Droni, Albani dhe Zorica!
Lokale

Droni, Albani dhe Zorica!

03.Nov.2014 08:46
0

Po prisja para hotelit “Casino”, në Beograd, për t’u nisur për në redaksinë e gazetës ditore “Blic”, njëra nga gazetat më të njohura në Serbi.

Fiks në kohë, do të shfaqet nikoqirja ime, Zorica Lazarevic, një gazetare për të cilën paraprakisht kisha lexuar se kishte fituar disa çmime në gazetari për çështje të filantropisë.

E përshëndeta me një sërbishte që lë për të dëshiruar, megjithëse asaj i erdhi mirë që dikush nga “gjenerata e re” në Kosovë flet mirë serbishtën.

Në fillim të takimit më tregoi për rregullin e ri të qarkullimit me autobusë dhe tramvajë, që më duhej ta përdorja gjatë javës së qëndrimit tim atje. E kisha me rëndësi që të dija sidomos numrat e linjave që nga hoteli më çonin në redaksinë e gazetës.

Një pritje jashtëzakonisht e ngohtë ndodhi në “Blic”. Në takimin e parë me redaktorin e gazetës, një njeri që fliste jashtëzakonisht shpejt, pata të vështirë të japë vlerësimin tim në pyetjen që më bëri rreth krijimit të institucioneve të Kosovës.

Ai ishte i bindur se Hashim Thaçi, në çfarëdo rrethana do të krijonte Qeverinë.

Xhihadi dhe sporti shqiptar në sytë e serbëve

Ndeshja futbollistike mes Shqipërisë dhe Serbisë do të zhvillohej pas disa ditësh. Epilogu nuk dihej. Ende flitej nëse ndeshja do të zhvillohej me apo pa tifozeri.

Një kolege e imja në Beograd, po ashtu gazetare, më bëri një nder, që e kuptova vetëm kur u ndërpre në gjysmë ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Rekomandimi i saj ishte se për një gazetar shqiptar mund të jetë rrezik nëse provon çfarëdo interviste me tifozët e kombëtares së Serbisë. Unë nuk e dija saktë se kush është “Ivani i tmerrshëm” dhe bazuar në një bisedë që kam pasur me Albert Kastratin, apo “Tigrin” e “Plisave”, kam kuptuar se ai dhe kolegët e tij nuk do të silleshin keq në asnjë rrethanë me një gazetar të Serbisë, ndonëse nuk do t’i përgjigjeshin në intervistë.

Në kuzhinën e redaksisë së “Blic”-it ajo që më bëri përshtypje ishte se shumica e gazetarëve merrnin ushqimet me vete. Kjo tregonte për një kulturë tjetër. Edhe për një kosto të lartë të jetesës në kryeqendrën serbe.

Papritmas, një vajzë bjonde filloi të flasë nga zyra me dikë që do t’i japë sqarime rreth procesit mësimor, që tashmë kishte filluar në “Kosovë dhe Metohi”.

Meqë kisha pak a shumë informata për funksionimin e institucioneve paralele, u mundova t’ia bëj më të qartë pasqyrën. Ishte shembulli i ambulancës së Fushë-Kosovës ai që tregonte se shqiptarët janë treguar mjaft solidarë me serbët, duke iu lënë të zbrazët me vite hapësirën, që ata të jenë pjesë e institucionit. Serbët kishin refuzuar.

Vazhdova pastaj tek hotel “Moskva”, në lagjen “Terazija” të Beogradit. Kisha lënë takim me deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi. Në kafenenë përplot serbë, folëm vetëm shqip. Vazhduam në objektin e Kuvendit të Serbisë. Aty u futa falë faktit që kam jetuar mëse 20 vjet në Preshevë dhe nuk jam shpërngulur nga atje me dokumente, pasi trashëgoj një pjesë të patundshmërisë së përbashkët familjare. Letërnjoftimi i Kosovës as që vinte në shprehje të hyja në Kuvendin e Serbisë. Shkoi mirë edhe intervista me Kamberin. Nuk më mbeti fare merak që s’e takova edhe Riza Halimin, ndonëse ishte diku në restorantin e objektit.  

Të nesërmen me kolegen Zorica, që kishte qenë për reportazhe edhe në Siri, patëm për temë “Ekstremizmin islam dhe shqiptarët”. Ia shpjegova në idenë time se në Serbi shumë më shumë propagandohet për këtë sesa që realisht janë përmasat e bashkëngjitjes së kosovarëve në xhihad.

