Ekskluzive: Në Konçul vota më shumë se votues, anulohet votimi
Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ) ka anuluar votimin në fshatin Konçul të komunës së Bujanocit, pasi në kutinë e votimit janë gjetur më shumë vota se sa votues, të rrethuar në listën e posaçme zgjedhore.
Siç ka mësuar portali informativ Titulli nga burimet në Komisionin Republikan Zgjedhor në Beograd, prishja e këtij vendvotimi është marrë sot, pasi është konfirmuar se në kutinë votuese kishte vota më shumë se qytetarë që iu kishin përgjigj ftesës për votim.
Partia për Veprim Demokratik ishte ankuar në KRZ për shkelje në këtë vendvotim, me ç’rast KRZ kishte vendosur të hap kutinë dhe të numërojë votat.
Në fshatin Konçul nga 790 qytetarë më të drejtë vote, kishin votuar 706, apo 89.9 %.
Gjithashtu, portali informativ Titulli.com ka arrit të konfirmojë se ankesa e dytë e bërë nga Partia Demokratike për shkeljet e mundshme në Medvegjë, është refuzuar si e pabazë nga KRZ.
Në Luginë të Preshevës i vetmi vendvotim që prishet është ai në Konçul, përderisa edhe dy vendvotime janë anuluar në komunën e Tutinit, afër Novi Pazarit.
Përsëritja e votimit për Këshillë Kombëtar Shqiptar në fshatin Konçul, edhe pse ende nuk është vendosur, mund të ndodh që të mbahet të dielën (2 nëntor)./Titulli.com/