Lokale
Diplomacia: Asgjë s’ka përfunduar, dikush patjetër në zgjedhje
Takimi i djeshëm në Preshevë nga i cili u kumtuan pesë qëndrime për bojkot të zgjedhjeve parlamentare ndërsa njëri mbeti pezull, me gjasë nuk do të mbetet aq vendimmarrës sikur dukej në shikim të parë.
Java, në të cilën do të shkelim nesër, do të jetë definitive kur është në pyetje pjesëmarrja ose jo e subjekteve shqiptare, apo thënë më mirë, një pjese të subjekteve në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit.
Përveç insistimit “nokautues” të Kosovës dhe Shqipërisë pritet një trysni e fuqishme edhe e faktorit ndërkombëtarë për të bindur të paktën një pjesë të bllokut politik për pjesëmarrje në zgjedhjet vijuese.
Burime të informimit brenda përfaqësive diplomatike të Beograd i kanë thënë “Titullit” se gjithçka ka nisur me Partinë për Veprim Demokratik ( PVD ), kreut të së cilës i’u është sugjeruar që ditën e hënë të marrë qëndrim pozitiv për zgjedhjet parlamentare.
I njëjti burim ka shpalosur frikën që kishin shprehur prijësit e PVD-së nga koha jo e mjaftueshme për sigurimin e 10 mijë nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e listës, afati i së cilës skadon më 28 shkurt.
Në këtë drejtim, premtimi i ndërkombëtarëve është se në sigurimin e nënshkrimeve do të solidarizohet edhe Partia Liberal Demokratike ( LDP ) e Çedomir Jovanoviqit dhe një parti e Sanxhakut.
Burimi diplomatik poashtu ka pohuar se pasi të ketë mbaruar puna me “PO-në” e PVD-së, në radhë do të vijnë subjektet tjera, nëse jo të gjitha, atëherë të paktën një pjesë e tyre, në mënyrë që shqiptarët të garojnë përsëri si koalicion.
Si do që të jetë, nga dita e nesërme, në Luginë pritet një javë e ngjeshur dhe vendimtare që favorizon pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!