Faton Xhemaili nga Bujanoci dhe ëndrra e realizuar e tij në kombëtaren shqiptare U21
Faton Xhemaili, i riu nga Bujanovci, provoi të vishte fanellën kuqezi në muajin nëntor. Një dhuratë për ditëlindje: më 15 të këtij muaji mbushi 20 vjeç. Xhemaili është pjesë e Radnik Surdulica, në elitën e futbollit serb dhe ndihet mirë atje. Sigurisht do donte të luante më shumë. Deri më tani është aktivizuar vetëm në Kupë.
Në një intervistë për “SportEkspres.com” ai ka rrëfyer ditët kuqezi, si u ndje, udhërrëfyesin e tij në futboll dhe të ardhmen. E thotë hapur, që nëse do të ketë ndonjë opsion të mirë, do të largohej nga ekipi aktual. Minutat janë të rëndësishme për t’u rritur dhe për të qenë sërish pjesë e Shqipërisë U21.
INTERVISTOI: VLADIMIR PRENGA
Faton, për herë të parë provoni të vishni fanellën e kombëtares. Na tregoni diçka më shumë për veten, që edhe njerëzit t’iu njohin më shumë…
-Po, për herë të parë vesha fanellën e kombëtares kuq e zi. Ishte një ëndërr, dhe një ndjenjë shumë emocionuese për mua, që u bë realitet. Unë jam nga Bujanovci dhe luaj në kampionatin serb tek ekipi FK Radnik. Sikurse e dini, luan në krahun e majtë të mbrojtjes.
Si çdo futbollist do kishit dashur më shumë minuta, por me siguri hera e parë me fanellën kuqezi do të mbahet mend gjithmonë nga ju. Na thoni diçka për ndjenjën që përjetuat në fushë?
-Normalisht do të dëshiroja minuta më shumë, si çdo lojtarë që do të luajë për kombëtaren dhe ta japë më të mirën. Por vendimet e trajnerit duhen respektuar dhe të presim për ndeshjet e radhës. Po do ta mbaj mend gjithmonë gjatë jetës time debutimin me fanellën e kombëtares tonë. Me është dukur si ëndërr, ishte një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Falënderoj edhe profesor Bushin për shansin që ma dha të debutoj me Shpresat.
Si u pritët nga stafi dhe shokët e skuadrës? Me kë prej tyre u lidhët më shumë?
-Si shokët, ashtu edhe stafi i skuadrës, më kanë pritur shumë mirë. I falënderoj të gjithë për pritjen e mirë që ma bënë, e sidomos edhe me surprizën që ma bënë për ditëlindje. Nuk do ta harroj kurrë në jetë.
-Jemi një grup shumë i mirë. Nuk mund ta ndaj ndonjërin më shumë, ndonjërin më pak. Kaluam shumë mirë të gjithë shokët në këtë grumbullim të fundit për këtë vit. Të gjithë ishin lojtarë të mirë dhe secili kishte cilësitë e tij. Nuk mund të veçoj asnjë.
A e prisnit grumbullimin me Shpresat, pasi në Serbi nuk është se keni pasur shumë hapësira?
-Edhe pse s’kam shumë hapësira tek ekipi serb, profesor Bushi ma ofroi mundësinë të jem pjesë e kombëtares dhe shpresoj të ketë mbetur i kënaqur me mua.
Si çdo i ri, që e ka një model, në gjurmët e cilit futbollist do të donit të ecnit. Kush është ai që ju frymëzon?
-Unë në pozitën time që kam më pëlqen stili i lojës të David Alaba. Ai me frymëzon.
Ju ngacmuan shokët e tij para se të grumbulloheshit me Shqipërinë U21? Si e priti klubi juaj diçka të tillë?
-Jo nuk pata asnjë ngacmim nga shokët. Përkundrazi, të gjithë më uruan në mënyrën më të mirë. Klubi e mirëpriti shumë mirë këtë lajm dhe e pranuan me dëshirë.
Si është për një djalosh të ri shqiptar të jetë pjesë e kampionatit serb? Sa kohë jeni atje, ju kanë pranuar mes tyre…
-Është një gjë e mirë të jesh i vetmi lojtar në kampionatin serb. Pak e kam vështirë të luaj, por shpresoj në vijim të kem minuta më shumë.
A po mendoni që në janar të bëni ndonjë lëvizje, ndoshta të shkoni në ndonjë klub ku të keni më shumë mundësi që të luani?
-Nuk do ta anashkaloja ndonjë mundësi të mirë. Në qoftë se do të më vij do shkoja, pasi edhe më nevojiten ndeshje në këmbë.
Do e merrnit në konsideratë një transferim në Superiore?
-Po, besoj se do e merrja në konsideratë Superioren shqiptare. Por të shohim në të ardhmen çfarë do të ndodhë.