Bejar Fazliu: Të masivizojmë Karatenë në Luginë të Preshevës (video)
Lokale

Bejar Fazliu: Të masivizojmë Karatenë në Luginë të Preshevës (video)

16.Dec.2015 10:06
0
"Të jesh në vendin tënd është një ndjenjë e mirë, të jesh në mesin e njerëzve ku je rritur, je shkolluar e vepruar me karate është ndjenjë e mirë, jo vetëm për mua, por besoj për çdo njeri tjetër", ka thënë në një intervistë për Titulli.com Bejar Fazliu, mjeshtër i Karatesë Tradicionale 7 DAN.

Ai ka vlerësuar lartë edhe prezencën në seminarin e fundit në Bujanoc të Vladimir Jorga, president i Federatës Evropiane të Karatesë Tradicionale.

“Gjithë aktiviteti im ka të bëjë me çështjen e masivizimit të karatesë në Luginën e Preshevës. Unë personalisht nuk jam i kënaqur, si kryeinstruktor i tyre, sepse këta mund të bëjnë më tepër për karatenë këtu”, theksoi mes tjerash Fazliu.

Ai tha se  33 vite në karate ushtron 20 orë, e kam edhe punë, por ushtroj dhe jam 20 orë në javë me kimono, gjegjësisht me karatenë.

“Dëshira dhe puna ende është duke vazhduar në themelimin e Akademisë së karatesë tradicionale në Luginë të Preshevës. Mendoj se një objekt i tillë do t’i mbledh të gjithën njerëzit që të ushtrojnë në një hapësirë”, është shprehur Bejar Fazliu. 

 

Profesor Fazliu, pas një viti gjendeni prapë në Luginë të Preshevës. Si ndjeheni, si e shihni këtë rajon?

Bejar Fazliu: Së pari falënderoj Titullin që përcjell gjithmonë aktivitetet tona. Por momentin për shkak të punës sime që jam shumë larg, një herë në vit organizojmë aktivitetet të caktuara, qofshin ato seminare apo provime e gjithçka tjetër në lidhje me karatenë. Të jesh në vendin tënd është një ndjenjë e mirë, të jesh në mesin e njerëzve ku je rritur, je shkolluar e vepruar me karate është ndjenjë e mirë, jo vetëm për mua, por besoj për çdo njeri tjetër. Ishte një kënaqësi pasi patëm mundësi të organizojmë një seminar me profesorin e nderuar të karatesë, Vladimir Jorga, i cili ka postin e presidentit të Federatës Evropiane të Karatesë Tradicionale. Si i tillë ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i profesorit Hidetaka Nishiyama. Siç dihet profesori Nishiyama ka vdekur në vitin 2008. Ai ka qenë drejtori i parë i Asociacionit të Karatesë të Japonisë, i vendosur nga vetë profesori Masatoshi Nakayama. Dmth si drejtori i parë i organizatës më të fortë të karatesë në botë, është një figurë eminente në karatenë tradicionale. Vetë emërimi i profesorit Jorga si president i Federatës Evropiane të Karatesë Tradicionale (FEKT) është nder i madh për profesorin, por edhe ne si studentë të tij.

 

Kur jemi tek organizimi i seminarit të fundit, si e shihni rolin e mbajtjes së këtij seminari tek karateistët në Luginë të Preshevës?

Bejar Fazliu: Unë mendoj se vetë prezenca e profesorit Vladimir Jorga, si një zyrtar i lartë i FEKT-së tregon rëndësinë dhe peshën e karatesë në vetë Luginën e Preshevës. Gjithashtu është kënaqësi që ne e kemi pasur si mysafir dhe si kryetar komisioni për provimin për gradët e larta të karatesë. Pastaj, dëshira dhe gjithë aktiviteti im ka të bëjë me çështjen e masivizimit në Luginën e Preshevës. Unë e shoh si masivizim karatenë, e ndoshta dikush tjetër mund t’a kuptojë si individualizim, që nuk është një çështje që duhet të jetë prezent në rrethin tonë, por duhet të jetë masivizimi dhe puna e instruktorëve, e ish studentëve të mi, të cilët disa janë aktiv e disa jo. Puna e tyre me të rinj të jetë prezent dhe më e madhe, dmth të kemi mundësi të krijojmë një relacion ndërmjet prindërve dhe studentëve, të krijojmë aktivitet. Unë e kuptoj, nuk është viti 1992, kur unë kam filluar me karate për herë të parë në Luginën e Preshevës, por përsëri edhe pse është kjo kohë e teknologjisë, ka mundësi, sepse kjo kohë jep hapësirë për komunikim me masën, me prindërit, me familjet, që të rinjtë t’i futin në sportin e karatesë, në shkathtësitë e karatesë. Kjo është një ndihmesë, nëse këtë mund ta bëjmë, atëherë unë besoj që do të jetë më i madh numri i njerëzve që do të merren me sportin e karatesë.

 

Kur jemi tek zhvillimi i karatesë në Luginë e Preshevës, i përmendët edhe studentët tuaj. Nëse flasim për përgatitjet apo aktivitetet e instruktorëve, si e shihni gjendjen e tyre?

Bejar Fazliu: Pyetje shumë me vend. Unë vetë me gjithë këto vite, me 33 vite në karate, unë ushtroj 20 orë, e kam edhe punë, por ushtroj dhe jam 20 orë në javë me kimono, gjegjësisht me karatenë. Nëse marrim disa standarde tjera, disa statistika tjera, dhe shikojmë nga ana tjetër se në një klub të karatesë ushtrohet tre herë në javë dhe ata kanë një stërvitje 60 minutash, atëherë i bie tre orë në javë, apo 12 orë në muaj. Nëse marrim tërë vitin, nëse punojmë 50 javë, i bie sigurisht rreth 500 orë në vit. Çështja është nëse këta djelmosha e marrin këtë përsipër dhe ushtrojnë më tepër, e marrin seriozisht punën dje japin kontributin e tyre në bazë të moshës që kanë, sepse angazhimi në karatesë është sipas moshës, nuk mund organizmi me diferencë 10 apo 15 vjeçare të reagojë njëjtë. Të rinjtë mund të ushtrojnë me një intensitet më të lartë. Por, prapë puna e tyre mund të jetë njësoj, sepse sa më tepër që këta njerëz të merren me karate në moshë të vjetër, fitojnë më tepër shkathtësi, sepse gjatë kohës kur vjetrohesh fiton më tepër analizë dhe shkathtësi, kurse kur je i ri ke dëshirë që më tepër t’i plotësosh teknikat në bazë të aftësive fizike që ke, sepse aftësitë fizike në atë kohë, prej 18 deri në 21 vjeç, janë të larta. Sa i përket pyetjes suaj, sa këta djem merren me karate, unë personalisht nuk jam i kënaqur, si kryeinstruktor i tyre, sepse këta mund të bëjnë më tepër. Unë e di, situata nuk është e kënaqshme 100 për qind, mirëpo kur është dëshira e madhe për të studiuar, atëherë nuk ka pengesa, psh të kohës për shkak ftohjes. Unë mendoj se duhet një set up në kokë, që ata me të vërtetë ta kuptojnë se duhet të ushtrojnë, ta masivizojnë karatenë më tepër, të jenë prezent nëpër shkolla, nëpër media me shkrime. Por, ne kemi një mentalitet që nuk e ndihmon situatën sepse egoizmi i stërngarkuar në individualizëm të personave nuk sjell aftësi dhe mundësi për të ecur përpara. Ai sjell vetëm çështje individuale dhe ndarje të masës dhe të instruktorëve. Unë besoj që nëse këta kuptohen ndërmjet veti më tepër, do të jetë më mirë dhe do të kenë suksese më tepër në karatenë e Luginës së Preshevës.

 

Ju tani jetoni dhe veproni në SHBA. A mund të na tregoni dallimin në mes të zhvillimit të karatesë atje dhe në Luginë të Preshevës?

