IHH nga Holanda përmes fondacionit “ALSAR”, shpërndan 900 çanta për shkollat në Bujanoc
Fondacioni arsimor, kulturor e humanitar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), me seli në Tiranë në bashkëpunim me Bashkësinë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), ka zgjatur dorën e bamirësisë edhe për popullin shqiptar të Luginës së Preshevës duke e ndihmuar me projekte bujqësore si dhe donacione me materiale shkollore.
Këtë vit përmes donacionit nga organizata IHH nga Holanda, në një aksion të përbashkët midis përfaqësuesve BIPMB-së dhe përfaqësuesve të “ALSAR”, u bë shpërndarja e materialit shkollor çanta, fletore, stilolapsa, vizore etj nëpër shkollat fillore të komunës së Bujanocit, Novi Pazarit dhe Novi Sadit.
Selami Yuksel sekretar i organizatës IHH nga Holanda, u shpreh se kjo organizatë e themeluar që nga viti 1993 e këndej ka shpërndarë ndihma tek familjet në nevojë nga viset ballkanike, duke shtrirë aktivitetin nga viti i kaluar me të njëjtin vizion edhe në Luginë të Preshevës.
Kryetari i BIPBM-së në Bujanoc, Sedat Beqiri uroj që në të ardhmen të shpeshtohen donacionet e këtilla, shkruan Titulli.com.
Sekretari i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Refik Memeti theksoi se tashmë, këto tri institucione, e kanë trasuar rrugën e bashkëpunimit të ndërsjellë duke i ofruar Luginës së Preshevës dhe trevave tjera ku jetojnë myslimanët, donacione dhe projekte me vlerë dhe shumë të dobishme për popullatën myslimane.
Sipas përfaqësuesve të këtyre organizatave ky donacion përfshin gjithsejtë 1400 çanta dhe po aq materiale shkollore, nga të cilat 900 copa u shpërndanë në komunën e Bujanocit, 200 në Novi Pazar dhe 300 në Novi Sad.
Ky donacion është mirëpritur nga nxënësit dhe drejtorët e shkollave duke i falënderuar për mirësinë që kanë treguar në drejtim të këtyre ndihmave shumë të nevojshme për procesin arsimor.
Fondacioni arsimor, kulturor e humanitar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR) me seli në Tiranë drejtohet nga kryetari Mehdi Gurra dhe ka karakter arsimor, kulturor dhe humanitar./Titulli.com/