Gazetari i DW: Gjermania me pozicion të qartë – s’ka ndryshim kufijsh, por as bashkim me Luginën
Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, e ka konsideruar taksën si një element që ka vështirësuar dialogun, por se për bllokimin e tij kanë ndikuar edhe elemente të tjera.
Ai shtoi se as kosovarët dhe as serbët nuk janë përgatitur për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve për shkak të retorikës së politikanëve të tyre.
“Nuk është vetëm nga taksa pse dialogu është në ngërç edhe për një periudhë pak më të gjatë. Por, sepse në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara ka pasë rezerva në realizimin e tyre. Prandaj, palët kanë gjetur dhe kërkuar mënyra se si të mos i realizojnë këto marrëveshje të nënshkruara”.
“Taksa është element tjetër që ka vështirësuar dialogun. Serbia është duke e shfrytëzuar si shpjegim se pse të mos vazhdohet dialogu. Është mirë edhe për palën serbe edhe kosovare që të arrihet marrëveshja”.
“Opinioni as në Serbi dhe as në Kosovë nuk është i përgatitur për arritjen e kësaj marrëveshje. Presidenti Vuçiq pas takimeve në vendet evropiane kur kthehet në Serbi u thotë serbëve se ne nuk do të përkulemi kurrë para kërkesave të tyre”.
“Kërkesa e Berlinit, Brukselit dhe Washingtonit është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që kjo nënkupton njohje reciproke”.
“Kur dialogu ka mbetur në ngërç, Mogherini e ka devijuar. Pala gjermane ka dalë e para hapur për kritika ndaj Mogherinit. Po ashtu, në Kosovë nuk ka mundësi që të arrihet një marrëveshje pa unifikimin e qëndrimit të partive në Kuvend”.
“Merkel ka iniciuar procesin e Berlinit që ta lëvizë nga pika zero këtë proces bashkë me Francën. Gjermania e ka marrë edhe faktorin e dytë më të rëndësishëm në BE, pra Francën. Nuk është që Gjermania dhe Franca dëshirojnë ta marrin primatin e dialogut, por ato dëshirojnë që ta lëvizin nga pika zero”.
“De facto palët kanë menduar se në një moment mund të arrijnë një marrëveshje që është e pranueshme edhe për ata dhe për ndërkombëtarët. Por kjo s’është e vërtetë. Çdo marrëveshje që mund të shkaktojë reagime në vende të tjera nuk do të pranohet as nga BE-ja as Gjermania dhe Franca, që dëshirojnë ta mbajnë këtë rajon stabil”.
“Gjërat kanë ndryshuar me ardhjen e Trumpin dhe në mënyrë bukur brutale. Ai e ka vënë në pikëpyetje vetë NATO-n si dhe marrëveshje të tjera. Kjo lloj polifonie apo kakofonie është ngjitur me ardhjen e Trump. Po ashtu edhe në Britaninë e Madhe nuk ka një gjendje stabile”.
Cani në Klan Kosova tha se asnjë shtet tjetër europian nuk qëndron prapa taksës përveç Kosovës.
“Prapa taksës qëndron Qeveria e Kosovës edhe partitë e koalicionit dhe me sa kam kuptuar edhe presidenti është i pozicinuar për këtë lloj takse, pra janë institucionet e Kosovës. Gjermania ka qëndruar në një kohë sepse është rrezikuar arritja e një marrëveshje të dëmshme për rajonin”.
Gazetari i DW tha se asociacioni i komunave serbe nënkupton autonomi dhe këtë e kanë pranuar institucionet e Kosovës edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk është në përputhje me ligjin.
“Vetë Gjykata Kushtetuese ka thënë se ajo marrëveshje nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe si mund të pranohet një marrëveshje që është kundër Kushtetutës? Vetë institucionet e Kosovës e kanë hapur këtë rrugë, kanë trajtuar çështje që nuk është dashur të trajtohen me aq thellësi”.
“Po flitet për një dialog teknik, ndërkohë dialogu është shumë esencial dhe është diskutuar për çështje elementare të Kosovës.
Cani tregoi edhe për pozicionimin e Gjermanisë sa i përket çështjes së kufijve duke thënë se ajo mohon kategorikisht një ide që shkakton destabilizim edhe në vende të tjera.
“Pala kosovare duhet të ketë shumë kujdes sepse me hedhjen e deklaratave të Palmer, me hedhjen e letrës së Trump, që Kosova nuk ka mik më të madh, si dhe hedhjen e inciativës së Merkelit dhe Macronit – kush tjetër do të vijë që të zgjidhë problemin?”.
“Gjermania e ka një pozicion të qartë, nuk ka ndryshim të kufijve dhe Kosova me Serbinë duhet t’i normalizojnë raportet mes vete si dy shtete fqinje. As nuk ka bashkim me Luginën e Preshevës dhe as ndryshim të kufijve”.
“Mund të krijohen probleme më të mëdha për t’i harruar ato ta kaluarat. Kam përshtypjen se disa probleme po hapen për të mbuluar ndonjë dështim në suazat ndërkombëtare. Por, nëse duam të jemi seriozë, Gjermania kërkon normalizimin të raporteve në mes dy shteteve”.
“Mund të jetë një ëndërr e Serbisë e kamotshme që të bashkojë territore. Ivica Daçiq tërë kohën ka insistuar në këtë ndarje. Në BE nuk ka disponim që të pranohet kjo ide”.