Bejar Fazliu: Vetë fjala Amerikë dhe Luginë e Preshevës ka dallim të madh. Koncepti i të menduarit në Amerikë është komplet ndryshe. Unë punoj edhe jam shef i instruktorëve në Philadephia, dhe kemi një klub që ka ndërmjet 220 e 250 anëtarë. Punoj me mosha të ndryshme dhe më tepër është një përzierje e një stili amerikan dhe një stili korean të karatesë, mirëpo më tepër ka karakterin e edukimit të fëmijëve. Si edukohet fëmija? Po marr një shembull të shkurtë. Fëmija që vjen në një moshë 5 apo 6 vjeç dhe futet në sallën tonë atje, ai ka dy mundësi të vij, herën e parë dhe të dytë. Në këto dy herë ne duhet të regjistrojmë fëmiun. Herën e parë kur vjen ne i japim uniformën e karatesë, prezantohemi, i tregojmë rregullin e Dojos brenda se si duhet të sillet, kurse në herën e dytë ai duhet të merr brezin e bardhë. Për të marrë brezin e bardhë, ne fëmijëve i mësojmë si karakter edukimi, anglisht i thonë “good manners”, dmth për sjellje të mirë të fëmiut, ne i themi “seven magic words”, shtatë fjalët magjike që fëmija duhet t’i thotë para studentëve, para shokëve në ushtrime, në fund të ushtrimeve. Ne e kemi brezin e bardhë, mirëpo kërkojmë nga ai që ato t’i përsërit. Këto fjalë janë “po zotëri”, “jo zotëri”, “po zonjë”, “jo zonjë”, “ju lutem”, “faleminderit” dhe “s’ka përse”. Këto janë fjalët e sjelljes së mirë, të bontonit, që fëmija fillon prej asaj moshe, 4 – 5 vjeçare, për t’i aplikuar ato, jo vetëm në Dojo, por edhe në jetën e përditshme. Ky sistem i edukimit të fëmijëve mund edhe tek në të përdoret. Unë e di se është pak vështirë të përdoret ai sistem, për shkak të rrethit, mentalitetit, mirëpo nëse fillojmë një herë, një vit, dy, tre, do të ndërrohet koncepti dhe fëmijët do të përgatiten më tepër për jetë. Si plotësim i kësaj, ne i japim edhe fy fleta. Një fletë që është një listë e detyrave që fëmija duhet t’i kryejë gjatë javës dhe e sjell të hënën. Dhe tjetra është “self discipline card”, një fletë e vetë disciplinimit, që ai duhet t’i shkruajë të gjitha që i ka bërë gjatë një muaji, duke i bërë i vetëm, jo duke i ndihmuar dikush i familjes. Njëra është një herë në javë, të hënën, ndërsa tjetra është një herë në muaj. Kur i sjellin, thërrasim emrin dhe mbiemrin e studentit, e duartrokasim si përshëndetje për atë që ka bërë, shembull ka dëgjuar prindërit, ka mbajtur higjienën trupore, pastaj përgatitja e çantës për shkollë, përgatitja e këpucëve. Dhe pjesa e dytë “self discipline card”, studentët e sjellin një herë në muaj, në fillim të muajit, por fëmija i bën detyrat vetë, edhe atë tre muaj rresht. Dhe atëherë ai fiton të drejtën për të dal në provim. Pra, pjesën e detyrave shtëpiake e ka përfunduar dhe tani është i gatshëm për provim. Por, prapë nëse nuk e njeh lëndën e karatesë, teknikat e karatesë, ai duhet t’i plotësojë edhe ato, për t’i kompletuar dyja bashkë për të dal si kandidat për provimin e ardhshëm, qoftë ai brez i verdhë, portokall apo brez tjetër.

 

Para se të shkoni në SHBA keni zhvilluar karatenë tradicionale përveç Luginës së Preshevës, edhe në Kosovë. A mund të na thoni diçka lidhur me këtë, dhe cili është aktiviteti juaj aktual për karatenë tradicionale në rajon?

Bejar Fazliu: Dihet se në hapësirat tona ekziston karateja tradicionale, dhe si themelues të saj, si propagandues e mësues të saj, ne mund të marrim profesorin Vladimir Jorga dhe profesorin Ilija Jorga, të cilët janë pionierët e karatesë, jo vetëm në ish- Jugosllavi, por edhe në tërë Evropën. Janë njerëz që kanë përvojë të madhe në karate, diku mbi 55 vjeçare. Janë njerëz që kanë marrë në shumë seminare, në shumë provime, qe edhe vetë tani i organizojnë. Siç thash prof Vladimir Jorga është president i FEKT-së, kurse prof Ilija Jorga është themelues i stilit personal të tij Fudokan International Karate Federation. Kështu që edhe aktiviteti im si student i tyre për gjithë këto vite kam qenë ushtrues i karatesë tradicionale. Ekziston edhe karateja moderne që njihet me World Karate Federation, që merret me garat sportive dhe me çështjen e ekzekutimit të katave ose formave. Ndërsa në karate tradicionale ne shikojmë këtë koncept si shkathtësi, nuk e shikojmë vetëm si garë. Gara tek ne është një pjesë e karatesë tradicionale, që sportistët i plotësojnë dëshirat e tyre për të garuar për të qenë i pari. Në Kosovë në vitin 1999 me iniciativën time dhe disa studentëve të mi kemi themeluar Federatës e Karatesë Tradicionale të Kosovës (FKTK), e cila në vitin 2002 është pranuar për një kohë të caktuar nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale (FNKT), që njihet si ITKF në Amerikë. Mirëpo për shkak të statusit politik të Kosovës që nuk ishte pjesë e OKB-së dhe ende situata është e këtillë, prof Nishiyama e vendosi atë si një anëtare me status të ngrirë, të marr pjesë në aktivitete, seminare, në edukimin e personelit të saj, por mos të marr pjesë në gara derisa të rregullohet çështja e statusit final në OKB. Mirëpo deri në vitin 2006 ka qenë mirë, kemi bërë seminare dhe gara në kuadër të FKTK-së dhe kemi pasur aktivitete të ngjeshura në përgatitjen e referëve, të personelit dhe nesër nëse vjen koha të bëhemi anëtar të plotë të FNKT-së, të jemi të gatshëm që me të vërtetë të marrim pjesë si personel i organizuar.