Atë ditë, kishin ndodhur edhe arrestimet e imamëve kosovarë. Mospajtimet për këtë temë ishin të mëdha. As që provova që koleges gazetare t’ia ndryshoj mendimin. Ajo mendonte se Kosova dhe Bosna vazhdojnë të jenë “çerdhe” të prodhimit të xhihadistëve dhe kjo kryekëput lidhej me predikimin e religjionit në këto vende.

Meqë planifikoja takime, kryesisht me shqiptarët atje, dhe tashmë që kisha në xhep kartelën për qarkullim urban, preferoja të jem i vetëm në takime. Kështu, kisha planifikuar që një pjesë të kohës ta kaloj në intervistë me Nora Bezerën, një shqiptare e lindur dhe e rritur në Beograd. Ajo më foli për diskriminimin jetësor që i kishte ndodhur gjatë viteve të saj në kryeqytetin serb.

“Hajredin Pasha”, në zemër të Beogradit

Të nesërmen, në Beograd do të ndodhë një mrekulli. Për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në Qendrën e Filarmonisë së këtij qyteti do të ketë një koncert në gjuhën shqipe. Rona Nishliu do të këndojë për një audiencë të vogël, kryesisht të ardhur nga Kosova. Emocionuese që në Beograd të dëgjosh këngën e “Hajredin Pashës”.

Kur dolëm nga koncerti, dikush tha që jashtë kishte një protestë. Personalisht pashë shumë policë që ruanin vendin, ku mbahej koncerti. E njejta gjë ndodhi edhe një ditë më vonë. Nga numri i madh i policëve përreth, nuk e pata vështirë të gjej Qendrën Mediale në Beograd, ku në kuadër të festivalit “Mirëdita-Dobrdan”, mbahej edhe konferenca për “Rikonstruimin e të kaluarës kosovaro-serbe”.

Mes të pranishmëve pati edhe disidentë serbë të ish-regjimit të Slobodan Milosheviqit, që ishin përzgjedhur si panelistë për të ndihmuar në krijimin e një klime të mirë mes vendeve. Edhe nga pala kosovare ishin zgjedhur panelistë që botën nuk e shohin me ngarkesën e së kaluarës, ndonëse insistojnë që e shkuara nuk duhej futur “nën tepih”.

Plot një javë në Beograd, takova shqiptarë e serbë. Madje, edhe njerëz nostalgjikë për ish-Jugosllavinë e Titos. Me nikoqiren time Lazarevic, u përshëndetëm dy ditë para se unë të nisesha në Kosovë. Asaj i duhej pushim jo vetëm nga lodhja me punët e saja, por edhe nga ngarkesa që i kisha bërë. Takimin e fundit për të përmbyllur vizitën time në Beograd e bëra me një studente të gjuhës shqipe. Një vajzë flokëverdhë nga Jagodina, që quhej Danica Avramovic, më ndihmoi për të gjetur biletën për koncertin e Nishliut. E kishim lënë të takoheshim, pasi më interesonte si funksionon Katedra e Gjuhës në Beograd.

Me Danicën kemi folur vetëm shqip. Madje, flisnim vetëm në gjuhë të unisuar shqipe. Zhargonin kosovar ajo e kuptonte me vështirësi. Gjersa pinim kafe në “Knez Mihajlova” folëm përveç për Katedrën edhe për mundësinë e mësimit të gjuhës shqipe në Beograd. Danica kishte shumë informacione edhe për kulturën dhe traditat e dyanshme. Ishte konfuze kur i thashë që një shqiptare e Kosovës nuk do të martohej në asnjë rrethanë me një serb. Gjatë ndejës, tek flisnim shqip, kishte njerëz që na shikonin. Një rast, madje Danicës i ra në sy një çift që na ngulte sytë. “Janë nga Kosova”, më tha ajo.

Më dërgoi në rrugën “Deçanska”, që nëpër vite kishte ndryshuar emrin shumë herë. Prej aty, jo shumë larg gjendej edhe rruga “Kosovska”, ku gjithsesi vajzës jagodinase do t’i bëja një fotografi që më duhej për artikullin tim për gazetë.

Një moment, para aparatit, nuk hezitoi të ngrejë tre gishtërinjë. Por, as ngritja e dy gishtërinjëve nga ana ime nuk do t’i pengonte asaj. Gjithë këtë e shihte si një shaka, me gjithë të kaluarën e keqe mes popujve.

