive më të suksesshme në botë për prodhime sanitare është e gatshme që të fillojë prodhimin në komunën tonë. Në kuvend kemi sjell vendim për vlerësim financiar të kapitalit me 400.000 dinarë, në mënyrë që procesi të shpejtohet”, thotë Toncev, i cili njëherit thekson se tani është duke pritur vetëm një nënshkrim dhe prodhimi në “Zastavë” të fillojë.
[caption id="attachment_108579" align="aligncenter" width="440"] Objekti i fabrikës “Zastava Partner Pes”, Surdulicë[/caption]
Me aktivizimin e kësaj fabrike, investitorët italian kanë premtuar se janë të gatshëm të punësojnë 150 punëtorë, pa kurrfarë problemi dhe pa subvencione nga shteti.
Le të kujtojmë se Agjencioni për privatizim në prill të vitit të kaluar ka shkëputur marrëveshjen për shitjen e ndërmarrjes “RS Partner Pes” në Surdulicë, pasi pas më shumë se dhjetëra kontrollime është vërtetuar se pronari i ri nuk iu ka përmbajtur në kontinuitet programit social dhe punësimit në ndërmarrje.
Ndërkaq, vlera kapitale e “Zastavës” së Surdulicës është tre milion euro, ndërsa borxhin që ka ndaj shtetit është dy milion euro.
Kjo ndërmarrje përveç objektit të fabrikës në Surdulicë ka edhe pronë në Vllasinë dhe në Bujanoc.
Vlen theksuar se kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër që investitorët e huaj nuk vijnë të investojnë, apo të blejnë fabrikat shoqërore të Bujanocit e Preshevës.
Gjatë kësaj kohe liderët shqiptarë janë të zënë me politikën lokale, tani aktuale zgjedhjet Parlamentare, derisa premtimet për punësim me shifra që prapa kanë tre zero, thuajse nuk guxojnë ti përmendin më në opinion./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!