Daçiq i reagon Thaçit e Ramës për bashkimin e Luginës me Kosovën
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Në këtë takim të zhvilluar midis Thaçit dhe Ramës është folur për heqje të kufijve midis Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan lajmi.net.
Ndërsa, Ivica Daçiq e ka quajtur këtë si zhgënjim dhe kulmi i turpit të politikanëve shqiptarë.
”Takimi i sotëm i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me Hashim Thaçin në Tiranë para takimit të Brijunit, ku diskutuan për bashkimin kombëtar, heqjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkimin e tri komunave nga Serbia jugore në Kosovë – është kulmi i turpit të politikanëve shqiptarë”, ka thënë Daçiq.
Vlen të theksohet se në deklarimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi thuhet se në territorin e Kosovës do të përfshihen edhe tre komunat jugore të Serbisë, Presheva, Medvegja e Bujanoci.