Bujanoci dhe Presheva me 3.000 vende të reja pune!?
Kompanitë gjermane “BMW Electronic” si dhe “Nero AG” do të hapin fabrikat në Bujanoc e Preshevë për prodhimin e pjesëve elektronike për vetura, respektivisht për kompjuter personal.
Dy gjigantët gjerman interesimin për investime në Luginë e kanë shprehur pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për subvencionim të vendeve të reja të punës dhe lobimit të kryetarëve të komunave Bujanoc e Preshevë, Nagip Arifi e Ragmi Mustafa, që kanë njoftuar kompanitë gjermane me kapacitetet dhe pozitat e volitshme gjeografike të këtyre komunave, në këtë pjesë të Ballkanit.
2.000 vende pune do të hapen në Bujanoc nga kompania për prodhimin e pjesëve elektronike të markës së mirënjohur të veturave gjermane BMW nga “BMW Electronic”.
Shefi i kësaj kompanie për Evropë juglindore, Bruno Dietrich, nënvizon se fabrika në zonën industriale në Bujanoc do të ngritet në një periudhë rekorde prej vetëm 12 muajsh.
Kryetari i kësaj komune Nagip Arifi me të marr konfirmimin e këtij investimi është shprehur se, Bujanoci, tani përveç qytet universitar, po bëhet edhe qytet i fabrikave dhe zhvillimit ekonomik. Ai duke thënë se “Ne jemi të fjalës” ka kujtuar premtimin për 2.000 vende të punës, i cili së shpejti do të bëhet realitet.
Edhe homologu i tij nga Presheva, Ragmi Mustafa, është ndarë i kënaqur nga takimi i fundit me Gerhard Fischer, shefin e kompanisë për prodhimin e CD Rom-ve për kompjuter personal “Nero AG”.
“Kompania gjermane ‘Nero AG’ në dy faza do të hapë fabrikat të cilat do të punësojnë nga 500 punëtorë. Hapsira për ndërtimin e fabrikave të kompanisë gjermane do të jepet në shfrytëzim nga komuna me një çmim simbolik. Qëllimi është të sjellim investitor të huaj dhe të punësojmë qytetarët”, është shprehur Mustafa.
Hapja e këtyre vendeve të punës për qytetarët ishte më se e domosdoshme, marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike, papunësinë dhe migrimin e qytetarëve.
3.000 vende të reja pune qytetarët i shohin më shumë se një shpresë për të ardhme të ndritur. Ata shprehen se kjo është një strategji e politikanëve të këtushëm që për vite me radh nuk ishte parë në Luginë. /Aprilili/