 

Të kthehemi edhe një herë në Luginë të Preshevës, cilët janë planet tuaja? Keni përmendur edhe më herët se është një iniciativë që të ndërtohet një akademi për karatenë tradicionale. A mund të na thoni diçka më tepër rreth planeve tuaja, dhe çfarë duhet të ndjekin të gjithë ata që merren me karate tradicionale në Luginë të Preshevës?

Bejar Fazliu: Dëshira dhe puna ende është duke vazhduar në themelimin e Akademisë së karatesë tradicionale në Luginë të Preshevës. Mendoj se një objekt i tillë do t’i mbledh të gjithën njerëzit që të ushtrojnë në një hapësirë. Do të jetë një hapësirë e shenjtë për çështjen e karatesë. Tani kjo është ide dhe dëshirë, por unë besoj se pa u krijuar ideja dhe dëshira për të realizuar diçka, nuk mund të krijohet realiteti i mëvonshëm. Mund të tingëllojë tek pesimistët vetëm si ide dhe propagandë e thatë, mirëpo unë besoj që jo. Unë jam duke punuar, jam duke i shikuar të gjithë mundësitë që një objekt të tillë ta themelojmë në Luginë të Preshevës dhe ta faktorizojmë Luginën, jo vetëm për vetveten, për ne, por ta faktorizojmë në arenën ndërkombëtare ose në rajon. Ekziston një gjë e tillë që polakët e kanë krijuar në Poloni. Ministria  e sportit e Polonisë dhe ambasada japoneze kanë dhënë mjete të caktuara dhe kanë ndërtuar një Dojo, që e quajnë Dojo Stara Wies, që mund ta shihni edhe në internet. Atje është një hapësirë e madhe kodrinore, ka një Dojo kryesore, i ka ca shtëpiza të vogla ku studentët nga të gjithë rajonet mund të qëndrojnë kur mbahen seminaret një javë apo dy, varësisht sa zgjat seminari. Ne nuk kemi koncept të tillë të bëjmë, sepse atje sigurisht kanë hyrë miliona dollarë për realizimin e atij projekti, por ne mund ta bëjmë një objekt dikund në Luginë të Preshevës që ka psh 1.000 apo 2.000 metra katrorë. Aty mund të bëjmë një Dojo të mirë, një hapësirë ku mund të ushtrojnë aktivitetin e karatesë të ndarë fillestarët, ata që janë të mesëm dhe ata që kanë brezin e zi. Çka është vizioni im? Vizioni im është “jeta është e shkurtër, veprat janë ato që ne i lëmë mbrapa”. Ne ose me vepra ose pa vepra do të vdesim, kështu që më mirë është që të lëmë vepra, që rinia jonë që vjen pas nesh të ketë një mundësi të ushtrojë karatenë si Fudo, si shkathtësi luftarake në këto treva ku jetojmë. Kjo është e mundshme të realizohet, kërkon mjete, kërkon kohë, bisedime, por unë besoj fortë se kjo do të realizohet në një kohë të shkurtër. T’i them të gjithë studentëve të mi, dhe popullit të këtij vendi që jam rritur se sa më tepër që ne kemi bashkëpunim ndërmjet veti, sa më tepër që nderojmë hierarkinë e çdo lloji, jo vetëm në karate, unë besoj që ka mirëkuptim, se më mirë është të ndihmojmë se të pengojmë. Nëse pengojmë nuk është gjë e mirë, nëse ndihmojmë është një gjë e mirë. Kështu që, nëse ne orientohemi drejtë ndihmave, ne besojmë se kjo do të realizohet. Të gjithë këta karateistë, të komunës së Bujanocit dhe të komunës së Preshevës, do të ushtrojnë në një vend, një vend i cili do të jetë i shenjtë për karate, që do të vizitohet nga instruktorët eminent botëror të karatesë, dhe në këtë mënyrë në do të hapim dyert edhe pse është vendi i vogël, mirëpo ne do të faktorizohemi në agjendën ndërkombëtare të karatesë. Vetëm kur të sheh dikush se ti e njeh problematikën e karatesë, atëherë do të shtroj respektin ndaj teje. Nëse ne nuk e njohim problematikën e karatesë, atëherë është problem. Ne do të jemi gjithnjë pjesë e njerëzve që do të trokasim në dyert e dikujt tjetër. Por me masivizim, me përgatitjen e këtij objekti të akademisë, unë besoj se edhe njerëzit tjerë do të vijnë tek ne, do të na respektojnë për shkak të punës që e kemi bërë.