Droni, unë dhe kolegët gazetarë nga Beogradi

Ndeshja mes kombëtares shqiptare dhe asaj të Shqipërisë filloi. Fëmijët më bënin zhurmë në shtëpi dhe nuk arrija të kuptoja nëse himnin e kombëtares së Shqipërisë nuk e dëgjoja nga zhurma që kisha brenda shtëpisë apo nga fishkëllimat dhe fyerjet në stadium. Më vonë e kuptova që iu kisha “bërtitur” kot fëmijëve për qetësi, pasi himni nuk dëgjohej për shkak të zhurmës dhe fyerjeve në stadium.

Teksa atmosfera nxehej në fushë, emocionet ishin të mëdha edhe në shtëpi. Dhe për një moment flamurin shqiptar “kuq e zi” e vendosa në murin e profilit tim në “Facebook”. Jo për të provokuar kolegët e mi serbë, që i kam në “Facebook”, por thjesht për të shprehur admirimin tim për kombëtaren.  

“Po e shikon lojën ?!” – më pyeti atë moment Zorica, nga Beogradi.

“Gjithsesi…”- ishte përgjigja ime.

Me gjithë dallimet që mund të kishim këtë rast në mendime, biseda që bëmë rreth lojës me kolegen nga Beogradi ishte shumë miqësore dhe në kontekst të respektimit maksimal të asaj që konsiderohej e shenjtë – vullneti që secili të shprehë ndjenjën për atë që i pëlqen.

Nuk e di saktë, por me gjasë, biseda me kolegen u ndërpre pa u përshëndetur. Sigurisht, se të dy ishim habitur nga atmosfera e lojës!

Të nesërmen ndodhi një debat tjetër. Mesazhet që merrja nga kolegët serbë ishin se lojën e prishi “Droni” dhe Olti Rama, i vëllai i kryeminsitrit shqiptar, që “provokoi” Serbinë.  E thashë mendimin tim të kundërt, duke aluduar në paragjykimin dhe propagandën që i adresohej Olti Ramës. Loja vetëmse ishte ndërprerë para se droni me flamurin e “Shqipërisë së madhe” të futej në fushë.

Pas kësaj dite, nuk di më nëse kisha komunikuar me kolegët nga Beogradi, derisa papritmas kolegia nga “Blic”-i, Zorica Lazarevic, më shkruan se ajo ishte përzgjedhur që “të kthejë” vizitën në Kosovë, në kuadër të projektit  “Media si një mjet për dialog”.  

Kishte ndodhur një keqkuptim për orarin e ardhjes së saj. Ajo kishte arritur në Stacion të Autobusëve një orë para se unë të dilja në stacion. Bazuar në një artikull që kishte shkruar në gazetën ku punonte, kuptova se shkuarja nga Stacioni i Autobusëve për në hotel, për të ishte më sfidues sesa krejt rruga nga Beogradi në Prishtinë. Askush nuk e kishte ngacmuar e as thënë gjë të keqe Zoricës. Por, ajo ishte ndjerë e frikësuar. Nuk kishte guxuar as të kërkojë një taksi brenda Stacionit. Kishte ecur këmbë në drejtim të panjohur. Një grua as që i kishte kthyer përgjigje se ku gjindej hoteli, kur e kishte kuptuar se fliste me një serbe, ndonëse Zorica i kishte folur në anglisht. Tek atëherë kishte marrë “zemër” të marrë një taksi, ku ishte prezantuar si gjermane.  

Shqip me Zoricën

U ofrova me shpejtësi tek hoteli, ku ajo ishte vendosur dhe i kërkova falje për keqkuptimin, pasi i kasha premtuar se do ta prisja në stacion. Ajo insistoi se e kisha harruar në stacion, për shkak të pakujdesisë.

Sido që të jetë ne pimë nga një kafe me të, në qendër të Prishtinës. Kisha përshtypjen që ndjehej e trishtuar. Ora ishte gati 20 e mbrëmjes. Me veturën time e dërgova gazetaren tek hoteli i saj, për t’u takuar të nesërmen në mëngjes.

Dhe, në ditën e re gjërat ndryshuan. Një mik i imi që punon në Kryeministrinë e Kosovës më ftoi për kafen e mëngjesit. Kishim lënë peng disa biseda. E ftova që të na bashkëngjitej, pasi tashmë isha duke e pirë kafen me kolegen beogradase.

