Destani pranon: Politika në Luginë e dështuar (Video)
Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës Skender Destani, gjatë emisionit të së premtes "Show me Artanin" duke folur hapur për situatën në Luginë, ka fajësuar politikanët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.“Gjendja është e mjerueshme si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë politikë. Politika jonë është e dështuar, politik e konfrontimit me xhelozi të paparë ndaj njëri tjetrit”, ka deklarua zëvendëskryetari i komunës, njëherit kryetar i partisë Bashkimi Demokratik i Luginës, në studion e TV Aldit, transmeton Titulli.com.
Duke biseduar për të arriturat e tij konkrete në politik, Destani me sinqeritet ka pranuar se nuk ka arrit aq sa është munduar, mirëpo sadopak ka ndikuar në ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kryesisht në realizimin e të drejtave të tyre.
Përveç politikës, Skënder Destani ka shpalosur edhe profesionin e tij të parë, atë të mjekut. Si specialist në fushën e pediatrisë, profesion të cilin e ushtron në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, tha se në kushtet që ishin dikur, por edhe tani, me një hapësirë jo komode për pacientët, kryejnë një punë profesionale duke mos i kualifikuar pacientët në baza partiake.
Destani, duke thënë se është ithtar që të thuhet e vërteta, ka pohuar se ka parregullsi në Shtëpinë e Shëndetit, sidomos në punësimin e kuadrove, në përmbajtje të orarit të punës, pacienta që kontrollohen pa iu mirëmbajt radhës, disa që nuk vijnë në kohë të caktuar e të tjerë pacientë që nuk respektojnë dhe japin përparësi nënave me fëmijë.
Ai në këtë emision flet edhe për punën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku thotë se qytetarët nuk janë sa duhet të njoftuar me punën e këtij organi.
“Ne si qytetarë nuk jemi të njoftuar se çfarë po bëhet në kuadër të Këshilli Kombëtar Shqiptar, pozita dinë, opozita nuk dinë fare, ndërsa në Parlamentin Republikan nuk dimë fare për punën e deputetëve tanë të cilët janë prezent. Fatmirësisht dy përfaqësues, por nuk jemi takuar kurrë me ata të bisedojmë se çfarë mund të bëjnë për këtë Luginë”, nënvizon Destani.
Duke folur për përçarjet që kanë përfshirë spektrin politik por edhe nivelet tjera, ai thotë se është shumë pesimist në përmirësimin e kësaj situate, mirëpo bën apel për ndryshime rrënjësore.
“Këtë formë të veprimit duhet ndryshuar gjithsesi, pasi është në dëm edhe të vet liderëve por më e keqja se është në dëm të qytetarëve”, shprehet zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës.
Në pjesën e dytë të programit, Destani flet edhe për jetën private, si udhëtimet e tij të preferuara, a ka dhënë ryshfet, nëse do të kishte mund të zgjedhë mënyrën e ndarjes nga kjo jetë, cila do të ishte, si dhe shumë përgjigje interesante.
Duhet theksuar se Skender Destani, deri më tani, mbetet lideri i parë nga spektri politik i Luginës, që para publikut haptas dhe “pa dorëza” pranon gabimet që janë bërë gjatë këtyre viteve të politik bërjes në Luginë të Preshevës. /Titulli.com/