 

Dhe në fund nëse keni të shtoni diçka që ndoshta kemi harruar të përmendim?

Bejar Fazliu: Unë nuk kam diçka specifike të shtoj. Unë kam vetëm një porosi, që ne duhet të gjejmë një gjuhë të mirëkuptimit, t’i thejmë ato barrierat egoiste dhe individualizmat. Të ulemi dhe të bisedojmë në bazë të fakteve, dhe në bazë të mundësive çfarë mund të bëjmë më mirë, e jo çka mund të pengojmë që dikush të mos shkojë përpara. Porosia ime është edhe për njerëzit që kanë mundësi të ndihmojnë Luginën, njerëzit e sferës politike, njerëzit të cilët kanë ndikim, shembull në fonde, në mjete, që të ndihmojnë rininë më tepër. Sepse unë mendoj që sa më tepër të kemi rininë e shëndoshë, aq më tepër do të jemi më të koncentruar, më të suksesshëm në jetë. Edhe një gjë do ta them shkurtë, besoj që nëse një person është i shëndoshë, ai person do të krijojë një familje të shëndoshë, nëse ajo familje është e shëndoshë, ka pozitivitet, energji në familje. Unë mendoj që edhe komuniteti do të jep energji pozitive. Kur komuniteti është i shëndetshëm, ka energji pozitive, atëherë nuk ka dëshira të errëta që njeriu të mendojë negativisht. Këto sende dikush mund t’i kuptojë e dikush jo, por në Amerikë është shumë interesante që çdokush të mendojë pozitivisht në mënyrë që mos të shikojë mbrapa, të shikojë përpara. Edhe pse deri sot s’kam arritur këtë, ka mundësi ta arrijë nesër, dmth të jetë pozitiv dhe të punojë për atë. Unë ku jam këtu, këto nuk i kam arritur pa punë. Historia ime është shumë interesante. Unë kam punuar edhe si 14 vjeçar, kam mbledh kaqa, kam mbledhur qershia, kumbulla, këpurdha për të siguruar librat dhe fletoret për vete. Pastaj, në rrethinën e Beogradit kam mbledhur dredhëza gjatë muajve të verës dhe me këto të holla kam blerë libra. Në studime kam punuar në Zvicër punë të ndryshme për të mbështetur studimet e mia. Do të thotë gjithë atë çfarë kam bërë, nuk ka ardhur prej dikujt tjetër, ka ardhur prej dëshirës sime. Po të isha ndalur, sigurisht do të ishte ndryshe, por unë s’jam ndalur. Suksesi nuk është shumë i shpejtë, suksesi vjen ngadalë. Për të arritur, për të bërë diçka, duhet një kohë e gjatë. Mirëpo duhet edhe energjia konsistente, e pandalshme, që duhet të ec përpara, sepse nëse ajo mungon, besoj që mungon edhe suksesi. 

VIDEO: 

 

Biografia e Bejar Falziut: 

Bejar Fazliu është i lindur me datë 15.02.1968 në fshatin Raincë të komunës së Preshevës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen në Preshevë dhe Bujanoc. Është i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit. Në vitin 1990 shpallet laureat i studimeve dhe merr çmimin Student i Dalluar nga Universiteti i Prishtinës. Po në këtë fakultet, ka marrë edhe thirrjen Magjistër i Shkencave të Kulturës Fizike. Momentalisht është duke punuar në temën e Doktoratës në lëmin e karatesë.