Takimi u bë edhe më relaksues. Zorica as që kishte menduar se do të takonte një zyrtar të Kryeministrisë, për t’i bërë një kërkesë që kryeministri kosovar ta pranojë për intervistë. Megjithatë, ajo kaloi ditët duke pritur mos telefoni i saj po i cingërron nga dikush i Kryeministrisë që do t’ia konfirmonte intervistën. Kjo nuk ndodhi.

Bojkoti i produkteve serbe pas “dronit” ishte tema që do ta trajtonte kolegia beogradase. Shkuam në qendrën tregtare ETC. Karrocat e qytetarëve me produkte të Serbisë ishin të mbushura, në kohën kur po bëhej një fushatë e ashpër kundër kësaj. Qytetarët kosovarë, në prezencën tonë, nuk hezituan asnjëherë që Zoricës t’i flasin në serbisht, anise një artikull i saj i botuar në “Blic”, thoshte që në Prishtinë njerëzit të shikojnë tek flet serbisht. Edhe kur Zorica bleu çizmet e saja dimërore, pasi bora në Prishtinë gjithëve na zuri gafil, shitësit nuk hezitonin asnjë rast t’i flasin në gjuhën e saj.

Racizmi serb në Graçanicë

Me Zoricën vizituam institucione të ndryshme. Ishte ndjenjë e keqe edhe për mua kur ajo pa se çfarë spitale ka Kosova. Megjithatë, edhe në takimin me zyrtarë të Spitalit gjitha komunikimet u zhvilluan sërbisht dhe respekti për kolegen gazetare nuk mungoi në asnjë rast. Bile, asnjëherë nuk mungoi as humori se “Zorica për një moment do të lëshonte një dron në Kosovë”.

Në ditën e parafundit të vizitës së saj, vizituam Graçanicën. Tek interesohesha për funksionimin e institucioneve shëndetësore të Serbisë, në korridorin e ambulancës, ku paraprakisht na servuan kafe, dëgjova fjalë tejet fyese për shqiptarët. Kjo ndodhte në mes të Graçanicës, në Kosovën multietnike. Shqiptarëve, një banor në moshë iu referohej si “shiptari”.

E udhëheqësit e ambulancës u treguan mjaft racistë, gjatë kohës kur unë provova bashkë me kolegen nga Serbia t’i takojë. “Nuk mund t’i pranoj gazetarët e ‘Zërit’”. Mund të hyjnë në takim vetëm këta nga ‘Blic”-i, ishte përgjigja e njërit zyrtar të lartë të ambulancës. 

Kjo e shokoi edhe kolegen beogradase. Megjithëse bindja e saj ishte se Bill Clinton ishte një “kreten”, racizmi që ndodhi në Graçanicë, i dha një pasqyrë tjetër edhe për atë që kishin ndjerë shqiptarët.

Vazhduam pastaj në kishën ortodokse në Graçanicë. Hera e parë që hyja në një objekt religjioz ortodoks. Për të mos u hetuar që isha shqiptar, aty, sillesha ashtu si kolegia ime serbe. I përshëndesja kur ishte e domosdoshme njerëzit e kishës me shprehjen “Pomoz bog” (Zot Ndihmo), për të heshtur tutje, që të mos kuptohesha që jam shqiptar. Një rrëfim për “urrejtjen që shqiptarët kanë ndaj serbëve” e dëgjova falë heshtjes time në shitoren e kishës së Graçanicës. Një serbe, që vinte nga Vitia e Gjilanit, ankohej se disa nxënës të një shkolle shqiptare e kishin fyer rëndë gjersa ajo kishte qenë duke pritur autobusin. Zorica, tek kjo grua fliste, mbante shënime në fletoren e sa për t’u ndjerë keq kur zonja shqiptarëve iu referohej si “shiptari”.

Krejt në fund ndodhi edhe një ngatërresë me autobusin. Zoricës iu desh të paguajë biletë të re për t’u kthyer në Beograd. Autobusi nuk e harroi atë. Por, ajo sërisht kishte ngatërruar orarin. Megjithkëtë, koleges gazetare i pëlqeu Prishtina. Në Beograd kam bindjen se ajo u kthye me përshtypje tjetër për shqiptarët. 

 

Alban Selimi - gazeta Zëri

FHKL kërkon mobilizim për të parandaluar shpërnguljen e Luginës
Vranjë: Vret gruan me pushkë, tenton vetëvrasjen
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration