Hasani: Serbia po punon për shkëmbimin e territoreve, ku do mbetet Bujanoci?
Fatmir Hasani është deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë në një bisedë për “Koha Ditore” ka treguar për veprimet që ka ndërmarrë Beogradi muajt e kaluar, e të tjera që janë paralajmëruar të merren, në komunat e populluara me shumicë shqiptare.
Fundvitin e kaluar janë mbyllur terminali dhe zyra e Doganës në stacionin hekurudhor të Preshevës. Shërbimit kadastral dhe administratës tatimore në janar të këtij viti u janë marrë disa kompetenca. Po ashtu, sipas Hasanit, Gjykata Themelore është larguar nga Presheva. Po ashtu ka paralajmërime që edhe shtëpitë e shëndetit në Bujanoc dhe Preshevë të kalojnë në kompetencë të Vrajës.
“Ka tendenca të zhveshjes nga pushteti dhe marrjes së kompetencave nga këto komuna. Tashmë disa shërbime janë tërhequr prej atje. Edhe pse serbët po e mohojnë këtë duke thënë se shkurtimet po bëhen për shkak të reduktimit të shpenzimeve, mendoj se kjo ndërlidhet edhe me diskutimet e fundit rreth dialogut Kosovë- Serbi”, ka thënë Hasani, i cili vjen nga Partia për Veprim Demokratik.
Ai ka treguar për qëllimin që ka Serbia në finalen e dialogut me Kosovën.
Për këtë punë, sipas tij, janë krijuar edhe ekipe ekspertësh, të cilët po punojnë variante të ndryshme të marrëveshjes. Kryefjalë e kanë shkëmbimin e territoreve. Hasani thotë se marrëveshja, që po kërkon Serbia, është marrja e sa më shumë kilometrave të Kosovës.
“Ka materiale që kanë punuar ekipet profesionale. Ata në serbisht marrëveshjen e quajnë për ‘ekuilibrim’ apo ‘barazim’. Serbia po synon me çdo kusht të dalë fituese me disa kilometra territor. Vuçiqi është duke e bindur opinionin se qeveritë e mëparshme e kanë humbur Kosovën, dhe ja tani kinse ai po i fiton disa kilometra. Dëshiron të dalë fitues i vogël, për katër deri pesë kilometra”, ka theksuar Hasani. Ai ka shtuar se qëllimi i Serbisë, nëse shkohet me variantin e shkëmbimit është që Kosovës në këmbim të veriut, t’ia kalojë vetëm Preshevën, me disa fshatra të Bujanocit, të populluara me shumicë shqiptare. Megjithëse e përkrah shkëmbimin, Hasani thotë se është kundër një zgjidhjeje të pjesshme.
“Lugina e Preshevës i ka 1.248 kilometra katrorë. Qëllimi i Serbisë është me ia kalu Kosovës vetëm vendbanimet shqiptare. Me popullsi shqiptare ky territor popullohet diku 40 për qind. Kjo pasi Medvegja ka territor gati më shumë sa dy komunat e tjera, por më pak shqiptarë”, ka thënë ai.
“Pra nga Serbia mund të ketë disponim vetëm për vendbanimet shqiptare. Por nuk i kontribuohet situatës nëse prapë mbesin problemet e pazgjidhura. Ne jemi për marrëveshje të tërësishme”, është shprehur Hasani për kohaditore.
Megjithëse nuk ka një dokument zyrtar, deri tani kanë qarkulluar informata dhe spekulime të ndryshme, kryesisht në rrjete sociale dhe disa portale jokredibile. Këto publikime spekulative të përbashkët i kanë rivizatimin e kufijve dhe këmbimin e territoreve./Titulli.com/