Me karate ka filluar të merret në formë të lirë që në moshën 14 vjeçare, i frymëzuar nga filmat e arteve marciale. Profesionalisht, karatenë e ka filluar me regjistrimin e fakultetit në Prishtinë, duke u angazhuar në klubin e karatesë “Batllava”.

Si profesionist, në vitin 1992 formon shkollat e karatesë në Kosovën Lindore (ose Lugina e Preshevës), një hap ky kolosal në aftësimin e shumë brezave të rinj, duke ua mundësuar përvetësimin e shkathtësive të karatesë. Një numër i madh i tyre sot janë mjeshtër dhe e mbajnë barrën kryesore në zhvillimin e karatesë tradicionale në trojet shqiptare.

Në vitin 1999, pas rrethanave të reja të krijuara me përfundimin e luftës në Kosovë, Bejari vendoset në Prishtinë. Ndër hapat e parë që ka ndërmarrë asokohe ishte themelimi i Federatës së Karatesë Tradicionale të Kosovës (FKTK), e cila që në vitin 2002 është njohur zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale, me në krye tani të ndjerin Sensei Hidetaka Nishiyama.

Përpos angazhimeve në FKTK dhe në jetën civile, Sensei Fazliu me përkushtimin më të madh ka aftësuar edhe shumë pjesëtarë të Gardës së Kosovës në TMK, ku u angazhua si instruktor i Shkathtësive Luftarake që nga viti 1999 e deri në vitin 2003.

Prej vitit 2003, Sensei Fazliu e ka ushtruar personelin per mbrojtje te afert te perfaqesuesit  special te  Kombeve te Bashkuara ne Kosove, per cka ne vitin 2006 nderohet me mirenjohje nga ish adminstratori i saj Soren Jessen Petersen per trajnim te shkelqyeshem.

Në vitin 2006, vendoset në Filadelfia të SHBA-ve. Atje, si një instruktor me famë, shumë shpejt e themelon Qendrën e Karatesë Tradicionale, ku trajnohen një numër i madh i studentëve amerikanë. Sensei Fazliu, gjithashtu punon edhe si instruktor kryesor në shkollën Koreane të Karatesë “Pro Martial Arts”, e cila merret me edukimin dhe formimin e karakterit të shëndoshë të shumë të rinjve amerikanë.

Bejar Fazliu sot mban seminare të karatesë në gjithë botën, dhe është ndër instruktorët më të kërkuar anembanë sferës së arteve marciale. Përvoja e tij shumëvjeçare respektohet jashtëzakonisht shumë nga Instruktorët e Karatesë Tradicionale në botë. Si i tillë, Bejar Fazliu ka edhe vendin e merituar ‘anëtar i Bordit të Federatës Tradicionale të Karatesë së SHBA-ve’.

Në botën e karatesë përgjatë viteve, Bejari njihet si Sensei Fazliu (mjeshter ne  japonishte). Si i tillë, sot mban thirrjen 6 Dan në karatenë tradicionale Shotokan, si dhe thirrjen 5 Dan në Tang Su Do, një art marcial korean. Është i licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale në Los Angjeles të Kalifornisë në SHBA, organizata më kompetente në botën e karatesë sot.

Përpos angazhimit si instruktor për shumë vite, Bejari ka kontribuar edhe në jetën akademike në sferën e arteve marciale, duke përkthyer dhe botuar disa libra në gjuhën shqipe, e që i kanë munguar bibliotekave tona. Ndër to janë: “Fjalor i karatesë”,  “Doracak  per trajner i karatesë tradicionale”, “Rregullat e garave të karatesë tradicionale”, “Rruga e jetës sime” dhe “Fjalor i karatesë për shotokan”.

Sensei Fazliu, për momentin vepron dhe jeton në Filadelfia të SHBA-ve, bashkë me shoqen dhe dy djemtë. Sa herë i jepet mundësia, vjen në vendlindje, ku përmes formave të ndryshme bart te instruktorët shqiptarë njohuritë që merr nga mjeshtrit botërorë.

Në planet e tij për të ardhmen, është ngritja dhe ndërtimi i një qendre kryesore të karatesë diku në trojet shqiptare (Hombu Dojo, nga terminologjia japoneze), ku do të gravitonin studentë e instruktorë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga rajoni dhe e gjithë bota.

Zyra për të rinj në Bujanoc aktive edhe ndaj refugjatëve (foto)
Përfundoi me sukses projekti sensibilizues "Rregullo Lejeqwndrimin" nw Maqedoni
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration