Bujanoci "harron" shqipen, shkruan vetëm serbisht! (dokument)
Se udhëheqësia e komunës së Bujanocit nuk zbaton dygjuhësinë, dëshmon edhe rasti i fundit i shpërndarjes së vendimeve për pagesën e tatimit në pronë nga Departamenti i administratës tatimore lokale, i cili është vetëm në gjuhën serbe.
Janë vet qytetarë e Bujanocit që këtë rast e kanë paraqitur në portalin informativ Titulli, pasi në adresë së shtëpive të tyre kanë marrë vendimet me çmimin e caktuar për pagesën e tatimit mbi pronat (shtëpitë) për vitin 2014-të.
“Çka është more vëlla kjo, komuna e Bujanocit hala na bjen letra vetëm serbisht. Këtë shqip me qenë spe merrshe vesh jo serbisht. Kushe shqiptar kemi në komunë a kta hala me të vjetrën”, theksoi N.N. personi duke ofsharë me këtë padrejtësi.
Rreth këtij dokumenti të lëshuar nga administrata komunale e Bujanocit u prononcua me anonimitet edhe një tjetër bujanocas.
“Ma kanë pru letrën me pagu porez diku mbi 3 mijë dinarë, mirëpo krejt serbisht. Na i kemi votu shqiptarët mu bo ma mire diçka, amo se vazhdon çeshtu si mos me pas shqiptar në komunë nuk ma ka marrë mendja”, u shpreh bujanocasi, që në supet e tij kishte mbi 50 vite.
Dokumenti i cili është sjellë në redaksinë e Titullit nga qytetarët e pakënaqur, duke akuzuar pushtetin për moszbatim të dygjuhësisë, shihet qartë se asnjë shkronjë nuk ka në gjuhën shqipe.
Madje edhe emrat e mbiemrat e shqiptarëve janë shënuar gabimisht, vetëm duke përdorur shkrimin latin serb.
Vlen theksuar se në mbledhjen e 15 korrikut të Kuvendit Komunal u votua pro propozimit për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimeve shqipe në territorin e komunës së Bujanocit.
Gjithashtu, një tryezë rreth shënimit të emrit shqip, më 31 korrik u mbajt në Bujanoc, e cila sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar në momentet e fundit ishte bojkotuar nga punëtorët e ofiqarisë së komunës së Bujanoc, ndërsa si qëllim kishte promovimin e të drejtave të shqiptarëve dhe mos deformimin e emrave të tyre.
Nga viti 2002 komuna e Bujanocit udhëhiqet nga shqiptarët, ndërsa faktet tregojnë se edhe sot e kësaj dite shqiptarët e kësaj komune gëzojnë pjesërisht të drejtat e tyre të garantuara me ligj./Titulli.com/