Udhëheqësia e Komunës së Bujanocit sot ka inspektuar punimet në rrugën që lidhë fshatin Bilinicë me Muhocin, në malësinë e Bujanocit
Kryetari Nagip Arifi me delegacionin e tij sot qëndruan në Bilinicë ku nga afër panë punimet që po realizohen për përgaditjen për asfaltim të 1270 metrave të rrugës që lidhë këtë fshat me Muhocin.
Banorët u shprehën të kënaqur derisa thanë se me përfundimin e kësaj rruge kryetari Arifi po përmbushë edhe njërin prej premtimeve që kishte dhënë gjatë fushatës parazgjedhore në këtë fshat.
Ndërsa, drejtuesi i Direkcionit për Ndërtim Agim Haliti tha se punimet në këtë rrugë që kushtojnë rreth tetë milionë dinarë do të përfundohen brenda tre javëve.
“Trasa e rrugës ka 1270 metra nga Bilinica deri te rruga regjionale Breznicë-Muhoc-Tërnoc. Kështu po arrijmë të rrumbullaksojm komplet infrastrukturën në malësinë e Bujanocit”, u shpreh në Bilinicë, drejtori Haliti.
Banorët i shtruan edhe kërkesa të reja kryetarit Arifi siç ishte edhe shtruarja me gurë e rrugëve në brendësi të fshatit, ndërsa kryetari i premtoi se edhe këtë do ta marrë për obligim në mënyrë që të lehtësojë jetën e qytetarëve të kësaj ane.
Bilinica është fshatë shqiptarë i banuar nga 16 familje me rreth 100 banorë. Ka shkollën fillore tetëvjeçare në të cilën mësojnë 11 nxënës.
Sipas banorëve të Bilinicës, përveç kryetarit Nagip Arifi asnjë nga ish drejtuesit e kësaj komune nuk është interesuar për gjendjen e tyre./Titulli.com/