Flasin nga Mynihu: Thaqi dhe Bërnabiq diskutuan për shkëmbim territoresh
Lokale

Flasin nga Mynihu: Thaqi dhe Bërnabiq diskutuan për shkëmbim territoresh

01.Nov.2018 08:39
0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, “kanë shfaqur shpresat e tyre për dialogun Beograd-Prishtinë, dhe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe”, teksa kanë biseduar në Minsk të Bjellorusisë, në kuadër të Konferencës së Sigurisë të Munihut. Thaçi e Bërnabiq, sipas organizatorëve, “kanë theksuar se shkëmbimi shumë i diskutuar i territoreve është vetëm një element i pakos së gjerë që po diskutohet dhe se kutia e Pandorës nuk do të hapej, nëse një marrëveshje e tillë do të bazohej në vendimet e lira të të dyja qeverive”.

Kryetari i Konferencës së Sigurisë të Munihut, Wolfgang Ischinger, ka thënë sot se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e kanë sulmuar Gjermaninë për qëndrimin e saj karshi çështjes Kosovës-Serbi, përkatësisht kundër ndryshimit të kufijve mes dy vendeve, të mërkurën, gjatë kësaj konference, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë.

E, presidenti kosovar ka mohuar pohimet e Ischingerit se ka kritikuar Gjermaninë - duke thënë se Berlini është porta e Kosovës dhe e rajonit për integrim në Bashkimin Evropian.

“Kritikat negative për Gjermaninë nuk mund të më atribuohen mua”, ka thënë Thaçi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Pas reagimit të Thaçit, organizatorët e Konferencës së Sigurisë të Munihut (KSM), nëpërmjet llogarisë zyrtare në rrjetin social Twitter, kanë zbuluar, nëpërmjet një përmbledhjeje në disa “cicërima”, se çfarë saktësisht kanë thënë Thaçi e kryeministrja serbe, në Minsk.

Bërnabiq dhe Thaçi, sipas KSM, “kanë shfaqur shpresat e tyre për dialogun Beograd-Prishtinë, dhe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe”.

“Kryeministrja serbe ka argumentuar se nuk duhet të ketë kurrfarë vijash të kuqe në tavolinë. Sipas presidentit Thaçi, status quo e konfliktit të ngrirë nuk mund të zgjasë”, ka shkruar KSM, në Twitter.

“Po i shqyrtojmë të gjitha idetë e mundshme”, citohet të ketë thënë Thaçi në Minsk.

Edhe Thaçi, edhe Bërnabiq, “kanë theksuar rolin e veçantë të Gjermanisë si partnere e rëndësishme dhe shumë e respektuar, dhe kanë shprehur shpresën e tyre për mbështetjen gjermane për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, kanë treguar organizatorët e konferencës në Minsk.

Presidenti kosovar dhe kryeministrja serbe “gjithashtu kanë theksuar se mbetet ende një rrugë e gjatë përpara drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Por, udhëheqjet në të dyja vendet mbështesin një marrëveshje të gjerë”, ka zbuluar KSM.

Thaçi citohet të ketë thënë se “objektivi është që të dyja palët të dalin fitimtare”.

Udhëheqësit e dy vendeve “po ashtu kanë nënvizuar rëndësisë e mbështetjes popullore”, sipas KSM’së.

Bërnabiq citohet të ketë deklaruar se “problemi nuk është vetëm arritja e një marrëveshjeje, por edhe zbatimi i saj. Na duhet mbështetja popullore në të dyja anët”.

Në Bjellorusi, Thaçi e Bërnabiq “kanë theksuar se shkëmbimi shumë i diskutuar i territoreve është vetëm një element i pakos së gjerë që po diskutohet dhe se kutia e Pandorës nuk do të hapej, nëse një marrëveshje e tillë do të bazohej në vendimet e lira të të dyja qeverive”, kanë treguar organizatorët e konferencës.

Sipas KSM’së, deklaratat e sotme të Thaçit e Bërnabiqit kanë dhënë shembuj të suksesit të konferencës: “dy palë të një konflikti kanë diskutuar me njëra-tjetrën me respekt dhe në mënyrë konstruktive”.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration