Halimi: Diskriminimi po nxit spastrimin etnik
Lokale

Halimi: Diskriminimi po nxit spastrimin etnik

03.Sep.2014 11:24
0

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), njëherësh deputet në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, është shprehur i zhgënjyer me qeverinë e re të këtij shteti.

Ai e ka kritikuar qeverinë e re të Serbisë se nuk po bën asgjë për ta ndalur diskriminim e vazhdueshëm të shqiptarëve të Luginës se Preshevës.

Në një bisedë për “Epokën e re”, Halimi ka bërë me dije se kjo qeveri kishte dhënë deklarata optimiste, por deri më tani nuk ka bërë asgjë konkrete.

“Ne kemi pritur të ketë ndryshime, sepse ka pasur disa deklarata që shtonin optimizmin se do të ketë diçka më ndryshe. Deri më tani nuk ka ndonjë dallim nga politikat diskriminuese të deritanishme ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Halimi.

Ai ka treguar se migrimet e shqiptarëve në këtë pjesë janë të një intensiteti më të lartë se kurrë më parë.

“Situata e tashme e shqiptarëve është më vështirë se në të kaluarën. Migrimet janë në intensitet shumë më të lartë se në të kaluarën. Menjëherë pas luftës kemi pasur lëvizje të mëdha në drejtim të Kosovës, tash kemi shkuarje masive në drejtim të Evropës. Kjo po reflektohet në radhë të parë te numri i nxënësve nëpër shkolla. Faktikisht në tre-katër vjetët e fundit numri i nxënësve është përgjysmuar”, është shprehur ai, duke shtuar se një pastrim etnik në pjesën e fshatrave malore të Komunës së Medvegjës është kryer në vitin 1999, me ardhjen e forcave ushtarako-policore që ishin më parë të angazhuar në Kosovë.

“Pastrimi etnik është pasojë e politikës diskriminuese të Beogradit, vetëm se tash bëhet me metoda shumë më perfide sesa në kohën e Millosheviqit”, ka vlerësuar Halimi.

Sipas tij, migrimet e tanishme janë më të rrezikshme, sepse ato po bëhen në kërkim të gjetjes së perspektivës për jetë më të mirë. “Mirëpo kjo tash është edhe më e rrezikshme, sepse tash po bëhet për shkak të mungesës së perspektivës për një jetë normale. Pas vendosjes së kufijve me Maqedoninë dhe Kosovën, është rënduar gjendja ekonomike e shqiptarëve. Problemet e mëdha në qarkullimin e njerëzve, mungesa e vendeve të punës dhe mosnjohja e diplomave përbëjnë disa faktorë të rëndësishëm të cilët bëjnë të mbyllet perspektiva për shqiptarët e kësaj ane”, ka deklaruar Halimi.

Deputeti shqiptar i ka ftuar Qeverinë e Kosovës, atë të Shqipërisë dhe faktorin ndërkombëtar, të ndërmarrin diçka në këtë drejtim. “Pa një aktivitetet të Qeverisë së Kosovës, asaj të Shqipërisë si dhe faktorit ndërkombëtar, për të bërë diçka në këtë drejtim, një situatë e tillë çfarë tash mbizotëron, do të linte pasoja për një periudhë relativisht të shkurtër”, ka theksuar Halimi.

Por, për këtë gjendje të rëndë ai i ka fajësuar për mosunitet edhe përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Halimi ka thënë se këtë përçarje të faktorit shqiptar është duke e shfrytëzuar Beogradi.

“Pushtetet lokale janë ato që kanë kompetenca të kufizuara, por edhe atyre në pjesë të caktuar shumë gjëra u imponohen nga Trupi Koordinues. Këshilli Nacional është mjaft i ngushtuar edhe prej Ministrisë së Arsimit, por edhe prej pushteteve lokale. Këtu vijnë në shprehje përçarjet e shqiptarëve. Një pjesë atje nuk njeh Këshillin Nacional, nuk i njeh deputetët. Pra, ka interes vetëm te pushteti lokal. Kështu që, edhe këtë e shfrytëzon Qeveria në Beograd për të thënë se nuk kemi partnerë seriozë, sepse shqiptarët janë të përçarë. Në anën tjetër, thonë se shqiptarët i kanë të zgjidhura të gjitha problemet dhe problemi i vetëm është se ata nuk duan t’i shfrytëzojnë të drejtat që ua ofron dhe siguron Serbia”, është shprehur Halimi.

  

Problemi i arsimit është i vjetër   

Deputeti shqiptar, Riza Halimi, ka kritikuar qeverinë serbe edhe për mospërmbushje të kërkesave të shqiptarëve në fushën e arsimit. Ai ka deklaruar se nxënësit shqiptarë edhe këtë vit shkollor e kanë filluar pa tekste mësimore për shumicën e lëndëve.

Sipas tij, ky problem daton prej viteve ’90-ta dhe ende Qeveria e Serbisë nuk ka gjetur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje. “Faktikisht, në fushën e arsimit, sikurse në vitet e kaluara, situata nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është e qartë se mungojnë një numër i madh i teksteve qysh në klasat e para të fillores. Madje mungesa më të mëdha ka për klasat e larta, ndërsa në shkollat e mesme nuk ka asnjë tekst të siguruar. Ky problem ekziston që 24 vjet dhe ka të bëjë me atë kohën e viteve 1990-1991, kur u acarua raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas ndërhyrjeve të dhunshme dhe ndryshimet kushtetuese”, është shprehur Halimi.

Ai ka treguar se prej asaj kohe e deri më sot disa herë është tentuar t’i gjendet zgjidhje këtij problemi, por ka munguar vullneti i qeverisë serbe për ta bërë një gjë të tillë.

“Në anën tjetër, kemi trumbetimin edhe të kryeministrit dhe të ministrit serb të arsimit që vizitoi Bujanocin se, faktikisht, ata i kanë siguruar tekstet. Kjo është një hedhje pluhur syve më tepër karshi faktorit ndërkombëtar, a në realitete gjendja nuk ka ndryshuar”, ka theksuar Halimi. /Titulli.com/

Serbia dërgon libra në Kosovë, ndërsa i konfiskon në Luginë!
"Gjuha e kaltër" po shfarosë bagëtitë në Medvegjë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration