Daci: Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku nuk i vyejnë askujt por t’i merret Lugina e Preshëvës
Kryetari i Akademisë së Shkencave Arteve të Kosovës, Nexhat Daci ka dhënë vlerësime të larta për zyrtarët shtetërorë të Kosovë.
“Unë asnjëherë nuk kam parë në veprimet e Presidentit ose Kryeministrit tradhti ose mashtrim. Të njëjtën gjë po e bën edhe Kryeparlamentari. Bile unë kam qenë i pranishëm kur ky Kryeparlamentar ka qenë më i ashpër se unë duke e quajtur racizëm, mosliberalizimin e vizave nga BE-ja”, tha ai.
Daci në RTV Dukagjini ka thënë se shkëmbimi i territoreve është nocion i ndryshëm nga korrigjimi i kufijve.
“Korrigjimi ka ngjarë në një vit të keq për Kosovën. Në atë kohë kur është bërë mbledhje e armëve… është bërë propozimi që ku nuk ka serbë me dërgua dhe ku ka shumë shqiptarë me i rrallua. Është gjet formula që Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, që nuk i vyejnë askujt, t’i jepen hartës së Kosovës, dhe t’i merret Lugina e Preshëvës që ka shumë më tepër popullatë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-kryeparlamentari i Kosovës thotë se është e dhimbshme kur e pyesin profesorë universitarë pse ai nuk reagon kundër korrigjimit të kufijve.
“Kundër kujt me reagua. Unë i pyes ata që janë kundër korrigjimit të kufijve, a ka pasur në histori të Kosovës dy Mitrovica?…Kjo është turp për ju. Ju po kërkoni me çdo kusht që Kosova të mbetet në Serbi”, tha Daci.
Ish zyrtari i lartë i LDK-së dhe më pas kryetari i LDD-së ka bërë një analogji mes korrigjimit të kufijve me afatet e provimeve për studentët.
“Korrigjimi i kufijve është e njëjta gjë sikurse kur bën hartim me shkrim. Ose ke rënë nga provimi në afatin e qershorit si student, vjen shtatori, është korrigjimi i tetorit, nëse e kalon atë [provim]”, tha Daci.