Bankat e zbrazëta për maturantët në shkollën e mesme në Bujanoc
Në shkollën e mesme "Sezai Surroi" në Bujanoc pritet që gjatë këtij viti shkollor të përfundojnë maturën 268 nxënës, mirëpo shumica e tyre nuk vijojnë mësimet e rregullta gjatë fund vitit.Portali Informativ Titulli.com qëndroi në këtë shkollë dhe pa që shumica e klasave të maturantëve ishin të zbrazëta dhe bisedoi me drejtuesin e këtij institucioni arsimor për problematikën e mos mbajtjes së orëve.
Zejni Fejzullahu, drejtor i shkollës shprehu keqardhjen ndaj kësaj dukurie e cila i është kanosur jo vetëm institucionit që ai drejton.
“Presim ndryshimin e ligjit për arsim dhe nga ministria e arsimit që të merren masat ndëshkuese në të holla që nxënësit të vijojnë mësimet të rregullt deri në ditët e përfundimit të saj”, theksoi për Titulli.com Fejzullahu.
Gjatë vizitës, gazetari i Titulli.com bisedoi me maturanten Vesa Aqifi e cila tha se shumica e kolegëve nuk rrinë në bankat shkollore.
“Vijimi i rregullt është në të mirë të nxënësve e sidomos maturantëve për përgatitjen e tyre për studime të mëtutjeshme dhe se mungesat e mëdha i dëmtojnë nxënës sepse nuk janë në gjendje të përgatiten për provimet pranuese nëpër universitete ku ata dëshirojnë”, deklaroi Aqifi.
Është krijuar një praktikë që maturantët e shkollës së mesme gjatë mësimeve në vitin e fundit shkollorë mos të vijojnë orët e rregullta në tërësi sipas planprogramit./Titulli.com/